Bujar Asqeriu: Arti i zgjati jetën diktaturës, sot teatrot janë “ku thërret qameti”

Bujar Asqeriu: Arti i zgjati jetën diktaturës, sot teatrot janë “ku thërret qameti”
 

 

Aktori i madh Bujar Asqeriu, ka realizuar 120 role në teatër dhe film. Me temperamentin e tij prej djalë Vlore, e nisi karrierën si aktor në Teatrin e qytetit bregdetar për 18 vite, e më pas aktor kryesor në shumë role në Teatrin Kombëtar. 40 vite në skenë dhe ekran, edhe sot Bujar Asqeriu është nga figurat më të vlerësuara të artit skenik në Shqipëri. Pas suksesit me rolin në “Familja Tot”, aktualisht ai është i impenjuar me turne në Shqipëri me komedinë “Gjeneral dhe playboy”. Në këtë intervistë, Bujar Asqeriu na jep një vështrim kritik dhe ndjesor mbi artin dhe shoqërinë.

 

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

 

Ju jeni një aktor me 120 role, në film dhe teatër. Cili është kontributi i artit në shoqërinë shqiptare dhe si e shikoni sot?

Sot kam dhimbje! Arti zbut dhe shëron shpirtin! Sot shikoj, me keqardhje, që njerëzit kanë shpirtin në krizë. Shpirti i vrarë çon në demotivim; demotivimi sjell humbjen e kurajës, humbjen e dëshirës për punë, humbjen e dëshirës për të bërë gjëra të bukura dhe detyrimisht lind kriza. Kriza çfarë sjell? Sjell urrejtje, pakënaqësi, trazira, sjell ngushtësi, jo mirëqenie, të gjitha të këqijat sjell. Harrojmë që ne, një popull kaq i vogël, kemi të njëjtin atdhe, të njëjtin det, tokë, mëmëdhe, e grindemi, hahemi, shqyhemi për gjëra të pamotivuara dhe, sigurisht, në këto raste, fajin kryesor e ka politika, për mendimin tim. Politika duhet të japë sinjale respekti për njerëzit. Institucionet e kulturës, pra, politika, shteti duhet të përkrahin zbutësin e shpirtit, artin!

 

Ku janë institucionet e kulturës, sot, lidhur me këtë rol?

Në këtë kuptim duhet bërë shumë për artin. Arti jo vetëm mban në formë shpirtin njerëzor, por dhe i motivon ata për të bërë mirë. Unë them që investohet, jashtëzakonisht, shumë pak. Ne, sot, jemi në një kohë që duhet të kishim alternativa të shumta teatrale, duhet të investohej në kinema. Prodhohet një film dhe qytetet tona, janë pa kinema. Kinematë janë kthyer në magazina apo ku ta di unë se çfarë. Konkretisht, unë jam në rol kryesor në shfaqjen “Gjeneral dhe Playboy” të Bujar Kapexhiut. Shumë detaje nga teatrot në rrethe, nuk i dija. Por kur i shikon nga afër, të bëjnë shumë përshtypje. Shfaqjet e para ishin në Tiranë, në Teatrin e Metropolit, që mua mu duk si teatër në rrethim, me ca vrima teatrale do i quaja, se ato vetëm skena nuk janë. Hapësirat ku të thërret qameti! Publiku duhet të kalonte pengesa e ngushtica për të shkuar në sallë. Aktorët duhet të kalonin në disa tunele për të shkuar tek skena. Nuk e kuptoj, domethënë, këtë fantazi të këtyre njerëzve që ne, ende, bëjmë shfaqje si nëpër bunkerë dhe tunele. Pas kësaj, shkuam në Shkodër. Mirë e bukur, ishte lyer e ujdisur nga jashtë Teatri Migjeni! Futemi brenda dhe ishin, akoma, ndenjëset e 30 viteve më parë. E tmerrshme! Jepen fonde dhe unë nuk e di, jepen me një dorë apo jepen me dy duar, merren me një dorë apo merren më dy duar; unë këtë nuk e di! Por këtë nuk e konceptoja dot. Gjithsesi, artistët dhe publikun shkodran, dua ta falënderoj që na mirëpritën, si dhe drejtoreshën e teatrit “Migjeni”, Rita Gjekën!

Vijmë pas Shkodrës, në Durrës në teatrin “Aleksandër Moisiu”, nga më të njohurit. Ç’t’u them! E tërë prapavija dhe artistët nuk kishin tualet. A mund të flitet këtu për një teatër bashkëkohor? Pa diskutuar dushet, dhomat e provave, dhomat e grimit, të veshjeve. Ne të gjithë në tufë atje si bagëti, në një kabinë meshkujt e në një kabinë femrat. Akoma kështu do vazhdohet? Ku shkojnë fondet? Si mund të mos investojë bashkia në institucionin më të madh të kulturës së një qyteti? Mua kështu më lind një pikëpyetje shumë e madhe. Ku shkojnë taksat e qytetarëve? U mjaftova vetëm me këto dy lëvizje që unë të shikoja nga afër problematikat me sytë e mi.

 

Këto kushte të teatrove, ndikojnë edhe tek publiku?

Sigurisht! Prandaj publiku bëhet i ftohtë ndaj shfaqjeve. Bëj shfaqje sa të duash të bukura, ai nuk të vjen. Në të ftohtë, pa kushte, po nuk qe komod, nuk vjen. Publiku vjen në teatër të largojë lodhjet, streset, vjen të kënaqet, të argëtohet.

 

Statusi i artistit është shqetësim që e kam hasur ndër artistë. Cili është mendimi juaj?

E kemi ngritur, disa herë, punën e statusit të artistit, edhe në prani të ministres së Kulturës, por nuk e di ku ka ngecur puna dhe, ende, nuk është bërë asgjë. Nuk e di kë thërrasin, kush jep mendime, kush propozon apo jep mendime. Por ka edhe një problem tjetër, po aq të rëndësishëm. Mosvlerësimi financiar i titujve që ne kemi marrë nga Presidenti i Republikës. Vlerësohen në Shqipëri titujt shkencorë, profesor, profesor/doktor, asistent/profesor etj., dhe titujt më të lartë artistikë, nuk vlerësohet. Atëherë, çfarë hierarkie kërkojmë të kemi? Hierarkia në art nuk bëhet thjesht me letra e me medalje në gjoks, por me vlerësim material, si në gjithë botën. Nuk ka në botë çmime për freski, pa vlerë, vetëm honorifikë. Ne ende vazhdojmë edhe sot, si dje, me fletët e lavdërimit.

Aktorët në Shqipëri nuk kanë qenë kurrë të shpërblyer si duhet materialisht. Por vazhdojnë punojnë me sakrifica. Si e shikoni shpërblimin e aktorëve?

Unë kam 40 vite në skenë e film, kam lidhur jetën me këtë profesion, edhe sikur pa bukë të na lenë, unë do merrem me art derisa të mbyll sytë! Ne aktorët nuk jetojmë dot pa atë magji që quhet skenë! Pa atë magji, si sheshi i xhirimit. Por kontributet dhe vlerat tona, duhet të përfillen e jo të shpërfillen. Të vlerësohen e jo të zhvleftësohen. Dhe kjo sa jemi gjallë. Kujtoj kolegët e mi të cilët, edhe kur largohen nga kjo botë, nuk duan ceremoni zyrtare. Pse nuk e duan thoni ju? Sepse nuk duan hipokrizi, nuk duan mosvlerësim, buqeta lulesh, kot! Ja, për këtë nuk e duan.

 

Një aktor i kalibrit tuaj jashtë Shqipërisë, do të kishte të tjera kushte...

Po të them, unë që kam 120 role, nga të cilat 80 në teatër, edhe në vendin më të prapambetur të isha, duhet të mos punoja më e të kisha siguruar fëmijët. Unë jam i gatshëm të punoj, të vrapoj, të lodhem, sa të kem shëndet, sa të kem frymë, por ju bëj një thirrje institucioneve: Ktheni sytë nga artistët, mos boshatisni shpirtin dhe trurin e njerëzve!

Nëse sistemi i diktaturës zgjati, jetoi, rezistoi deri në grahmat e fundit, ishte sepse investohej në art, në kinema. Ishte ai art që i zgjati grahmat atij pushteti. Ata nuk ishin budallenj. Imagjinoni çfarë fuqie dhe vlere ka arti. Kur i zgjati jetën një diktature të egër, mendoni sot. Sot do zbuste shpirtrat. Shikoni sytë e njerëzve. Sy të egër, si pa dritë, jo të qeshur, sy pa jetë! E përse duhet të jetojnë shqiptarët kështu, kur sikur vetëm ujë të shesin nga burimet tona përrallore, shqiptarët jetojnë mrekullisht, aq vend i vogël e i pasur jemi! Por mendja, ku ta gjemë mendjen. Ne jemi, ende, në kërkim të mendjes.

Ne na vjedhin, na grabisin, siç u vodh prona private, siç u vodh pasuria kombëtare, po vidhet çdo gjë. Jemi në një sistem të ngritur mbi bazën e grabitjes dhe vjedhjes.

 

Brezave të rinj, çfarë do t’u mësonit nga eksperienca juaj?

Themelore, për mua, është solidariteti, respekti për njëri-tjetrin. Vërtetë unë mund të mos kem talent më shumë nga kolegu dhe kolegia, por duhet të vlerësoj kolegun, duhet të bashkëpunoj me të, të rris nivelin tim, çdo ditë e më shumë. Duhet bashkëpunim, aq më tepër që në kinema dhe teatër punohet në grup. Pa këtë solidaritet dhe bashkëpunim, nuk mund të kesh rezultat, pa dashamirësi ndaj njëri-tjetrit. Ka shumë rëndësi dhe modestia. Mundesh që në fillimet e karrierës të kesh një hop cilësor e të kesh një rol të goditur, por mos e mendo asnjëherë që ke kapur majën dhe kulmin. Puno çdo ditë e nga pak, që të mbash këtë gjendje cilësie. Sidomos në mjetet shprehëse të aktorit, mjeshtërinë e aktorit që nuk duhet të ndryshket asnjëherë. Ato duhen mbajtur gjithmonë në gjendje punë e të eksperimentosh, vazhdimisht, e të guxosh gjithmonë.

Cili është raporti juaj me mirënjohjen?

Unë nuk mund të harroj pedagogun tim të parë, pa ardhur ende në akademinë e arteve, Piro Sava, i cili kishte shumë besim tek unë, që më përgatiti dhe për konkursin, ose pedagogët Esat Oktrova, Birçe Hasko, Gëzim Kame, Anastas Kristofori, Sandër Prosi dhe të gjithë regjisorët që janë shumë dhe janë më të mirët.

Në rolet tuaja kanë mbizotëruar ato pozitive..

Kam dhe role negative, disa, por unë të keqen dhe të mirën e kam parë gjithmonë bashkë se dhe ai që bën të keqe e bën se e koncepton si të mirë për veten. Dua të theksoj se është shumë e rëndësishme për një artist, si një vlerë të shtuar në qenien time, besimin tek Zoti. Është një vlerë shumë e madhe besimi. Këtë besim e kam ndjerë si një ushqim shpirtëror të natyrshëm. Unë ndjeja që në qenien time, mungonte diçka dhe kur kuptova në thellësi se sa shumë Zoti ka bërë për njerëzit, sa shumë mesazhe ka dhënë për paqen dhe dashurinë, kuptova se besimi e bën njeriun, shumë herë më të mirë. Arti pa energjinë e Zotit, nuk ka kuptim. Skena është si një vend i shenjtë ku publiku merr mesazhe të rëndësishme për jetën. Publiku qesh dhe qan me ne artistët.

Sa ke mbi vete nga temperamenti vlonjat në aktrim?

Unë kam qenë 18 vite në teatrin e Vlorës. E më pas 20 vite në teatrin Kombëtar. Vlora më dha energjinë. Ai deti nuk është vetëm një det i kaltër, i bukur, por të jep sensin e lirisë, sepse mbi det nuk ka gardhe, nuk ka gjemba e këtë ndjesinë e detit e morëm që fëmijë. Morëm bukurinë, thellësinë, kalitëm fizikun dhe karakterin. Unë nuk zija peshk vetë, por kënaqesha duke kundruar peshkun që përpëlitej. Mesdheu, përgjithësisht, ka energji të mëdha dhe mendoj se këto energji, që në fillimet e mia, i kam derdhur, me shumicë, në skenë dhe ekran, dalëngadalë i krijova raportet më të ekuilibruara me të menduarit dhe emocionet. Në fillimet e mia, isha më tepër emocional, por dalëngadalë krijova një ekuilibër, sepse në aksionin skenik aktorin duhet ta udhëheqë ana racionale, mendja dhe më pas, në mënyrë të pavullnetshme, vijnë dhe vishen emocionet. Aktori nuk duhet të shtrëngohet që të sjellë një emocion apo një tjetër, por duhet të transmetojë një mendim e duke bërë këtë, nga fuqia e mendimit, vjen natyrshëm edhe emocioni.

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: