Bashkëpunimi i fundit me Françesk Radin

Bashkëpunimi i fundit me Françesk Radin
Flet posaçërisht për Albanian Free Press, tenori Kastriot Tusha

nga Juela Meçani

Vetëm pak ditë më parë, teksa bisedoja me tenorin e mirënjohur, Kastriot Tusha, ai më shprehu dhimbjen e tij për dramën dhe shëndetin e mikut të tij, kantautorit Françesk Radi. Më mbeti në mendje, ajo që më tregoi për bashkëpunimin e fundit mes tyre. Largimi nga jeta i Frankos, e shtoi dhimbjen dhe trishtimin te shokët e miqtë.

“Eh, si është jeta! E padrejtë!”- më tha sot, tenori Tusha. “Të mendosh se vetëm pak ditë më parë, po punonim bashkë, unë Franko dhe virtuozi në kitarë, Edison Miso. Ishte një dëshirë që e kishim prej kohësh, të mblidheshim bashkë e të dilte nga ne një produkt cilësor, i bukur. Dhe ja ku vendosëm dhe filluam përgatitjet për një orë muzikë live, në një program televiziv. Do të performonte miku ynë, tek Top Show Magazinë, i ftuar nga gazetari Alban Dudushi dhe e kishte me një dëshirë të madhe këtë bashkëpunim. Kur takova bashkëshorten, Teftën, në spital, këtë më tha, që Franko kishte partiturat ende mbi tryezë. Kishim filluar provat në një sallë me piano tek Akademia e Arteve. Nga duart dhe zëri i Frankos dilnin perla. Po punonim të sillnim një repertor edhe më të gjerë, me disa elementë spanjollë, italianë, anglezë. Ishte entuziast. Ishte aq dinamik dhe alegro, me atë kitarën e tij, të pandarë! Pas kësaj e priste një turne në Australi. Na erdhi e papritur kjo gjendje e tij shëndetësore, por dhimbja për humbjen e një miku dhe artisti si Franko, është shumë e madhe! Nuk do ta harrojmë kurrë!”

Shpërndajeni me miqtë tuaj: