Depresioni, të rrezikuar për tu prekur adoleshentet, nënat e reja dhe 20-vjeçarët

Depresioni, të rrezikuar për tu prekur adoleshentet, nënat e reja dhe 20-vjeçarët
Nëse për një periudhë dyjavore, keni mungesë të energjisë, ndryshim oreksi, çrregullim gjumi, ankth, humbje përqendrimi, keni mendime për të lënduar veten, jeni në fazat e para të depresionit. Këto janë simptomat që mjekët specialistë rendisin tek të gjithë ata persona të cilët rezultojnë të prekur. Të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, tregojnë se një në 4 persona, janë të prekur nga ky çrregullim, por pak prej tyre e trajtojnë atë. Edhe Shqipëria renditet po në të njëjtat shifra, dhe sipas ekspertëve depresioni është një ndër shkaktarët kryesorë që çon drejt vetëvrasjes të rinjtë e grupmoshës 15-30 vjeç.

Sëmundja

Gjendja depresive është e lidhur ngushtësisht me stresin dhe manifestohet me çrregullime gjumi, gjendje ankthi dhe humbje përqendrimi. Këtë vit, Dita Botërore e Shëndetit i është përkushtuar depresionit dhe kjo për vetë faktin se, në botë një në 4 individë është i prekur nga kjo gjendje trishtimi. Nga ky studim nuk përjashtohet as Shqipëria. Specialistët  e Institutit të Shëndetit Publik në vendin tonë, pohojnë se shumë pacientë në vendin tonë, pasi mësojnë diagnozën nuk e pranojnë atë dhe për pasojë nuk e trajtojnë. “Depresioni është një sëmundje e parandalueshme dhe e trajtueshme. Format që mund të trajtojnë dhe parandalojnë depresionin janë psikoterapitë, por edhe terapitë nëpërmjet ilaçeve”, - pohon Andia Meksi, eksperte e ISHP-së. Sipas saj, depresioni është i lidhur ngushtësisht me stresin. Ka një kategori personash që kanë predispozitën për tu prekur nga ky çrregullim si adoleshentët, të rinjtë 20-vjeçarë, nënat e reja. Meksi, thotë se njerëzit ngurojnë për të trajtuar këtë çrregullim. “Studimet që janë kryer nga ISHP-ja, tregojnë se përgjithësisht njerëzit me këtë diagnozë, ngurojnë që të kërkojnë ndihmë, sepse kanë frikë se mund të paragjykohen për shkak të sëmundjes së tyre”, - pohon ekspertja.

Dita

Dita Botërore e Shëndetit e cila përkujtohet çdo vit më 7 prill, këtë vit i është kushtuar depresionit. Studimet kanë treguar se depresioni prek këdo, çdo moshë, çdo klasë social-ekonomike dhe të gjitha vendet. Shkakton shqetësim mendor dhe ndikon në aftësitë e individit për të kryer edhe detyrat më të thjeshta të përditshme, nganjëherë me pasoja të rënda për marrëdhëniet me familjarët dhe miqtë, si dhe në aftësitë për të punuar. Në shkallën më të rëndë, depresioni mund të çojë në vetëvrasje që në ditët e sotme është shkaktari i dytë kryesor i vdekjeve në botë, midis grupmoshës 15-29 vjeç. Megjithatë, depresioni mund të parandalohet dhe trajtohet. Të kuptuarit më shumë për depresionin dhe sesi mund të parandalohet dhe trajtohet, do të ndihmonte në reduktimin e stigmës që ka të bëjë me gjendjen, dhe do të nxiste shumë individë të kërkonin ndihmë.

 

Simptomat e para të depresionit

-Mungesë energjie

-Ndryshim oreksi

-Çrregullim gjumi

-Ankth

-Pavendosmëri

-Humbje përqendrimi

-Shqetësim

-Ndiheni të pavlerë, në faj ose të pashpresë

-Keni mendime për të lënduar veten dhe/ose vetëvrasje

 

Çfarë duhet të dimë mbi depresionin ?

  • Depresioni është çrregullim mendor i zakonshëm, që prek individë të të gjitha moshave, nga të gjitha nivelet social-ekonomike dhe të gjitha kombësive.
  • Rreziqet për depresion ndikohen nga varfëria, papunësia, ndodhi jetësore të tilla si vdekja e personave të dashur ose ndërprerja e një marrëdhënieje romantike, sëmundje fizike, si dhe probleme që shkaktohen nga përdorimi i alkoolit dhe drogave.
  • Depresioni shkakton shqetësime të konsiderueshme mendore dhe ndikon në aftësinë e individit për të kryer funksionet me të thjeshta ditore, nganjëherë të ndjekura me pasoja shkatërruese në marrëdhëniet familjare dhe shoqërore.
  • Depresioni i patrajtuar mund të pengojë individët të punojnë dhe të përfshihen në jetën familjare dhe komunitare.
  • Në gjendjen më të keqe të tij, depresioni mund të çojë në vetëvrasje.
  • Depresioni mund të parandalohet dhe të trajtohet në mënyrë efektive. Trajtimi zakonisht përfshin psikoterapitë ose mjekimin nëpërmjet medikamenteve, apo edhe kombinimin e tyre.
  • Të kapërcyerit e stigmës që zakonisht lidhet me depresionin, do të çonte shumë njerëz që të merrnin ndihmë.
  • Komunikimi me njerëzit që ju i besoni, mund të jetë hapi i parë drejt shërimit nga depresioni.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: