Do, s’do, kaq ishte!... - Koment nga Frrok Çupi për Albanian Free Press

Do, s’do, kaq ishte!... - Koment nga Frrok Çupi për Albanian Free Press
Nga Frrok Çupi

Ky shkrim është përgatitur, posaçërisht, për gazetën Albanian Free Press

Tani nuk mund të bësh gjë tjetër, veçse të kthehesh në pikën e fillimit. Politika ka shkuar  “te muri”.

Opozita, përmes një proteste kombëtare, po kërkon zgjedhje të lira e të ndershme, ndryshe nuk shkon në zgjedhje. Ajo nuk beson se me qeverinë aktuale, mund të bëhen zgjedhje të drejta. Me idenë e opozitës, janë bashkuar edhe dy partitë më të mëdha të koalicionit në qeverisje: LSI dhe PDIU. LSI-ja, në një paralele me opozitën që kërkon “qeveri teknike”,  ka kërkuar “qeveri të besimit”. Të dyja palët janë në të njëjtën trase: Duhet një qeveri tjetër, për të besuar se zgjedhjet ishin zgjedhje dhe jo shitblerje, dhunë, krim, vjedhje, përçudnim - siç ka denoncuar opozita dhe një pjesë e madhe e medias... Kjo pikë nuk mund të kapërcehet. Për një kapital kaq të madh, - sa është vlera e zgjedhjeve, - qeveria duhet ta ketë të lehtë t’i lërë vendin një qeverie të besueshme. Ndryshe mbetemi para murit.

- Jam unë e besueshme!, - mund të thotë qeveria e tanishme. “Kush unë!? - bëhet pyetja. Qeveria është PS plus LSI. LSI-ja ka deklaruar se vetëm  “një qeveri tjetër është e besimit”, jo kjo. Atëherë qeveria nuk ka as të drejtën të thotë “unë”, sepse ajo nuk është “unike”. A mund të deklarohet se “gjysmë” ose “treçerek qeverie”, është e besueshme? Do të hynim në një absurd logjik, që nuk shërben as për manualet e sociologjisë. Kjo është një gjë që nuk ka rrugë!

Atëherë nuk do të ketë zgjedhje!... Jo, nuk do të ketë zgjedhje në datën e dekretuar, por jo “nuk do të ketë zgjedhje” në përgjithësi. Data e regjistrimit të partive në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve “është djegur”, tani duhet edhe një shans i fundit: Që të vendoset shtyrja e afatit të regjistrimit deri më 29 prill. Në qoftë se shtyhet afati, çfarë mund të bëjë afati në vetvete? Përsëri, asgjë. Opozita, të paktën kjo, nuk shkon në zgjedhje nën kujdesin e qeverisë aktuale. Por nuk shkon në zgjedhje edhe LSI-ja e PDIU-ja. Betimi i tyre se “nuk shkojmë pa opozitën” nuk është një “besa-besë” , por është mbështetje për parimin themelor të shtetit, që është pluralizmi politik. Nuk mund të shkelet këtu, sepse aty marrin fund të gjitha çfarë na dallojnë nga diktatura ose anarkia. Dikush nga BE-ja, dërgon fjalë se ka zgjidhje: “do t’ju mbyllim në një dhomë”. Kjo  dëshmon se nuk ka kuptuar asgjë, ose nuk di të kuptojë. BE-ja vetë po bie në tatëpjetë dhe lëshon nga një zë, si në rrokullisje.

BE i tanishëm, është një problem tjetër krize që na çon përballë murit. Po të kishim BE-në, mund të kishim një portë. BE-ja edhe është, edhe nuk është. “Është” për ata që duan të bëjnë demagogji dhe propagandë alias, proeuropiane, por, në fakt, nuk ka më ndikim dhe mundësi për të zgjidhur kriza. Pas datës 23 prill, kur janë zgjedhjet në Francë, BE-ja mund të jetë vetë para murit.

Atëherë kthehemi gjithnjë te pika e fillimit, që të mos mbetemi para murit...

Pika e fillimit nuk është as morale, as propagandistike. Pika e fillimit është legale dhe mentale.

Legale: Provat pse qeveria është e pabesueshme për të zhvilluar zgjedhje të lira...

Prova 1:

Qeveria dhe organizmat e tjerë kushtetues e administrativ, burojnë nga një “parlament i inkriminuar”. Vetë Parlamenti ka nënshkruar rezolutën “Mbi dekriminalizimin e parlamentit”, d.m.th., ka pranuar faktin. Fuqia parlamentare ushtrohet drejtpërdrejt mbi zgjedhjet dhe zgjedhësit; dhe, kur ky  është i “inkriminuar” i helmon zgjedhjet. Por nga një kuvend i inkriminuar buron veç një qeveri e pabesueshme.

Prova 2:

Disa kryetarë bashkie, janë “emëruar” nga qeveria duke qenë fajtorë në vepra shumë të rënda kriminale. Ata janë përfshirë në vepra si “vrasje”, “trafik droge” dhe “trafik njerëzish”. Edhe kur këta “kriminelë”, janë denoncuar publikisht, madje edhe nga përfaqësues të SHBA-së, janë mbrojtur me fanatizëm nga qeveria. Mesazhi në këtë rast është një provë e mbivendosur: krimi është krim, por bëhet krim qeveritar kur e mbron qeveria.

Prova 3:

Dje u kapën 12 tonë kanabis në një magazinë në Përmet. Krerët e mazhorancës qeveritare po “hahen” mes tyre: Njëri thotë “është droga jote”, tjetri thotë “jotja”, por mes veti. Kjo ishte droga e fundit, e kapur nga një ministër i sapoardhur i cili prezumohet se zbulon një klan, për të mbuluar një tjetër... Gjithë Shqipëria është mbjellë me drogë dhe transportohet drejt Europës; deri tani, janë llogaritur qindra tonë. Ish-ministri i Brendshëm dhe tani lideri i LSI-së aleate, Rama, ka deklaruar se “nuk dihet fati i drogës së kapur gjatë një viti”. Ambasadori i OSBE-së deklaroi se “2 miliardë euro” ndodhen të lira, për të blerë votat. Ambasadori i SHBA-së, Lu, ka thënë se trafikantë dhe banditë mund të rrezikojnë fatin e  zgjedhjeve. Njeriu i zakonshëm që mund të ankohet vetëm pse droga “na mbyti bletët”, është lënë në varfëri dhe i gatshëm të shesë votën për një kile drogë. Qeveria që ka drogën dhe paratë, potencialisht, ka edhe votat në xhep.

Po u kthyem te pika legale, atëherë gjendet zgjidhja: Kush mbante pushtet të inkriminuar, nuk mund të mbajë zgjedhje.

Te pika mentale e fillimit:

Kjo është vetëm në dorë të qeverisë, derisa të mos jetë vonë. Qeveria i di të gjitha: E di sa thellë, ka hyrë në korrupsion, saqë edhe ilaçet e të vdekshmëve i ka futur në xhep. E di se nuk ka mbajtur premtimet e dhëna dhe tani “qyteti” nuk beson më. Atëherë do që t’i marrë votat me zor?! E sa vlen kjo?... Qeveria e di që e ka djallosur me arrogancën dhe tani neveritet. Qeveria e di se ka gënjyer dhe ka bërë “teatër” me interesat e vendit e të njeriut. Qeveria e di sa shumë është mbështetur mbi njerëz të inkriminuar. E di sa shumë para të paligjshme, ka nëpër duar, me të cilat do të shkojë, derë më derë, dhe të blejë vota....

Atëherë pse rrojmë ne të tjerët; si hije, pa shpirt, pa të drejtë, pa nder, pa fuqi!?... O qeveria, o ky njeri që e kanë çuar në pikën e fundit... Tani ka veç një zgjidhje: Qeveria kthehet ku ishte para qershorit 2013, ku paska marrë mandat të gabuar. Kjo ka ndodhur; do, s’do, ... kaq ishte!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: