Bayern kërkon përmbysjen, Real Madrid “i pathyeshëm” në shtëpi

Bayern kërkon përmbysjen, Real Madrid “i pathyeshëm” në shtëpi
 

Vetëm dy ekipe janë kualifikuar në historinë e Champions, me përmbysje rezultati pas humbjes së ndeshjes së parë në shtëpi: Inter më 2011, dhe Ajaksi më 1996

Aranit Muraçi

Nëse Bayern Munich ka ndonjë shans për të prekur, për herë të gjashtë radhazi, gjysmëfinalet e UEFA Champions League, i duhet të fitojë patjetër, sot, ndaj Real Madrid në “Santiago Bernabeu”, çka do të ishte humbja e parë e këtij sezoni, për të besuarit e Zinedine Zidane.

Fitorja nuk konsiderohet e lehtë, madje, kualifikimi i Bayern nuk sigurohet as në rast të një fitoreje me shifrat minimale 1-0, ngaqë përbën avantazh goli jashtë i triumfit të Real Madrid 2-1, në takimin e kaluar që u zhvillua në Mynih. Fitorja 2-1 e Celta Vigo në janar të këtij viti, e vlefshme për Kupën e Mbretit, mbetet humbja e vetme e këtij sezoni në 23 ndeshje, në “Santiago Bernabeu”, teksa skuadra e Zinedine Zidane ka fituar 15 ndeshje dhe ka barazuar 6 takime.

Në Champions League, mbrojtësit në fuqi të kurorës nuk kanë humbur në shtëpi, në 12 takime radhazi, duke fituar 9 prej tyre nga 10 takimet e fundit. “Tifozët do të jenë më të rëndësishëm se kurrë,” – tha Zidane. “Ata na japin gjithmonë një plus, veçanërisht në takime si këto.”

Champions League

Çerekfinalet e kthimit 18 prill (20:45)

Leicester - Atletico Madrid            (0-1)

Real Madrid - Bayern Munich       (2-1)

19 prill

Barcelona – Juventus                      (0-3)

Monaco - Borusia Dortmund        (3-2)

 

Bayern njeh vetëm dy fitore në 12 ndeshje kundër Madridit, në “Bernabeu”.

“Ne shkojmë atje për të përmbysur rezultatin në anën tonë,” – theksoi mbrojtësi i Bayern, Philipp Lahm. - “Nuk do të jetë e lehtë, sepse jemi më në presion. Por kemi shanse për të fituar.”

Real Madrid ka pasur, përgjithësisht, ecuri normale duke e kontrolluar rezultatin në favorin e vet, përveç ndeshjes së kupës ndaj Celta Vigo, kur pësoi dy gola me kundërsulm, gjatë pjesës së dytë, dhe u detyrua të largohej para kohe nga ky kompeticion. “Ne e dimë se tani na pret një ndeshje e madhe dhe duhet të luajmë fort,” – theksoi Zidane.  “Do të bëjmë të pamundurën ta fitojmë këtë ndeshje, jo të presim kualifikimin nga fati. Ndeshja e kaluar i përket së shkuarës, pasi i dimë edhe vështirësitë që mund të na krijojë Bayern.”

“Do të jetë një ndeshje e madhe,” – theksoi trajneri i Bayern, Carlo Ancelotti i cili udhëhoqi Madridin në fitimin e titullit në vitin 2014. “Besojmë në vetvete dhe do të japin gjithçka.”

Vetëm dy ekipe janë kualifikuar në historinë e Champions, pasi kanë arritur të përmbysin humbjet e para në shtëpi. Inter eliminoi Bayern në 2010-’11, dhe Ajaksi kaloi Panathinaikos në sezonin, 1995-’96.

Bayern ishte një skuadër dominuese në shtëpi, deri kur u mund javën e shkuar nga Reali i Madridit 2-1, duke i dhënë fund 16 ndeshjeve pa humbje në fushën e vet gjatë këtij sezoni.

Cristiano Ronaldo shënoi dy herë për Real Madrid, duke u shndërruar në lojtarin e parë në historinë e Kupave të Europës, që arrin kuotën e 100 golave. Atij i duhen tani vetëm tre gola, që të arrijë të njëjtën shifër edhe në  Champions League.

Sulmuesi portugez ishte mes lojtarëve të Madridit, që u la pushim nga Zidane në fitoren 3-2 të së shtunës, ndaj Sporting Gijon, në kampionatin spanjoll, rezultat që mban “Los Blancos” tre pikë para Barcelonës në krye të klasifikimit dhe ende me një ndeshje për të luajtur.

Sulmuesi i Real Madrid, Gareth Bale, nuk do të luajë këtë të martë, për shkak të dëmtimit në gju. Mbrojtësit Pepe dhe Raphael Varane, kanë mbetur gjithashtu jashtë, për shkak dëmtimi.

Sulmuesi Robert Levandovski, i cili është rikuperuar pas një dëmtimi në supin e djathtë, që e la atë jashtë gjatë takimit të parë, pritet të jetë i gatshëm sot për Bayern. Sulmuesi polak ka shënuar 38 gola këtë sezon, në të gjitha kompeticionet. “Ecuria ime është e mirë,” - theksoi Levandovski, i cili u stërvit të djelën, me pjesën tjetër të ekipit. Shokët e ekipit të tij të Bayern, Mats Hummels dhe  Jerome Boateng, gjithashtu, kanë pasur probleme dëmtimi, ndërsa Javi Martinez është i pezulluar.

 

Humbja 3-0 në Torino...Barcelona nuk është e pashpresë

“Edhe nëse do të kishim një për qind shans, me besim te Zoti, besoj se golat do të vijnë.” Neymar udhëhoqi Barcelonën në përmbysjen 6-1 ndaj PSG, dhe tani këmbëngul se ka sërish mundësi për të përsëritur të njëjtin sukses ndaj Juventus. Juve, pavarësisht se e fitoi 3-0 ndeshjen e parë në Torino javën që shkoi, ka ende në kokë përmbysjen e madhe të Barcelonës ndaj PSG. “Ata janë si peshkaqenë, nuhasin vetëm gjak,” – theksoi  Giorgio Chiellini.

Është e pamundur të dominosh një ekip si Barcelona, kështu që ka arsye për të besuar se katalansit mund ta përmbysin sërish humbjen e së mërkurës në  “Camp Nou”.  E para, Messi është super i motivuar. Siç u pa edhe në ndeshjen e fundit të kampionatit ndaj Real Sociedad, zemra e tij rreh më shumë për Champions League. Në ligë ai ka shënuar 29 gola dhe është në udhë të mbarë për të fituar trofeun e Këpucës së Artë, në kontinent.

Në Europë ai ka shënuar 11 gola dhe ndodhet vetëm dy gola larg rekordit: 500 gola me Barçën. Një tjetër faktor i rëndësishëm është rikthimi i Busquets, pa të cilin Barça vuajti në Torino. Me variantet taktike, Barça mund ta surprizojë Juven. Do të shohim një 3-4-3 apo 4-3-3, kjo mbetet për t’u parë.  Jordi Alba do të kthehet në XI-she, si një lojtar që mund t’i sjellë probleme Juves në linjën e dytë. Ai lidhet mirë me Neymar.

Kjo do t’i shkaktojë probleme Dani Alves. Sergi Roberto, gjithashtu, si ndaj Real Sociedad, mund të ketë një rol me rëndësi te Barça, 4-3-3. Gjithashtu stadiumi “Kamp Nou” është komfort për përmbysje të mëdha nga Barcelona. 7-0 kundër Celtic; 4-0 ndaj Manchester City; 4-0 kundër Borussia Monchengladbach; dhe, sigurisht,  6-1 ndaj PSG. Këto rezultatet që tregojnë potencialin e skuadrës së Luis Enrique në “Camp Nou”, stadium të cilin Barcelona e konsideron një zonë komode për përmbysjet e mëdha. Por a do të mund të bëj një gjë të tillë Barça këtë të mërkurë, ndaj Juventus, për ta barazuar apo përmbysur humbjen e kaluar 3-0?

Shpërndajeni me miqtë tuaj: