OPINION për Albanian Free Press: “Ariu” në “Ekspozitën e Pikturave” - Nga Sonila Meço

OPINION për Albanian Free Press: “Ariu” në “Ekspozitën e Pikturave” - Nga Sonila Meço
Nga Sonila Meço

Ky shkrim është përgatitur, posaçërisht, për gazetën Albanian Free Press

Nga Parisi, pak ditë më parë, kryeministri shqiptar, Edi Rama, për gazetën më të madhe franceze, “Le Monde”, do të përsëriste tezën e tij për shfrytëzimin e vakuumit të krijuar nga BE-ja, prej “aktorëve të tretë”. Kësaj here, teza e tij kishte edhe një adresë: “Dikush mund të flasë për ndikimin rus, por Rusia bën politikë në boshllëkun e lënë nga Bashkimi Europian”. Sipas tij, prania ruse në rajon, përpjekja për grusht shteti në Malin e Zi, përkeqësimi i situatës politike në Maqedoni, po shfaqen si pasojë e kësaj dobësie. Teza përvijon të tjera deklarime publike, sidomos në shtypin ndërkombëtar, nga ana e kryeministrit të vendit të vogël ballkanik. Për “The Telegraph”, në shkurt të këtij viti, Rama shprehte shqetësim për aftësinë e BE-së për të siguruar stabilitetin dhe bllokimin e planeve të Moskës. Për “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, vitin e kaluar, Rama pohonte se: “Nëse duam një Europë të sigurt e të qëndrueshme, nuk duhet të ketë hapësira boshe. Duhet të kujtojmë se ka aktorë të tretë që luajnë lojën e tyre, duke shfrytëzuar vakuumin e Europës” . Edhe më herët, “aktori i tretë” do kishte një adresë, por jo e njëjta e asaj të "përmendur në “Le Monde”. Në korrik 2015, në një intervistë për “Financial Times”, kryeministri shqiptar shprehej se: “Një i ri në Tuniz ose Tobruk, ndjen se nuk ka të ardhme. Nëse BE-ja nuk është e aftë të shfaqet siç e presim, do të krijojë hapësirë të madhe boshe, që do të shfrytëzohet nga radikalizmi islam”. Në korrik 2015, në vizitën e parë të Angela Merkel në Tiranë, Rama foli me një lloj presioni diplomatik ndaj një Europe indiferente në procesin zgjerues. Sipas tij: “Në hapësirën tonë rajonale, veprojnë edhe aktorë të tretë, të cilët synojnë të shfrytëzojnë çdo lëkundje, çdo paqartësi apo vakuum që mund të krijohet në marrëdhënien tonë me Bashkimin Europian”. Duke përmbledhur deklarimet e Ramës në dy vite, kryesisht në shtypin ndërkombëtar, teza e tij e ndikimit të “aktorëve të tretë” në Ballkan mbetet konstante, me një ndryshore, herë ky aktor përkufizohet si radikalizmi islam, herë si Rusia, e herë lihet e papërcaktuar.

Për të analizuar duhet të shtojmë edhe një konstante që shoqëron deklaratat e kryeministrit shqiptar. Ky argument thërritet në kauzë, sa herë ka probleme të forta politike në Shqipëri, ose kur mungojnë kushtet në vend që janë në favor të anëtarësimit të Shqipërisë. Sot vendi është në krizë dhe dalja e kryeministrit shqiptar në “France 24”, apo “Le Monde”, pavarësisht pyetjeve këmbëngulëse të gazetarëve mbi kapërcimin e saj, merr vëmendje më shumë për një lloj kërcënimi që Rama i shfaq Europës, mbi përpjekjet e saj të dobëta për të anëtarësuar vendin Ballkanik në familjen e përbashkët europiane, duke i kujtuar asaj aktorë të tretë dhe ariun rus. Sa i besueshëm është sot kryeministri shqiptar në këtë tezë? Shakespeare i madh, dikur shkruante:

“Natën,

çfarë frika të bën të imagjinosh,

edhe një “shkurre” me “ari” të ngatërrosh”.

Shqipëria është në krizë serioze, politike e institucionale, me një ekonomi të dobët, vendi më i varfër në Europë që po mbush raportet ndërkombëtare me shndërrimin e saj në qendër të kultivimit të kanabisit. Kjo është një “natë” e vërtetë shekspiriane. Dhe frika, paranoja e pushtetit, bën që të krijojë në perceptimin publik “armiq” të brendshëm e të jashtëm, diku të vërtetë e diku imagjinarë, duke zhvendosur vëmendjen nga “shkurrja” e errët e humbjes së shpresës, tek “ariu” që kërcënon të sotmen dhe të ardhmen e rajonit. Por, le t’i marrim faktet me radhë, duke mos ndërtuar perceptime mbi ndjesi dhe emocione. Nëse një lider nuk vret mendjen për çfarë ndodh me vendin e tij nga faktorë të lidhur me keqqeverisjen, as komuniteti ndërkombëtar nuk të konsideron nëse për të fshehur të vërtetat e pushtetit, kërcënon a shantazhon me destabilizim prej “aktorësh të tretë”.

Çfarë konstaton, realisht, BE-ja në Shqipëri?

Këtë e thotë qartë Rezoluta e Parlamentit Europian e 15 shkurtit 2017. Ajo dëshmon si një udhërrëfyes i pandikueshëm situatash të improvizuara, a planesh të mirëmenduara, rrugëtimin tonë për në Bashkimin Europian. Që nga reforma në drejtësi, zgjedhjet e lira, proces me integritet që paraprihet nga një reformë zgjedhore, që kujdeset veçanërisht për transparencën e financimit të partive, përjashtimi i figurave me lidhje kriminale në listat e kandidatëve për deputetë, masa të përshkallëzuara kundër kultivimit dhe prodhimit të lëndëve narkotike, trafikimit të tyre si dhe rrjeteve të krimit të organizuar, mundësimin e votës së shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, zbardhjen e ngjarjeve të 21 janarit dhe vënien e drejtësisë për viktimat, masa për të adresuar çështjen e azilantëve…etj, etj. Pra, përkundruall euroskepticizmit të vetë vendeve anëtare, shtimit të valës nacionaliste në Europë, qeveria shqiptare dhe vetëm ajo, është aktori kryesor që do të adresojë të gjitha shqetësimet e institucioneve europiane. Mund të sigurohemi me përmbajtjen e kësaj rezolute se nuk ka as formula magjike, as kërcënim rus a radikalizëm islamik, as vetëm një vetting që do mund të shërbejë si alibia e një dështimi të paralajmëruar në integrimin europian.

Cilat janë prioritetet e vetë BE-së, në të ardhmen e afërt?

Vetë Europa ka përpara një vit të vështirë. Forumi Ekonomik Botëror i Davos-it bëri një listë të gjatë prioritetesh, duke vendosur edhe axhendën e shqetësimeve kryesore për 2017-ën:

Brexit: tashmë, me një plan të detajuar për daljen përfundimtare të Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja, me pasoja e kosto të rëndësishme për tregun e përbashkët, bizneset dhe institucionet financiare.

Kriza e refugjatëve: Situata është e brishtë, marrëveshja mes Turqisë dhe BE-së ngjan e pasigurt me përkeqësimin e marrëdhënieve në muajt e fundit. Por fakti se Gjermania pranoi më shumë refugjatë se të gjithë vendet e Europës të marrë së bashku, shkaktoi dyshime të forta për solidaritetin në familjen europiane. Në rast se Turqia zbaton kërcënimin e saj me “hapjen e digës mbrojtëse” në fluksin e emigrantëve, kjo do të sjellë pasoja në zgjedhjet e ardhshme në Francë, Gjermani vende që përballen me sfida të forta politikash nacionaliste dhe antirefugjatësh.

Ekonomia: Pavarësisht rritjes së pritshme ekonomike, më e larta në vite, Bashkimi Europian përballet me sfidat e marrëveshjeve të tregtisë me disa vende, e ardhmja e TTIP (Marrëveshja e investimeve dhe tregtisë transatlantike), që konsiderohej si shpresë e Europës për të rritur konkurrueshmërinë në garën botërore, u bë e pasigurt. Frika e pasojave të BREXIT, fitoreve të mundshme të forcave populiste dhe një luftë tregtare e pritshme prej politikave të Trump, mund të përkeqësojë pritshmërinë ekonomike për Europën. Por edhe e ardhmja e Eurozonës, shihet me dyshime.

Siguria dhe politika e jashtme: Europa Lindore kërkon siguri përballë Rusisë, gjithnjë e më agresive. Procesi i Minskut që trajton agresionin rus ndaj Ukrainës, vijon nën drejtimin e Gjermanisë dhe Francës, por pa arritur në një përfundim. Në dy vitet e fundit, Rusia ka rritur praninë e ushtrisë rreth vendeve Baltike. Ka vendosur armatime të avancuara në Kaliningrad, një enklavë mes Lituanisë dhe Polonisë, ka ringjallur disa praktika të Luftës së Ftohtë duke mbështetur e financuar parti e grupe anti-BE në Europë. Ndërkohë, zgjedhja e Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë, ka shtuar frikën se mos Amerika dobëson angazhimin e saj në mbrojtjen fizike të Europës dhe NATO-s. Bisedimet e paqes për Sirinë, vijojnë shoqëruar me pasiguri të lartë. Ngjarjet e Parisit, Brukselit e Berlinit dëshmuan qartazi, se sa të brishta janë në kundërpërgjigje agjencitë e inteligjencës dhe forcat e rendit ndaj tyre, në shumë vende europiane.

Në mars, BE kremtoi 60-vjetorin e krijimit dhe, për herë të parë në histori, një pikëpyetje e madhe vërtitet rreth së ardhmes së unionit. Populli, në shumë vende të BE-së, në masë është kundër zgjerimit. Ashtu sikurse kërcënimet e jashtme i kanë detyruar vendet anëtare të gjejnë zgjidhje të përbashkëta, duke u ndërgjegjësuar se të vetme nuk ia dalin dot. Tashmë Europa e ëndrrave, është zëvendësuar me RealEuropën dhe Shqipëria ngjan kaq e vogël dhe e parëndësishme në një panoramë si kjo. Panoramë që nuk e shohim dot as nga kodrat e Surrelit e as nga foltoret e samiteve ballkanikë.

Ç’po ndodh në Ballkan?

Dikur Winston Churchill, pohonte se Ballkani prodhon më shumë histori se ç’mund të konsumojë. Sot Ivan Krastev, studiues politik, kryetar i Qendrës për Studime Liberale në Sofie, e përshtat: mos ndoshta Ballkani prodhon histori më shumë se ç’Europa mund të konsumojë? Axhendat e samiteve europiane i janë kushtuar gjithsesi Ballkanit dhe turi i fundit i Mogherinit, shefes për politikën e jashtme të BE-së, qe pikërisht në këtë rajon. Po, ka një të vërtetë të madhe se Rusia dhe Turqia ngjajnë të bashkuar në përpjekjen e tyre për ta mbajtur sa më të ulët ndikimin europian në Ballkan. Por a është ky kërcënimi që sublimon ankesat e kryeministrit shqiptar, për pamundësinë e integrimit, mu, bash, për këtë ndikim? Ballkani sot karakterizohet nga ekonomi të dobëta, me papunësi të lartë, me lider autoritarë që e mbajnë pushtetin me çdo kusht. Popujt ndihen të frustruar, të zhgënjyer, të pasigurt. Autoritarizmi, arroganca, ekonomia neoliberale e koncesioneve dhe shtetit gjithnjë në tkurrje, janë emërues i përbashkët në rajon. Rënia e besimit tek politika, institucionet, zgjedhjet, megjithëse të konsideruara demokratike e të pranuara, prodhojnë liderë autoritarë. Demokracia është mjet drejt qëllimit dhe vendi shkon në mënyrë të rregullt nga kriza në krizë. BE-ja vijon të jetë partneri kryesor tregtar dhe njerëzit gjithnjë e më shumë duan të emigrojnë në Europë, por fakti është se Europa nuk mund të mbështetet më tek Amerika, për të siguruar paqen dhe sigurinë në rajon. Moska mund të përpiqet të testojë vulnerabilitetin e NATO-s, pikërisht, në këtë rajon dhe Turqia mund t’i japë një mësim të mirë Eurpës, prej këtu. Por nuk mjaftojnë as kërcënimet e liderëve ballkanikë, as premtimet e eurokratëve për vijimin e zgjerimit, apo hedhja e parave në Ballkan. Sot Europa, për shkak të presionit të madh të taksapaguesve që kanë dëshmuar të gjithë skenarët e anëtarësimeve dhe janë nën presione të pasigurive të rreshtuara më lart në artikull, të kërkon të eksportosh stabilitet dhe mirëqenie, duke mos lënë veten në importimin e një pasigurie më të madhe. Ndaj, sado t’i qahesh në prag se një fuqi më e madhe kërcënon bashkësinë dhe kufijtë e saj, nuk do të mjaftonte ky shantazh të bindte taksapaguesin europian të financojë krimin, mafien e korrupsionin e vendit tënd.

Çfarë po ndodh me ndikimin rus në rajon?

Qëllimi i Putinit, deri tani, duket se është përmbushur duke i mbajtur neutrale vendet ku shtrin ndikimin, në një status-quo, kur vjen fjala për aderimin e tyre në strukturat euro-atlantike. P.sh., Rusia po ndikon në mbylljen e pozicionit të përfaqësuesit të lartë për BiH, sipas marrëveshjes së Dayton-it. Rusia qe një vëzhgues shumë i interesuar i incidentit me trenin e nisur nga Beogradi drejt Mitrovicës. Kosova është Serbi shkruhej në 21 gjuhë, në trenin e prodhuar në Rusi. Rusia ushtrohet në Serbi, në stërvitje të përbashkëta, siç ndodhi nëntorin e kaluar, shumë serbë gëzojnë simpati për Rusinë për shkak të lidhjeve historike dhe mosbesimit ndaj NATO-s. Pavarësisht perceptimit, investimet e BE-së janë shumë më të mëdha se ato ruse. Në Malin e Zi, rusët u akuzuan për ideimin e një grushti shteti dhe ekzekutimin e disa zyrtare të lartë. Akuzat mund të ishin edhe një alibi politike, por Rusia e ka shprehur interesin për ta mbajtur Malin e Zi larg NATO-s, megjithëse ky i fundit ngjan gjithnjë e më pranë. Por në vende të tjera, ku nuk ka aleatë të hapur si në Serbi, ndikimi nuk mund të matet.

E në fund të ditës…

Nuk është vetëm Edi Rama që ka përmendur “aktorë të tretë” në Ballkan. Diplomatë europianë e kanë bërë këtë gjë edhe në samitë të mëhershme, duke njohur jo vetëm ndikimin e Rusisë,por edhe atë të Turqisë. Për këtë arsye zyrtarë europianë kanë kërkuar që roli i BE-së të bëhet më i dukshëm në Ballkan, sepse perceptimet ndonjëherë apelojnë më shumë se realiteti. Duke lënë të kuptohet se ndikimi i “aktorëve të tretë’ është më shumë propagandë se real. Ashtu si edhe fakti se ndikimi i këtyre aktorëve, pa prova të forta, ngjan më tepër si përpjekje për të ndërtuar një perceptim në botë, i ndryshëm nga realiteti që ka prodhuar vetëm ekspozita pikture në kryeqendra europiane dhe botërore.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: