Biznesi i huaj: Punëtorët shqiptarë, të papërgatitur

Biznesi i huaj: Punëtorët shqiptarë, të papërgatitur
Pas biznesit austriak, edhe ai gjerman që operon në vendin tonë ngre disa problematika që ekzistojnë për kompanitë e tyre, kryesisht me kualifikimin apo arsimimin e punonjësve, për përmirësimin e të cilëve janë të detyruar që të paguajnë edhe vetë

I marrin në punë, por shpesh janë të detyruar që t’i trajnojnë vetë, pasi niveli i tyre arsimor dhe i kualifikimit lë për të dëshiruar. Duke kërkuar kështu, një investim shtesë përveç atij fillestar që një biznes i huaj ka programuar të hedhë në Shqipëri kur starton një aktivitet privat. Fjala është pikërisht për punonjësit shqiptarë të kompanive të huaja që ushtrojnë aktivitetin e tyre në vendin tonë, për shumicën e të cilave ata paraqiten si një forcë pune aspak e përgatitur sipas kërkesave. Dukuri kjo e bërë me dije nga vetë kompanitë gjermane në Shqipëri, ku vetëm 7% e të cilave mendojnë se “forca e punës në Shqipëri është e përgatitur mirë nga sistemi arsimor për kërkesat e tyre”. Një tregues në rënie ky, po ta krahasojmë me atë të një viti më parë, ku diçka të tillë e pohonin rreth 10% të këtyre kompanive.

“Pyetjes nëse forca e punës në Shqipëri është e përgatitur mirë nga sistemi arsimor për kërkesat e kompanive, 30% i janë përgjigjur me “Jo” dhe 64% me “Pjesërisht””, citon anketa e fundit i kryer nga Shoqata Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA) për klimën e biznesit dhe investimeve në Shqipëri.

Kurse 73% e këtyre kompanive e shikojnë si mundësi ofrimin e trajnimeve profesionale brenda kompanisë në përputhje me nevojat specifike të tyre. Për të shtuar gjithashtu edhe faktin se “arsimimi akademik; fleksibiliteti në të drejtën e punës; arsimi profesional; infrastruktura dhe kushtet për kërkim e zhvillim”, janë faktorët që tregojnë një rënie të lehtë krahasuar me një vit më parë.

Ndërkaq, një dukuri tjetër që bizneset e huaja të cilat operojnë në Shqipëri kritikojnë është edhe ajo e burokracive apo problemet me administrimin e klientëve. Konkretisht, kanë qenë kompanitë austriake ato të cilat e kanë vënë në dukje atë së fundmi, duke i shtuar këtu edhe një listë tjetër me mangësi që ai mendon se pengojnë rrugëtimin normal të një aktiviteti privat në Shqipëri, të tilla si korrupsioni apo mungesa e sundimit të ligjit.

Pikërisht për arsye të tilla, organizata “Advantage Austria Albania”, e cila përfaqëson biznesin austriak në vendin tonë, referon një perceptim mjaft të ulët për mundësinë e realizimit të investimeve të huaja, në nivelin prej vetëm 30% të kompanive që do donin të investonin në Shqipëri.

Madje, sipas rezultateve të këtij vrojtimi, 43% e bizneseve austriake mendojnë se situata ekonomike është përkeqësuar gjatë vitit 2016, ndërsa 72% e tyre mendojnë se situata nuk pritet të ndryshojë përgjatë këtij viti. Duke pohuar më tej edhe se zgjedhjet e parashikuara të mbahen për këtë vit, nuk do të shkojnë aspak në favor të situatës ekonomike në vendin tonë.

 

 

Gati gjysma e kompanive të huaja në Shqipëri, s’pret që t’i ndryshojë situata

Teksa gati një e treta e kompanive gjermane që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Shqipëri e vlerëson pozitivisht klimën e të bërit biznes, gjysma e tyre nuk shfaq ndonjë parashikim pozitiv se ajo ka për të ndryshuar në të ardhmen. Kjo është një dukuri tjetër që konfirmohet në raportin e fundit të Shoqatës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA). “Më shumë se një e treta e të anketuarve shikojnë përmirësim, ndërsa për pothuajse gjysmën, pritshmëritë mbeten të pandryshuara”, citon saktësisht ajo lidhur me një fakt të tillë. Duke dhënë kështu sinjalin se bizneset e huaja paraqiten jo fort optimiste për ndonjë përmirësim të mundshëm të situatës me të cilën ata kanë qenë të detyruar që të ushtrojnë aktivitetin e tyre privat në vendin tonë.

Të huajt, jo më gati që t’i shtojnë punonjësit

Kompanitë e huaja të cilat ushtrojnë aktivitetin e tyre në vendin tonë, duket se nuk janë më të gatshme si dikur për të shtuar “armatën” e punonjësve të tyre. Këtë e fakton edhe raporti i fundit i Shoqatës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA) për klimën e biznesit dhe investimeve, sipas të cilit, “gatishmëria për rritjen e numrit të punonjësve ka rënë lehtësisht në krahasim me një vit më parë”.

“31% e të anketuarve janë të gatshëm të rrisin numrin e punonjësve, ndërsa në vitin e kaluar 2016 ishin këta ishin 35%. Ndërkohë që 62% e tyre nuk planifikojnë ndryshime, krahasuar me nivelin prej 55% që ishin një vit më parë”, citon raporti në fjalë lidhur me një dukuri të tillë.

Për të referuar në këtë mënyrë jo vetëm vështirësinë me kualifikimin e forcës së punës që ata gjejnë në Shqipëri, por në të njëjtën kohë edhe atë të shtimit të saj, gjë e cila shoqërohet si pasojë edhe me shtimin e shpenzimeve.

Shoqëruar edhe me kërkesat e tyre për një situatë më të mirë financiare, stabilitet dhe siguri; paraqitur këto thuajse nga të gjitha bizneset e huaja që operojnë në vendin tonë, qofshin ato gjermane, austriake amerikane etj.

REAGIMI I AIDA-s

Pala zyrtare shqiptare duket se nuk iu bashkohet shqetësimeve të ngritura nga bizneset e huaja të cilat ushtrojnë aktivitetin e tyre në vendin tonë. Duke iu përmbajtur qëndrimit se tek ne ekziston një klimë e mirë e të bërit biznes. Konkretisht, ka qenë vetë drejtori i Agjencisë së Zhvillimit të Investimeve, Genti Beqiri, i cili gjatë tryezës së fundit me biznesin austriak deklaroi se e keqja mund të jetë vetëm tek shembujt. Porse në thelb, sipas tij, situata për tërheqjen e investimeve të huaja në vendin tonë paraqitet pozitive. “Reformat më të rëndësishme janë duke kaluar. Ne kemi gjithashtu një bazë ligjore të plotë sa u përket investimeve strategjike. Edhe AIDA shërben si një One Stop Shop për bizneset”, tha Beqiri.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: