Denada Bare: Jeta ime, simbiozë mes artit dhe biznesit

Denada Bare: Jeta ime, simbiozë mes artit dhe biznesit
 

  Një intervistë me Denada Bare, një nga emrat e dashur të ekranit për shumë vite, si një kantautore dhe performuese e spikatur dhe shumë moderne për kohën. Denada, që sot drejton kompaninë e saj në Zvicër, na tregon rrugëtimin nga muzika drejt biznesit.

 

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

 

 Ju jeni një nga të paktat kantautore në panoramën e muzikës shqiptare. Kur filluat të shkruani muzikë?

Lidhja ime me muzikën në përgjithësi ka nisur që në moshën 6 vjeçare, kur studioja violinë, për të vazhduar më tej në vitet e Liceut Artistik e të Akademisë së Arteve. Sigurisht, përgjatë këtyre viteve, kam studiuar muzikë klasike, ndërsa lidhja me muzikën e lehtë apo moderne, nisi kur isha studente në vitin e fundit të Akademisë së Arteve. Ky fakt u bë më ekzigjent pas mbarimit të Akademisë, kur fillova punë si redaktore e muzikës se lehtë pranë Radio Televizionit Shqiptar. Aso kohe, nisa të shkruaj tekste dhe muzikë për këngë, me të cilat jam prezantuar si kantautore, fillimisht në festivalet e këngës në RTSH dhe në koncertet e pranverës në RTSH. Me tej, lidhja ime me muzikën e lehte, u konsolidua, duke u shndërruar në stil jetese dhe dashuri më vete; unë vazhdova  të shkruaj këngë e të performoj në vitet e mëvonshme në projekte të ndryshme muzikore, si p.sh tek dy albumet e mia muzikore, apo në evente të ndryshme të muzikës së lehte si : Top Fest, Kënga Magjike, Poli Fest (Prishtine), videoklipe etj.

E keni nisur karrierën në muzikë që kur ishit studente. Dhe u vlerësuat shumë mirë. Çfarë kujtoni nga ajo kohë?

Nga ajo kohë ruaj emocionet më të bukura e mbresat më të pashlyeshme. Kjo lidhet me faktin se kam bashkëpunuar me emra të mëdhenj të muzikës së lehtë shqiptare si : Alfred Kaçinari, Gazmend Mullahi, Selim Ishmaku etj, si dhe me faktin se të dilje në skenë në atë kohë, ishte tepër e vështirë dhe duhej të kaloje nëpër filtrin e komisioneve të RTSH-se e të fitoje simpatinë apo mbështetjen e publikut, që për hir të së vërtetës, ishte me shije tepër të hollë, me sqime delikate, disi noprane e konservatore. Pra në atë kohë, nuk ishte aq e thjeshtë të mbartje emrin artist i muzikës së lehtë; sita ishte tepër e hollë, skena e Festivalit të Këngës në RTSH dhe e Koncerteve të Pranverës ishin të shenjta  dhe ishte privilegj që të performoje në to.

Kënga “Pegaso” ishte hera e parë e imja, që merrja pjesë në Festivalin e Këngës si poete dhe ka qenë një  përjetim dhe emocion që do mbetet gjatë në memorien time, si një gur fillestar që shënjoi rrugëtimin tim në botën e muzikës së lehtë.

Pas shumë sukseseve erdhi largimi juaj për një shkollim në biznes jashtë shtetit, pse ndodhi ky ndryshim kursi?

Është e vërtete se për një periudhë të shkurtër, pas mbarimit të studimeve dhe punës sime si redaktore dhe gazetare e muzikës së lehtë në RTSH, unë depërtova shpejt në muzikën e lehtë dhe pata një periudhë vërtetë  intensive angazhimesh artistike që do të mbetet një nga periudhat më të bukura të jetës sime. Gjithashtu, në atë kohë, për një periudhë të shkurtër, kam punuar edhe si gazetare në redaksinë kulturore të gazetës "Koha Jonë".

Me tej erdhi vendimi për t'u larguar në Gjermani, i cili kishte lidhje me një dëshirën time të hershme për t'u shkolluar në perëndim dhe me faktin se vendi im po kalonte një periudhë të vështirë historike. Ishte viti i trishtë dhe "i mbrapshtë" '97, atmosfera e të cilit, më bëri mos ta gjeja më veten në realitetin shqiptar dhe kështu "u arratisa".

Udhëtimin jetësor në Evropë, e nisa nga pika zero; nuk isha më ajo vajza e privilegjuar dhe e njohur në rrethet artistike në Tirane. Unë tashmë, në atë vend, isha një person i panjohur nga askush në shoqërinë gjermane dhe e vetmja mbështetje ishin forca ime, vullneti dhe ambicia ime. Madje kur kam arritur atje, nuk dija asnjë fjalë gjermanisht. Pra me duhej një përpjekje titanike, që të realizoja çdo gjë, e të arrija aty ku doja.

Nuk e di se ç’trill i fatit, apo i mendjes, më bëri që të mikloj botën e biznesit, por ndoshta jetesa atje, që më bëri të shihja e të e prekja dimensione të tjera, të cilat nuk i ofronte jeta në Shqipëri, për shkaqe të ditura tashmë, vendosa të studioj për biznes. Kam kryer studime për biznes në Hamburg dhe në Vienë, një master për administrim biznesi dhe menaxhim në Sion të Zvicrës, si dhe në "Neë York University" Tiranë. Biznesi është një fushë lukrative, ku ndërthuren energjia, përkushtimi, kreativiteti, pasioni dhe ambicia, karakterisika të cilat i shoh edhe si pikëtakime me artin dhe ndoshta karakteri im dhe natyra ime eksentrike, që preferoj sfidat, më orientoi drejt botës së vështirë, por edhe të bukur të biznesit.

U kthyet në Shqipëri me dhimbje. babai juaj i shtrenjtë, përkthyesi i njohur, Lili bare humbi jetën. Si e kujtoni sot atin tuaj?

I shtrenjti ati im, Lili Bare, ishte një njeri i rrallë. Jo se ishte babai im, por ashtu si e njohin të gjithë dhe për atë që ai ishte realisht, ai ishte vërtetë një person unik, me një dije dhe inteligjencë të jashtëzakonshme, energjik, punëtor, i qeshur, karizmatik, me mjaft humor dhe me një zemër te madhe. Im atë ka qenë një mbështetje dhe frymëzim ne jetën time, si askush tjetër dhe për mua, humbja e tij, ka qene një ndër gjerat me të trishta e të dhimbshme të jetës...  Ai kishte një shije tepër të hollë për artin dhe muzikën, edhe pse studimet e larta, i kreu për inxhinieri. Mbaj mend që kishte disqe të tëra gramafoni, të muzikës klasike, të cilat i kishte marrë nga Rusia, në  kohën kur studionte atje. Gjithashtu lexonte pafund dhe gjithë kohës në shtëpinë tonë, që nga fëmijëria, kemi pasur një bibliotekë në të kater faqet e murit të një dhome dhe im atë me nxiste mua dhe motre sime, që në moshtë të vogël, që të lexonim sa më shumë.

Ju jeni bija e një njeriu të letrave dhe një mjekeje, nga kush mendoni se keni marrë më shumë?

Mendoj se nga të dy kam marrë inteligjencën dhe ambicien, dëshirën dhe pasionin për artin dhe muzikën;  gjithsesi them që ndoshta pak me tepër nga im atë, kam marrë energjinë, karakterin ekscentrik, shpirtin e lirë dhe guximin. Ashtu si im atë,  jeta e të cilit ishte një simbioze e dy fushave të ndryshme ( inxhinieri dhe letërsi ) edhe  jeta ime është një simbiozë e artit dhe biznesit.

Si e shikoni tregun muzikor shqiptar sot?

Tregu sot, i muzikës së lehtë shqiptare, është si një kaleidoskop me shumë ngjyra; ka ngjyra të bukura dhe mahnitëse, ka dhe ngjyra të zvetënuara, të zbehta e pa shije... Ka prurje mjaft të mira, me parametra të denja për t'u prezantuar edhe në tregun botëror, por ka edhe krijime mjaft të dobëta dhe këngëtare me performanca vulgare, ku nuk përcakton dot qëllimin, mesazhin dhe vlerat që transmetojnë. Megjithatë mendoj që, disi edhe shija e publikut është ndërgjegjësuar dhe do rikthehet dalëngadalë sërish idili i artit të vërtetë.

Cilët kanë qenë bashkëpunëtorët tuaj të ngushtë në muzikë?

Bashkëpunëtoret e mi në muzikë, më së shumti kanë qenë Flori Mumajesi, Alban Male dhe Pirro Cako. Të tjerë që kam bashkëpunuar kane qenë Eriona Rushiti, Darko Dimitrov, Stine, Markelian Kapidani.

A shkruan muzikë tani?

Kam përgatitur dalëngadalë, në këto vite mungese disa materiale muzikore, të cilat bashkë me këngët e mia te mëparshme janë gjithsej rreth 40 dhe shumë shpejt, kam dëshirë dhe po punoj që t' i lancoj këto projekte e t'i përmbledh në dy albume muzikore.

Gjithashtu, jam duke përfunduar një librin tim me poezi, i cili do botohet ne disa vende. Jam edhe në përfundim të romanit tim të parë.

Me muzikën nuk do mundem dot asnjëherë të bëj divorc, sepse është pasioni im me të cilin jam rritur dhe edukuar.

Prej disa vitesh jetoni larg vendit tuaj. Për shumë kohë keni jetuar në Dubai. Në fantazitë tona një vend përrallor. Pse ishit atje?

Në Dubai kam punuar disa vite, në një kompani internacionale që merrej me investime. Ka qenë një periudhë e bukur e jetës dhe nga e cila kam mësuar shumë e më ka bërë më të fortë e të përgatitur në fushën e biznesit.

Sot ju jetoni në Zvicër. Edhe aty për biznes?

Stacioni im i tanishëm është Zvicra. E njoh mjaft mirë këtë vend, pasi kam jetuar, studiuar e punuar këtu edhe vite më parë. U riktheva sërish, jam në Zyrih ku kam kompaninë time, me të cilën kam disa plane të bukura dhe ambicioze edhe në lidhje me Shqipërinë.

Çfarë mendoni për artin dhe kulturën në Shqipëri sot dhe a keni ndonjë këshillë për kantautoret shqiptare, që janë shumë pak?

Siç e përmenda edhe pak me lart, arti në Shqipëri, por veçanërisht muzika, pati një periudhë gri, hibride të tranzicionit dhe ku vlerat në mënyre masive u kthyen në antivlera. Publikut iu kultivua një muzikë e përçudnuar, që kishte për qëllim të vetëm komercin e shëmtuar. Me kohën, copëzat e shpërndara mozaikut, do mblidhen sërish e do shkojnë në vendin e tyre, për të përcjellë art të bukur e të vërtetë. Siç e dimë, që nga lashtësia greke, veprat e artit skenik luheshin mbi një podium, skenë, larg  dhe veçmas publikut dhe me poshtë, apo në një pikë të caktuar, ishte vendi i publikut; dhe kjo është simbolika tejet kuptimplotë e artit: ai është hyjnor dhe rreket të shkojë drejt ideales, sferës më të lartë mis mendimit dhe shpirtit, prandaj janë artistët ata që përçojnë dhe kultivojnë shijen e bukur dhe të mirë tek masa, publiku dhe jo e kundërta.

Këshilla ime për kantautorët shqiptarë do ishte që të krijonin sa më shumë muzikë të vërtetë. Me bindjen dhe shpresën se gjithmonë do ketë drite me shume për artin shqiptar, ju falenderoj për këtë intervistë, ku pata mundësi të shpreh disa copëza të vetes sime!

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: