Borxhi i Flamurtarit, çështja “Gjoka” në CAS

Borxhi i Flamurtarit, çështja “Gjoka” në CAS
Konsiderohet shansi i fundit për mbijetesë. Në Vlorë e kanë të qartë se Flamurtarit i duhet të fitojë këtë javë ndaj Vllaznisë, ndryshe rënia në një kategori më poshtë do të jetë e pashmangshme. Por para përballjes me shkodranët, Flamurtari ka përfunduar në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, Lozanë. Klubi vlonjat i është drejtuar shkallës më të lartë të drejtësisë sportive, për një borxh prej 45 mijë eurosh ndaj trajnerit Ernest Gjoka.

Tirana ishte klubi i parë që regjistroi një precedent në Shqipëri, pasi zgjodhi të mos e paguajë më herët shifrën prej 102 milionë lekësh, që pretendohej si detyrim nga ish-mesfushori Gjergji Muzaka, duke e dërguar çështjen në CAS. Edhe Flamurtari vendosi të ndjekë të njëjtën rrugë, për çështjen “Ernest Gjoka”. Shifra prej 45 mijë eurosh, që lidhet me punën e trajnerit Ernest Gjoka në sezonin 2013-’14, ka shkaktuar jo pak polemika dhe akuza, ndërmjet administratorit të klubit Sinan Idrizi, ish-kryetarin e bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, si dhe administratës aktuale të këtij institucioni.

Administratori i Flamurtarit nuk e njeh borxhin ndaj trajnerit Gjoka, duke e cilësuar si një detyrim të bashkisë. Për një rast të ngjashëm, për rrogat e pashlyera ndaj disa lojtarëve si të Veliut, Sakajt dhe Arbrit, ekipit vlonjat iu hoqën 6 pikë në renditje nga Komisioni i Disiplinës, çka e ka vendosur atë, aktualisht, në pozita të vështira mbijetese. Por për të shmangur heqjen e të tjera pikëve, për rastin Gjoka, që do të ishin fatale në garën për mbijetesë, çështjen “Gjoka” në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, vlerësohet si një mënyrë për të fituar kohë deri në mbyllen e këtij kampionati.

Administratori i klubit, Sinan Idrizi, kërkon prej kohësh kryerjen e privatizimit të klubit, ndërsa  bashkia e Vlorës pretendon që në shitjen e aksioneve të klubit të mos përfshihen asetet, pronat dhe terrenet. Gjithsesi, drejtuesit vlonjate, në javët e mbetura, kërkojnë të shmangin, me çdo kusht, humbjen, duke ndërtuar edhe strategjinë me rastin e trajnerit Gjoka.

Fitorja e mundshme e Flamurtarit, do të vinte në pozita të vështira tre ekipet të tjera, Laçin, Tiranën dhe Teutën. Laçi me një pikë më tepër se Flamurtari, pret Skënderbeun në shtëpi. Tirana ka katër pikë më tepër se Flamurtari, por do të jetë mysafire në Kukës. Teuta do vihet përballë Partizanit në kryeqytetet, çka pritet të komplikojë ndjeshëm pozitat e këtyre dy ekipeve për mbijetesë.

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: