Arrestohet në fushë futbollisti i Domosdovës, goditi me grusht gjyqtarin

Arrestohet në fushë futbollisti i Domosdovës, goditi me grusht gjyqtarin
Godet gjyqtarin me grusht në fushë. Ndeshja ndërpritet, ndërsa futbollisti arrestohet në kushtet e flagrancës nën akuzë për “Goditje për shkak të detyrës.”

Është kjo historia me e fundit e një ndeshje futbolli, por pa asnjë lidhje me futbollin, e Kategorisë së Dytë në Shqipëri.

Tepelena dhe Domosdova, dy skuadra të Grupit B në Kategorinë e Dytë, nuk synojnë as ngjitjen në një kategori më lart, dhe njëkohësisht nuk rrezikojnë as rënien.

Një penallti e akorduar në favor të Tepelenës, u shoqërua me dhunimin e gjyqtarit të ndeshjes nga lojtarët e Domosdovës.

Mes kontestimeve të lojtarëve miq, futbollisti Kristjan Lleshi iu afrua arbitrit të ndeshjes dhe e goditi atë me grusht.

Ngjarja shkaktoi ndërprerjen e takimit. Treshja e gjyqtarëve u fut në dhomat e zhveshjes, ndërsa Lleshi u arrestua në kushtet e flagrancë nga forcat e rendit. Futbollisti 33-vjeçar, banues në Përrenjas akuzohet për veprën penale të “Goditjes për shkak të detyrës”.

Materialet ndaj tij i kaluan për shqyrtim Prokurorisë së Rrethit të Gjirokastrës.

Për shkak të dhunës ndaj arbitrit dhe ndërprerjes së ndeshjes, Domosdova rrezikon ta humbasë ndeshjen 3-0 në tavolinë, me Tepelenën. Çështja do të shqyrtohet edhe nga Komisioni i Disiplinës. Pritet edhe ndëshkimi i ashpër i futbollistit Kristjan Lleshi për goditjen ndaj gjyqtarit të ndeshjes.

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: