Armand Teliti: Dako bën “investime estetike”, qytetarët kanë të tjera halle

Armand Teliti: Dako bën “investime estetike”, qytetarët kanë të tjera halle
INTERVISTA / Kryetari i grupit të këshilltarëve demokratë në Durrës analizon për Albanian Free Press projektet e kryebashkiakut

Projektet e kryetarit të bashkisë së Durrësit duken tepër ambicioze. Por opozita mendon ndryshe. “Janë mbi 20 milionë euro, të hedhura në projekte që realisht kanë të bëjnë me estetikën dhe jo me problemet themelore të qytetit”. Kryetari i grupit të këshilltarëve demokratë, Armand Teliti, shpjegon pse opozita ka votuar gjithmonë kundër këtyre shpenzimeve të cilat, sipas tij, ngrohin xhepat e Dakos dhe shpërfillin interesin e qytetarëve.

Në analizën e Telitit, rruga e plazhit është bërë dhe është çarë sërish tre herë në dy vjet, “Sfinksi” është thjesht shkallë betoni me drita që mbulojnë një krim në mjedis, pallatet janë lyer si copat e Kombinatit të Tekstileve të Beratit, sheshi qendror e bën të duket Durrësin si qytet të Lindjes së Mesme, ndërsa “Veliera” është një çarçaf i paligjshëm për të cilën kryebashkiaku duhet të ndiqet penalisht.

Të njëjtin kundërshtim Teliti shpreh edhe për projektin e fundit, atë të tunelit nëntokësor të shoqëruar me një rotondë poshtë rrugës aktuale që të çon tek mauzeleumi i dëshmorëve. Ai shpjegon se projekti është kundërshtuar pasi po zhvillohet pa u miratuar një plan rregullues i qytetit që të përcaktojë prioritetet në atë zonë.

Intervistoi për Albanian Free Press: Alket Aliu

Gjatë mandatit të tretë të kryebashkiakut Vangjush Dako ka përfunduar një projekt i quajtur “Sfinksi” dhe është bllokuar një projekt i dytë, “Veliera”. Ndërkohë janë sistemuar disa sheshe dhe fasada pallatesh. A janë këto sinjale se Durrësi është në rrugën e transformimit?

Në konceptin tim, Durrësi po transformohet për keq. Do të bëj një analizë të shkurtër të këtyre projekteve, por në radhë të parë dua të bëj një analizë të fondeve të shpenzuara për to. Në qoftë se llogarisim paratë e shpenzuara në këto investime, qoftë edhe duke llogaritur vetëm 3 vitet e fundit, shikojmë se është një sasi marramendëse parash të shpenzuara, mbi 20 milionë euro, të hedhura në projekte që realisht kanë të bëjnë me estetikën dhe jo me problemet themelore të qytetit.

Dy janë problemet më të nxehta të qytetit. Përmbytjet dhe trajtimi i plehrave. Durrësi përmbytet me gjysmë ore shi dhe kthehet në qytet të pakalueshëm dhe të pabanueshëm, duke bllokuar edhe biznesin. Nga ana tjetër, është katastrofë djegia e plehrave në fushë të hapur, në një distancë të afërt me qytetin, duke e shndërruar Durrësin në një qytet aspak turistik dhe mesjetar. Është jashtë imagjinatës njerëzore që plehrat të digjen në këtë formë dhe të mos ketë asnjë përpjekje për të zgjidhur këtë problem. Vangjush Dako e ka deklaruar me zë të lartë në këshillin bashkiak se prioritet i tij është “Veliera” dhe jo plehrat. Në një qytet të tillë është vështirë të konceptohet pyetja nëse po bëhen apo jo bukur disa gjëra, ndërsa problemet themelore mbeten pa zgjidhje.

Të mos harrojmë çfarë po ndodh në rrugën e plazhit. Është një projekt i bërë tre herë në dy vjet, duke shpenzuar para si nga xhepi i qytetarëve të Durrësit por edhe të taksapaguesve shqiptarë. Një pjesë e madhe e parave vijnë nga Qeveria për shkak të një raporti të drejtpërdrejtë të kryetarit të bashkisë me Kryeministrin, në këndvështrimin tim një raport tërësisht korruptiv dhe thellësisht klientelist. Pra, çohen paratë atje ku kemi mundësi t’i vjedhim më mirë dhe më kollaj. Është e papranueshme që një rrugë, për të cilën janë hedhur para, të çahet tre herë në dy vjet. Është një shpërdorim i papranueshëm.

Durrësi është një qytet me një identitet të fortë europian, ka 3 mijë vjet që përfaqëson frymën europiane në Shqipëri. Por shikoni si është realizuar sheshi kryesor, ai përpara bashkisë. Po të marrësh një të huaj me sy mbyllur dhe ta vendosësh në këtë shesh, me siguri do të thoshte se ndodhet në një qytet të Lindjes së Mesme. Sheshi përbëhet nga një pllakë e madhe betoni me ca palma që nuk bëjnë hije. Sheshi ka zhvlerësuar edhe vetë godinën historike të bashkisë, e ndërtuar që përpara Luftës së Dytë Botërore. Edhe nga pikëpamja urbane, ka ndarë qytetin në dy pjesë pa lidhje dhe komunikim me njëra-tjetrën. Dhe të mendosh milionat që janë shpenzuar për këtë shesh që nuk thotë asgjë.

Por le të shohim Sfinksin, që konsiderohet edhe si krenaria e kryetarit të bashkisë. Është një objekt që është ndërtuar mbi një krim mjedisor. Qindra kamionë me mbetje inerte janë zbrazur në det për të krijuar mundësinë e “Sfinksit”. Atje i është marrë hapësirë detit për të bërë ndërtime klienteliste. Është një ndërtim banal dhe fare i panevojshëm.  Mbulesa e kësaj janë ca shkallë me drita dhe e kanë quajtur “Sfinks”.

Projekti më i diskutuar, Veliera, është kundërshtuar që në fillim nga këshilltarët e Partisë Demokratike që kur erdhi për miratim dhe kemi votuar kundër. Është kundërshtuar qoftë për shkak të shpenzimit të panevojshëm, qoftë për mungesë të transparencës. Ne thamë se këto para mund të përdoreshin për të zgjidhur probleme shumë më të rëndësishme të qytetit.

Edhe nga ana estetike, monumenti i betonit nuk ngjan fare me një velë, por me ata çarçafët e vendosur mbi kallama që i përdornin durrsakët si tenda në plazh gjatë kohës së diktaturës. Por më shumë se çështje estetike, është një çështje ligjore. Objekti është projektuar si kriminal. Dy nga këmbët e velës bien në zonën A arkeologjike, që është përcaktuar nga Këshilli i Ministrave. Ligji përcakton se në këtë zonë nuk mund të kryhen ndërtime të reja, por vetëm riparime të godinave ekzistuese. Jemi përpara një vepre penale të qartë, të kryera me koshiencë, pasi kryetari i bashkisë e di se ku po ndërton. I kam bërë thirrje edhe prokurorisë të reagojë dhe të tregojë se jetojmë në një vend normal. Pilotat janë qartësisht të ngulura në objektin e trashëgimisë kulturore që është gjetur aty.

Ndërkohë së shpejti fillon një projekt i ri i madh, ai i ndërtimit të një sheshi publik me rrugë nëntokësore te rruga e maozeleumit të Dëshmorëve. Edhe për këtë jeni kundër?

Ka patur një debat në këshillin bashkiak edhe për projektin e fundit, atë të maozeleumit. Durrësi nuk ka ende një plan të përgjithshëm rregullues të miratuar që do të përcaktojë zhvillimin afatgjatë të qytetit. Një ndërtim i rëndësishëm duhet të parashikohet në këtë plan. Në qoftë se plani, kur të miratohet, nuk e gjen me vlerë atë tunel, do të kemi të bëjmë me shpërdorim të pastër fondesh publike. Ja kemi thënë edhe kryetarit të bashkisë, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje pozitive, përkundrazi, është vazhduar me projektin.

Kryebashkiaku Vangjush Dako thotë se kundërshtimet vijnë për arsye politike, madje e ka konsideruar si një tendencë që po shndërrohet në modë kundërshtimi...

Nuk është aspak e vërtetë. Unë i kam shprehur rezervat e mia si qytetar i Durrësit për shpërdorime marramendëse. Mbi 20 milionë euro janë hedhur për projekte që nuk zgjidhin asgjë, ndërsa me këto para mund të ishin zgjidhur të dyja problemet themelore që citova më parë. Durrësi bëhet një qytet më europian në rast se nuk e derdh plehrat në mes të fushës dhe gjithë tymi i plehrave përfundon në mushkëritë e qytetarëve të Durrësit, jo duke ngritur një çarçaf prej betoni. Durrësi bëhet një qytet më europian në qoftë se paratë hidhen për të hapur më tej amfiteatrin se sa duke bërë katër herë rrugën e plazhit. Duhen hedhur paratë për të zgjidhur problemet e qytetarëve dhe jo për të ngjyrosur pallatet me topa që ngjajnë si copat e Kombinatit të Tekstileve të Beratit. Mendoj si qytetar, dhe aspak politikisht, se bashkia po drejtohet në mënyrë skandaloze, klienteliste dhe në mënyrën më të keqe të mundshme, e orientuar tërësisht nga xhepi i kryetarit të bashkisë dhe klientëve të tij dhe aspak nga interesat e qytetarëve.

Por interesin e qytetarëve mund ta shohim edhe politikisht. Kur u ndërtua sheshi para bashkisë pati debate të shumta, madje edhe protesta për ruajtjen e shatërvanit që ndodhej në qendër të sheshit. Megjithatë Dako siguroi mandatin e tretë, madje me diferencë të thellë votash. A influencohen qytetarët nga këto që ju i konsideroni “investime estetike”?

Në këtë pikë, në radhë të parë do t’u bëja thirrje qytetarëve durrsakë ta shikonin nga pikëpamja e interesave të veta gjithë zhvillimin e bashkisë së Durrësit.

Qytetarët bëjnë pjesën e tyre dhe zgjedhin. Por nuk është absolutisht e drejtë që abuzimi me votën e qytetarëve të shndërrohet edhe në abuzim me paratë e tyre.

Unë nuk besoj se një qytetar i Durrësit do të preferonin çarçafin e Vangjushit ndërkohë që fëmijët e tyre helmohen përditë nga tymi i plehrave që digjen, por mendoj se me votën e qytetarëve të Durrësit është abuzuar dhe abuzohet përditë. Natyrisht,një kryetar bashkie votohet nga njerëzit, por është në përgjegjësinë personale të kryetarit që të bëjë atë që iu duhet njerëzve, jo të bëjë vetëm atë që i duhet atij.

Të mos harrojmë edhe se për zgjedhjet në Durrës, Partia Demokratike e ka kontestuar fort rezultatin . Edhe në zgjedhjet e fundit kemi dokumentuar me fakte se mbi 3 mijë qytetarë nga zona jashtë Durrësit janë sjellë në mënyrë të paligjshme në Durrës për të përmbysur rezultatin.

Vangjush Dako është në mandatin e tij të tretë. A ka diçka që ju e vlerësoni, një punë apo projekt që i ka shërbyer qytetit gjatë këtyre viteve?

Do të konsideroja si një zgjidhje të mirë rrugën anash portit, pavarësisht debateve të shumta. Kjo rrugë ka lehtësuar qarkullimin në qytet. Por edhe kjo rrugë duhet të ishte bërë më herët. U bë me disa vite vonesë jo për shkak të të tjerëve, por për shkak të bashkisë, për shkak të interesave të ndërtimit në atë zonë. Bashkia kërkonte të ndërtohej rruga në një territor tjetër, duke marrë pjesë të portit të Durrësit.

Të mos harrojmë, Durrësi është i vetmi qytet i rëndësishëm në Shqipëri që nuk ka një unazë, gjë që e bën Durrësin një qytet të bllokuar dhe pa dalje. Ka vetëm një rrugë për të shkuar në Currila dhe ajo shkakton një trafik dhe kaos të jashtëzakonshëm, sidomos gjatë verës. Është një vuajtje tërësisht e panevojshme, krejtësisht e papranueshme dhe plotësisht e evitueshme. Mjafton që me paratë e investimeve për çarçafë të ishte ndërtuar unaza për t’i sjellë frymëmarrje qytetit dhe për të sjellë zhvillim edhe për zonat e periferisë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: