Dastid Miluka: Femra dhe dashuria, të dyja magjike dhe të panjohura

Dastid Miluka: Femra dhe dashuria, të dyja magjike dhe të panjohura
Intervistë me piktorin Dastid Miluka, i cili ka lindur në Tiranë por jeton dhe punon prej shumë vitesh në Belgjikë. I cilësuar nga kritika si një prej piktorëve më të talentuar në Europë, numëron me dhjetra ekspozita në Belgjikë, Francë, Zvicër etj, Dastid Miluka rrëfen për Albanian Free Press historinë e tij dhe pasionin për të bukurën në art dhe në jetë.

Intervistoi për Albanian free Press, Juela Meçani

Dastid, ju i përkisni brezit të argjendë në artin shqiptar. Me një sy nga diktatura e me fytyrë nga perëndimi. Sa jeni ndikuar nga kjo?

Nuk e kisha menduar në fakt që brezi ynë e paska pasur dhe ngjyrën e tij dhe të them të drejtën po më pëlqeka. Gjithsesi jashtë humorit mund të them që sigurisht që ka pasur ndikim. Unë kam dalë nga një shkollë me ndikim të fortë të shkollës së lindjes dhe të realizmit socialist të asaj periudhe dhe ka kjo ka pasur të dy anët e medaljes, pozitive dhe negative. Nëse marr anën pozitive them që na ka edukuar mënyrën e të parit. E them këtë pasi kemi punuar shumë teknikisht në atë periudhë me modele të cilat kërkohej rigorozisht të ishin sa më afër reales. Kjo ka anën e saj pozitive pasi të jep mundësi të perfeksionosh anën teknike të profesionit. Në anën tjetër ishte negative pasi orientimi i kësaj shkolle ishte tepër strikt dhe i mbyllur. Kjo bënte që ky lloj edukimi të kushtëzonte tërësisht dhe të mos të jepte mundësinë të shikoje se ç’bëhej përtej kufijve dhe se si ishte zhvilluar arti modern dhe se ne ç’drejtim ecte arti bashkëkohor. Siç e thash, kjo medalje ka dy anët e saj dhe kjo nuk ka se si të mos ndikonte në formimin tim të mëvonshëm. Mendoj se jam përpjekur të marr gjithmonë atë ç ‘ ka është më pozitive prej kësaj.

 

Jeni larguar drejt Belgjikës në vitin 2003, emigrim i vonë, sa vështirësi patët?

Të qenit emigrant nuk hyn tek gjërat e mrekullueshme që mund të ndodhin në jetë. Dihet që të rifillosh jetën nga e para nuk është asnjëherë e lehtë.  Shkon të jetosh në një vend ku duhet të fillosh së pari ta njohësh, kuptosh dhe të fillosh të komunikosh në një gjuhë të re, të njohësh një kulturë dhe histori tjetër dhe të përshtatësh një mënyrë jetese të re.  Në vazhdim duhet të gjesh vendin tënd në këtë shoqëri  dhe të integrohesh e të bëhesh pjesë e saj duke kontribuar me më të mirën tënde. Janë një sërë procesesh e pengesash të ndryshme cilat duhen njohur e kaluar dhe kjo e bën edhe interesante të gjithë «procesin emigrues» por asnjëherë të lehtë.

Brukselin e zgjodhët apo ju zgjodhi?

Të dyja. E zgjodha fillimisht për ta vizituar por më zgjodhi pasi më “mbajti” këtu. Ka një diçka mistike apo magjike ky qytet. Fillova shpejt të zbuloj muzetë, të provoj shijet dhe të ndjej mundësitë që vendi më ofronte, mundësi që në atë kohë nuk mund të them që mund ti gjeja në Shqipërinë e atyre viteve.

Brukseli më tërhoqi me surealizmin e tij. Është një qytet ku ka një traditë të madhe në disa fusha të artit dhe për me tepër të atij figurativ. Po ashtu ofron një pozicion tepër të mirë pasi është afër kryeqendrave të mëdha evropiane, siç është Parisi, Londra apo Amsterdami. Po ashtu është një qytet që kohët e fundit ka një energji në rritje përsa i përket artit figurativ ndaj është dhe vazhdon të mbetet artistikisht tepër atraktiv.

 

Ju ka mirëpritur komuniteti i piktorëve belg?

Them se po. Ka diçka në fakt. Nëse flasim për artin dhe këtë figurativ të cilin unë e njoh më mirë, mund të them që është një lloj arti i cili është tepër individual në ndryshim nga gjinitë e tjera të artit, fjala vjen, muzika, e cila ka një zhvillim në grup, pra orkestër. Arti figurativ dhe në këtë rast piktura,  është një proces që kërkon një kohë të sajën më individuale. Takimet pastaj bëhen nëpër aktivitete artistike siç janë ekspozitat apo panairet e mëdha të artit. E kam fjalën që ne si artistë pamorë e kalojmë pjesën më të madhe të kohës në studio, ndërsa takimet me kolegë dhe komunitetin e piktorëve është kënaqësia e ekspozimit dhe vendosjes krah për krah të punimeve. Momentet e tilla me kolegë dhe artiste janë të veçanta.

Pikturat tuaja dallohen për ngjyra të forta, veçanërisht e kuqja dhe ngjyra blu. Pse?

Them se kam pasur një raport të mirë me ngjyrën që në fëmijëri. Pra mendoj se vjen që nga ajo periudhe dhe jam rritur me ngjyrën kudo përreth meje. Pastaj zbulimi në pikturë gjatë periudhës se liceut të artit impresionist, fauvist dhe ekspresionist do bënte që të vazhdoja në mënyrën më natyrale hulumtimin e mundësive pafund që ngjyra jepte. I dua ngjyrat dhe mundohem të marr prej tyre maksimalen e mundshme.

Sa nga Shqipëria keni në punimet tuaja?

Që në momentin që unë vij nga Shqipëria them që Shqipëria është shumë brenda meje. E konsideroj veten si një krijues që është shumë i lidhur me vendlindjen. Jam larguar nga Shqipëria në një moshë kur karakteri im si individ por dhe si artist ka qenë i formuar që atëherë dhe gjithçka është e ruajtur brenda meje. Nuk ka se si mos të jetë e pranishme. Edhe sikur mos të desha, prapë vendlindja do të mbetet gjithmonë me mua.

Jeni cilësuar si një nga piktorët më të talentuar në Europë. Cilat janë temat që hidhni më shumë në telajo?

Nuk e di në mund të quhem si i tillë por gjithsesi për mua është i rëndësishëm procesi i krijimit. Pastaj, temat që më ngacmojnë janë nga më të ndryshmet megjithatë mendoj që ndjehem më tepër i tërhequr pas njerëzores, marrëdhënies me vehten, me të ngjashmin apo dhe me habitatin apo natyrën ku jeton. Besoj që janë tematika këto të cilat kanë një fokus dhe gjejnë një vend qendror në gjithë krijimet e mija. Kam një prirje që të udhëtoj në mënyrën time duke i prekur herë pas here këto gjendje pa u munduar të jap definicione të caktuara. Për mua mbetet e rëndësishme pjesa e hulumtimit dhe prekjes së ndjesive të krijuara gjatë procesit të krijimit dhe marrëdhënies që vendoset ndërmjet personazheve apo situatave të ndryshme në të cilat këta ndodhen. Janë punime të cilat duken sikur ndjekin njëra tjetrën në një cikël spirali historik. E shikoj në tërësi si një cikël tregimtar apo rrëfyes, i cili lidhet njëri pas tjetrit me një fill të padukshëm por ndjesor. Më pëlqen ta lë veten të lirë në përzgjedhje dhe ti besoj instinktit në gjendjen fillestare dhe më pas të vazhdoj ta zhvilloj idenë deri në përfundimin e një krijimi të radhës. Pra, e shikoj si një krijim që në kohë merr forma të ndryshme. Për mua ka rëndësi që kjo të zhvillohet si një proces i lirë dhe bashkë me të dhe komunikimi i këtyre veprave me publikun.

Ju pikturoni shumë mbi dashurinë, mbi femrën. Është një nga temat më të dashura?

Po. Them se ka qenë dhe vazhdon të jetë pjesa qendrore e punës sime aktualisht. Ajo çfarë për mua është më e rëndësishme dhe që mbetet thelbi edhe në krijim është koncepti mbi dashurinë. Është dashuria elementi kryesor që vë apo më saktë duhet të vendosi në lëvizje çdo gjë. Vetë dashuria komunikon në mënyrën më  artistike të mundur pasi ajo flet me gjuhën e ndjenjës.

Ndërsa femra formëzohet në krijimet e mija si shëmbëllimi më i saktë i asaj pjese njerëzore të cilën ne e njohim, ashtu siç ajo vjen dhe me pjesën e saj të panjohur. Ajo vjen me bukurinë trupore dhe mistikën e qenies dhe të krijimit pasi ajo është vet krijimi duke qenë në të njëjtën kohë ajo vet krijuese. Ferma është inspiruese me gjithçka që ajo sjell në subjekt apo në formë dhe me tërë ekuilibrin që ajo krijon.

Femra dhe dashuria kanë diçka thelbësore të përbashkët. Magjinë. Ato janë të dyja magjike dhe të panjohura. Unë mundohem ti njoh nëpërmjet punës sime, sigurisht aq sa mund të njihet diçka që valëzon në një dimension më superior nga hapësira dhe koha në të cilën jetojmë. Personalisht mua më bëjnë të ëndërroj në kohën e ardhme dhe ky është një udhëtim që vërtetë e shijoj pafund.

Keni ndonjë piktor të njohur botëror si frymëzim?

Të shumtë kanë qenë dhe janë piktorët ashtu si kompozitorët apo edhe shkrimtarët që më kane frymëzuar dhe më frymëzojnë. Do ishin të shumtë nëse do ti rendisja tani të gjithë njëri pas tjetrit por po citoj ata që kanë pasur një impakt tek unë në momentin e parë që ende në moshë të vogël u gjenda para punimeve të tyre.

Nuk mund të mos kujtoj qiejt blu të turbulluar dhe fushat e verdha në të artë të Van Gogut. Format dhe deformizimin estetik plot forcë e ngjyrë të Picassos. Ëmbëlsinë dhe dlirësinë në ngjyrat dhe format e Matisse, poezinë tek dashnoret fluturues të Chagal, lojën fëminore të pikturës së Paul Klee, artin nouveau të Gustav Klimt, nudot e Modiglianit dhe  fluturimet në ëndrrat e Salvador Dali.

Janë vërtet të shumtë artistët që me artin e tyre më kanë bërë të ëndërroj. Po e mbyll shprehjen : “Thank God for Art”

Mbani kontakte me miqtë tuaj? Vini shpesh në Tiranë?

Po, sigurisht që i mbaj kontaktet. Kam këtu familje, miq dhe shokë, të cilët mundohem ti takoj sa herë që vij. Në fakt do të doja të vija më shpesh pasi duket gjithmonë sikur çdo herë nuk është aq e mjaftueshme sa duhej të ishte.

Pas dhjetëra ekspozitave në Evropë, kur do ketë një të tillë në Tiranë?

Është pyetje që ma kanë bërë gjithmonë në fakt, prej disa vitesh tashmë. Më besoni që është pyetje që ja kam bërë po aq herë dhe vetes. Besoj se shpesh dëshirat që kemi me mundësitë reale nuk janë përherë shoqëruesit më të mirë. Gjithsesi, shkurtimisht mund t’ju them që do të jetë patjetër një ekspo në Tiranë në momentin kur të gjithë faktorët ndikues të jenë bërë bashkë në kohën e duhur. Do të jetë kënaqësi për mua ky moment.

Çfarë do doje të ruaje nga Shqipëria e viteve '90?

Vitet 90 kanë qenë vite të ëndrrave dhe ndryshimeve të mëdha. Them ndryshime duke iu referuar ndryshimit të sistemit ndërsa unë personalisht në atë periudhë kam qenë në një moshë kur gjithçka të duket e mundur dhe kjo kishte lidhje me të dyja faktet që përmenda me sipër. Kishte një etje të madhe nga brezi ynë për të zbuluar atë që kishte qenë e ndaluar asokohe. Kishte kureshtje dhe dëshirë të madhe për të parë dhe zbuluar të tjera kultura, mënyra jetese. Dëshirë dhe kureshtje për të eksploruar dhe prekur me dorë atë që deri në atë kohë ishte thjesht e pa arritshme për shkak të kushteve. Ne i përkasim një brezi që jetoi një moment ndryshimi të madh dhe ky moment ishte i shoqëruar me plot ëndrra për të ardhmen. Unë vazhdoj ta ruaj atë ëndërr.

Cilat janë planet tuaja të afërta? Keni ndonjë ëndërr në sirtar?

Puna e një artisti është e ndarë në dy etapa kryesore. Është një periudhë e cila përfshin punën në studio dhe periudha e dytë është ajo e shfaqjes se këtyre punimeve në publik. Pas ekspozimeve disa vjeçare aktualisht jam duke punuar një cikël te ri dhe kjo do të marrë dhe kohën e vet. Pra aktualisht ndodhem në etapën e parë. Piktura ime klasifikohet si pikturë figurative gjë që përkufizon qartë se konceptimi dhe realizimi i punimeve merr një kohë të konsiderueshme disa ditore apo shpesh herë dhe disa mujore. Kjo është dhe arsyeja kryesore që kushtëzon dhe planifikimet e mia në kohë.

Përsa i përket ëndrrave mund të them që kam shumë ëndrra. Nuk do dija ç’të bëja dhe do të isha vërtetë i shqetësuar nëse nuk do të kisha të tilla. Fatmirësisht janë aq shumë, sa do më duhet ti mbyll të gjitha jo vetëm në një sirtar por në disa sirtarë të ndryshëm për të mos i ngatërruar me njëra tjetrën.

Ajo që unë shpresoj është që të marr ëndrrën e duhur nga sirtari i duhur në kohën e duhur.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: