DOSSIER/ 9 PRESIDENTËT E SHQIPËRISË - Sa qëndruan në detyrë dhe për çfarë mbahen mend

DOSSIER/ 9 PRESIDENTËT E SHQIPËRISË - Sa qëndruan në detyrë dhe për çfarë mbahen mend
Nga Ahmet Zogu te Bujar Nishani, cilët janë krerët e shtetit në historinë e vendit

Nga Roland Qafoku për “Albanian Free Press”

Kur në vitin 1925, Ahmet Zogu u zgjodh president, Shqipëria po ecte, dalëngadalë, në një shtet presidencial, me model SHBA-në: Një president me kompetenca të forta, ekzekutues, kreu i shtetit dhe me mandat të pakufizuar.

Por duket se vendi i vogël në lagjen problematike të Europës me emrin Ballkan, nuk mund të aplikonte një shtet me të gjitha parametrat e demokracisë amerikane. Në këtë mënyrë, presidenca e parë e shtetit shqiptar, prodhoi mbretërinë. Kjo duhet të ketë qenë arsyeja që, nga ai moment, çdo president në Shqipëri, ka qenë honorifik, me kompetenca, herë-herë, të dobëta e herë honorifike.

Kryeministrat kanë qenë ata që kanë patur pushtetin, ndërkohë që presidentët kanë qenë shtojcë pa vlerë e pushtetit edhe pse kanë qëndruar në kupolën e shtetit.

Nga Ahmet Zogu deri te Bujar Nishani, Shqipëria ka patur 9 presidentë, pesë prej të cilëve janë zgjedhur pas rrëzimit të diktaturës.

Nga 9 presidentë, 5 prej tyre janë të djathtë: Ahmet Zogu, Sali Berisha, Alfred Moisiu, Bamir Topi, Bujar Nishani dhe 4 janë të majtë; Omer Nishani, Haxhi Lleshi, Ramiz Alia dhe Rexhep Meidani.

Nga 6 presidentë të zgjedhur pas rrëzimit të diktaturës, vetëm Ramiz Alia dhe Rexhep Meidani janë të majtë, 4 të tjerët janë të djathtë: Sali Berisha, Alfred Moisiu, Bamir Topi dhe Bujar Nishani.

Për shkak të detyrës, janë 2 presidentë të arrestuar, Haxhi Lleshi dhe Ramiz Alia janë presidentët që kanë provuar prangat, pikërisht, për shkak të detyrës. Një tjetër e veçantë e njerëzve të presidencës, është se nga 9 prej tyre, 6 kanë qenë në profesionin e ushtarakut: Ahmet Zogu, Alfred Moisiu dhe Bujar Nishani.

Tre prej tyre kanë qenë mjekë: Omer Nishani, Sali Berisha dhe Bamir Topi, ky i fundit, mjek veteriner.

Nga të 9 presidentët, 2 prej tyre janë pa diplomë: Ahmet Zogu dhe Haxhi Lleshi. Madje, Haxhi Lleshi rezulton të mos ketë ndonjë shkollë tradicionale. Të 9-të presidentët, kanë funksionuar në tre regjime: Ahmet Zogu në regjimin presidencial autokratik, Omer Nishani, Haxhi Lleshi dhe Ramiz Alia, gjatë regjimit komunist, ndërsa Ramiz Alia, Sali Berisha, Rexhep Meidani, Alfred Moisiu, Bamir Topi, Bujar Nishani pas rrëzimit të diktaturës.

AHMET ZOGU, president i I-rë i Republikës

DITËLINDJA: 8 tetor 1895

VENDLINDJA: Burgajet, Mat.

KOHA E QENDRIMIT NË DETYRË: 30 janar 1925 deri më 1 shtator 1928

KOHËZGJATJA NË DETYRË: 3 vjet, 7 muaj e 2 ditë

MOSHA KUR MORI DHE LA DETYRËN: E mori detyrën në moshën 29 vjeç, 3 muaj e 28 ditë dhe e la 32 vjeç, 11 muaj e 7 ditë.

ARSIMIMI: Ushtarak i arsimuar në Turqi dhe Austri, por i padiplomuar në Akademi ushtarake.

DETYRA TË TJERA SHTETËRORE: Mbret, kryeministër, ministër i Brendshëm, deputet.

VDEKJA: 9 prill 1961.

Ministër i Brendshëm, dy herë kryeministër, president dhe në fund mbret, Ahmet Zogu është i vetmi shtetar i shtetit shqiptar që ka mbajtur të gjithë zinxhirin më të rëndësishëm të detyrave të larta. Presidenca e tij mori aq shumë pushtet, saqë pas 3 vitesh 7 muaj e 2 ditë në detyrë, ai u zgjodh mbret. Presidenca e tij ishte model i presidencës së SHBA me fuqi ekzekutuese. Pra, në një farë mënyre, ishte president-kryeministër që drejtonte ekzekutivin dhe mbledhjet e qeverisë. Gjithsesi, mënyra e funksionimit të presidentit Ahmet Zogu, ishte që në vend të tij, mbledhjet e qeverisë i drejtonte ministri i Drejtësisë. Presidenca e Ahmet Zogut, ishte simbolika e asaj që ai kishte fituar të gjitha betejat ndaj kundërshtarëve politikë. Duke i bërë bashkë, ai, tashmë, e quante luftë të fituar dhe e kishte të hapur gjithçka që synonte për pushtet. Kjo është arsyeja kryesore përse u bë mbret. Gjatë kësaj kohe, Ahmet Zogu ndërmori reformat më të mëdha për konsolidimin e shtetit shqiptar, që nisin nga legjislacioni, infrastruktura e deri tek transformimi i jetës shoqërore. Gjithsesi, të gjitha këto konverguan në atë që Ahmet Zogu u bë mbret dhe, pas këtij momenti, nuk ishte më president, deri sa ndërroi regjimi i tij dhe presidenca u rikthye pas vendosjes së komunizmit.

OMER NISHANI, Presidenti i 2-të i Republikës (Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor)

DITËLINDJA: 1887

VENDLINDJA: Gjirokastër.

KOHA E QËNDRIMIT NË DETYRË: 10 janar 1946 deri më 31 korrik 1953

KOHËZGJATJA NË DETYRË: 7 vjet, 6 muaj e 21 ditë.

MOSHA KUR MORI DETYRËN: E mori detyrën në moshën 69 vjeç dhe e la në moshën 75 vjeç.

ARSIMIMI: Mjek, i diplomuar në Stamboll, Turqi.

DETYRA TË TJERA NË SHTET: Ministër i Jashtëm, deputet.

VDEKJA: 25 maj 1954 me vetëvrasje

Në fillim, pozicioni i tij emërtohej President i Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe, më pas, Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Të paktën, formalisht, Omer Nishani është i pari kryetar i shtetit komunist në Shqipëri. Formalisht, sepse pushteti gjatë atij sistemi, ishte te Partia Komuniste, e vetme që qeveriste dhe që kishte për kryetar Enver Hoxhën dhe qeveria ishte po e tij. Omer Nishani ishte president me pushtet, tejet, të dobët. Ai ishte simbol i një posti honorifik nga emërimi deri në fund, deri sa ai u detyrua të jepte dorëheqjen. 10 muaj pasi u largua nga ajo detyrë, ai ndërroi jetë. Të paktën sipas njoftimit zyrtar, vdekja e tij ishte natyrale por, pas vitit 1990, kanë dalë fakte se vdekja e tij është pjesë e një skandali dhe krimi të lartë shtetëror: Omer Nishani kishte vrarë veten. Madje ka dyshime, jo të pabazuara, se kjo vetëvrasje mund të ketë qenë vrasje. Nuk dihet, ende, edhe sot zyrtarisht, përse sistemi komunist e mbajti të fshehtë vetëvrasjen, por aludimet se ajo mund të ketë qenë edhe vrasje, janë shtuar. Omer Nishani ishte mënjanuar nga preferencat e pushtetit të Enver Hoxhës. Ai ishte detyruar të jepte dorëheqjen dhe nuk kishte asnjë shans që jo vetëm të zgjidhej sërish, por edhe të merrte një detyrë tjetër politike. Ndërkohë, fakti që tashmë ka dëshmi që Omer Nishanit iu kërkua edhe të dilte nga vila qeveritare ku jetonte, në rastin më të mirë, do të thotë se ai, përfundimisht, ishte mënjanuar dhe, në rastin më të keq, ishte cilësuar armik i partisë. Thjesht, vdekja misterioze, me vetëvrasje, e presidentit të dytë në historinë e shtetit shqiptar, ishte parathënia e vdekjes, po aq misterioze, e kryeministrit Mehmet Shehu në vitin 1981.

HAXHI LLESHI, presidenti I 3-të i Republikës (Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor)

DITËLINDJA: 19 tetor 1913

VENDLINDJA: Dibër

KOHA E QËNDRIMIT NË DETYRË: 1 gusht 1953 deri më 21 nëntor 1982.

KOHËZGJATJA NË DETYRË: 29 vjet, 3 muaj e 20 ditë

MOSHA KUR MORI DETYRËN: E mori detyrën 40 vjeç, 2 muaj e 8 ditë dhe e la 69 vjeç, 1 muaj e 2 ditë.

ARSIMIMI: Arsimim fillor, i padiplomuar.

DETYRA TË TJERA NË SHTET: Ministër i Brendshëm, deputet.

VDEKJA: 1 janar 1998. 84 vjeç, 9 muaj e 18 ditë.

Haxhi Lleshi është presidenti më jetëgjatë në historinë e shtetit shqiptar, - me 29 vjet, 3 muaj e 20 ditë, ky rekord nuk ka asnjë shans të thyhet as në Shqipëri dhe as në botë. Madje, në detyrën e kreut të shtetit, Lleshi ka qëndruar edhe më shumë se Mehmet Shehu kryeministër, që e mbajti këtë detyrë me 27 vjet, 4 muaj e 28 ditë. Megjithatë, presidenca e Haxhi Lleshit, ose më saktë detyra e kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, nuk ka ndonjë ngjarje për tu shënuar. Me kompetencë të dobët, kjo presidencë, thjesht, përcillte letra, urime dhe dekorata që ishin vulosje të vendimeve marrë ose nga sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë, Enver Hoxha, ose nga kryeministri, Mehmet Shehu. Fama dhe emri i Haxhi Lleshit lidhej më shumë me aktivitetin e tij me rezistencën, gjatë luftës së Dytë Botërore, se sa aftësitë e tij politike. Ai është i pari president pa arsimim tradicional. Haxhi Lleshi është, njëkohësisht, i pari president i shtetit shqiptar që është arrestuar. Madje në moshë të thyer dhe arrestim që u shoqërua me dënimin me vdekje nga gjykata e Shkallës së Parë, për genocid dhe krim kundër njerëzimit. Por, më pas, gjykata e Apelit e dënoi me 5 vjet, “liri me kusht”. Duhet theksuar se, Haxhi Lleshi tentoi të futej në grevë urie gjatë qëndrimit në Spitalin e Burgut, por nuk u lejua nga të afërmit. Gjithsesi, në 1 janar 1997, në moshën 84 vjeç, 9 muaj e 18 ditë, ai ndërroi jetë.

RAMIZ ALIA, presidenti i 4-ët i Republikës (kryetar i Presidiumit dhe President)

DITËLINDJA: 18 tetor 1925

VENDLINDJA: Shkodër

KOHA E QËNDRIMIT NË DETYRË: Nga 22 nëntori 1982 deri më 2 prill 1992

KOHËZGJATJA NË DETYRË: 9 vjet, 4 muaj e 11 ditë.

MOSHA KUR MORI DHE LA DETYRËN: E mori detyrën 57 vjeç, 1 muaj 4 ditë dhe e la 66 vjeç, 6 muaj e 16 ditë.

ARSIMIMI: Diplomuar në shkollën e Partisë, Moskë, Rusi.

DETYRA TË TJERA NË SHTET: Ministër i Arsimit, deputet.

VDEKJA: 17 tetor 2011

Ramiz Alia është i pari president gjatë regjimit komunist, që arriti të kishte pushtet të fortë. Kjo jo për shkak të detyrës së kreut të shtetit, por për shkak se bashkë me detyrën e presidentit, ai mori edhe detyrën e sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të PPSH. Pasardhës i Enver Hoxhës në detyrën politike, në një farë mënyre, ai, pa dashje, i dha pushtet edhe detyrës së kreut të shtetit. Edhe pse nga të huajt u cilësua Gorbaçovi i Ballkanit, Ramiz Alia gjatë ushtrimit të detyrës, kishte dy anë: Si president që nuk lejoi gjakderdhje gjatë rrëzimit të sistemit komunist dhe, nga ana tjetër, nuk shpejtoi proceset demokratike. Ramiz Alia është presidenti i parë i zgjedhur me vota në kuvend, por, në këtë zgjedhje, ai ishte kandidaturë e Partisë së Punës që funksiononte, ende, në atë kohë. Mandati i marrë nuk zgjati më shumë se 1 vit. Ramiz Alia është njëkohësisht edhe presidenti i dytë në histori, i arrestuar sapo la detyrën me akuzën për “genocid dhe krime kundër njerëzit” si përgjegjës për krimet gjatë regjimit komunist.

SALI BERISHA, Presidenti i 5-të i Republikës

DITËLINDJA: 15 tetor 1944

VENDILINDJA: Vuçidol, Tropojë

KOHA E QENDRIMIT NË DETYRË:

MANDATI I PARË: 9 prill 1992 deri më 2 mars 1997

MANDATI I DYTË: 2 mars 1997 deri më 20 korrik 1997

KOHËZGJATJA NË DETYRË:

HERA E PARË: 5 vjet, 1 muaj e 7 ditë

HERA E DYTË: 4 muaj 18 ditë

MOSHA KUR MORI DHE LA DETYRËN: E mori detyrën në moshën 47 vjeç, 5 muaj e 25 ditë dhe e la 52 vjeç, 8 muaj e 26 ditë.

ARSIMIMI: I diplomuar për mjekësi në universitetin e Tiranës

DETYRA TË TJERA NË SHTET: Kryeministri i 32-të i shtetit shqiptar, deputet.

Sali Berisha është presidenti që ka thyer më shumë rekorde se çdokush, si kreu i shtetit. Sali Berisha është presidenti i vetëm pas rrëzimit të komunizmit, që ka fituar dy mandate. Ai është edhe presidenti i vetëm që ka dhënë dorëheqje duke ushtruar detyrën e presidentit dhe presidenti i vetëm që mandatin e dytë e konsumoi vetëm 5 muaj. Njëkohësisht, Sali Berisha është i vetmi president pas rrëzimit të komunizmit, me fuqi të paketës kushtetuese më të forta se çdo paraardhës dhe çdo pasardhës, përjashtuar Ahmet Zogun. Mjafton të kujtojmë se, përveç shumë e shumë pushteteve në drejtësi, ai kishte të drejtë të drejtonte edhe mbledhje të qeverisë. Në fakt, sipas vetë kryeministrit të asaj kohe, Aleksandër Meksi, Sali Berisha është i vetmi president në historinë e Shqipërisë, që ka drejtuar mbledhje qeverie. Por Sali Berisha është i pari dhe i vetmi president pas rrëzimit të komunizmit, që ka veshur uniformë ushtarake duke ushtruar detyrën e kreut të shtetit, gjatë një stërvitje që ka kryer ushtria. Këtë e kishte bërë më parë vetëm Ahmet Zogu. Ndërkohë rekordet vazhdojnë edhe me faktin se, është i vetmi president që organizoi dhe drejtoi referendum për kushtetutën, që, nëse do ta miratohej fuqia e pushtetit të tij, mund të krahasohej me Ahmet Zogun.

REXHEP MEIDANI, Presidenti i 6-të i Republikës.

DITËLINDJA: 17 gusht 1944

VENDILINDJA: Tiranë

KOHA E QËNDRIMIT NË DETYRË: 24 korrik 1997 deri më 24 korrik 2002

KOHËZGJATJA NË DETYRË: 5 vjet

MOSHA KUR MORI DHE LA DETYRËN: E mori detyrë 53 vjeç e 24 ditë dhe e la 58 vjeç e 24 ditë

ARSIMIMI: I diplomuar për fizikë në universitetin e Tiranës

DETYRA TË TJERA NË SHTET: Deputet

Presidenca shqiptare nuk ka patur asnjë paraardhës edhe pasardhës të nivelit më të lartë shkencor dhe intelektual, sa ai i Rexhep Meidanit. Potencial shkencor si ai, zor se mund të ulet më zyrën e kreut të shtetit shqiptar. Rexhep Meidani është i pari dhe i vetmi socialist i zgjedhur president, që pas rrëzimit të komunizmit, dhe është, njëkohësisht, presidenti i vetëm i papërfolur as për korrupsion, as për skandale, madje, as për bashkëpunim dhe interferencë me Partinë Socialiste që e zgjodhi të ishte në atë detyrë, e cila ishte në pushtet. Por të gjitha këto, nuk mjaftuan që Rexhep Mediani të shkëlqente në detyrën më të lartë të shtetit. Çdo gjë në rregull, pa konferenca shtypi, me dalje televizive dhe intervista që numërohen me gishtat e dorës dhe me mungesë lajmesh, presidenca e Rexhep Medianit i ngjau më shumë funksionimit të një laboratori fizike, se sa një presidence aktive, të zhdërvjellët, vendimmarrëse, që i jepte zgjidhje situatave delikate dhe krizave politike që kishte gjatë periudhës kur ai ishte në krye të shtetit.

ALFRED MOISIU, Presidenti i 7-të i Republikës

DITËLINDJA: 1 dhjetor 1929

VENDLINDJA: Shkodër

KOHA E QENDRIMIT NË DETYRË: 24 korrik 2002-24 korrik 2007

KOHËZGJATJA NË DETYRË: 5 vjet

MOSHA KUR MORI DETYRËN: 72 vjeç, 4 muaj e 7 ditë

ARSIMIMI: I diplomuar ushtarak

DETYRA TË TJERA NË SHTET: Ministër i Mbrojtjes

Alfred Moisiu është presidenti që ka marrë më shumë vlerësime në historinë e detyrës së kreut të shtetit, duke u bërë presidenti më i preferuar nga shumica e shqiptarëve, sipas sondazheve. I vetmi president konsesual në histori, ai u bë njëkohësisht armik edhe i Partisë Socialiste që ishte në pushtet, por edhe i Partisë Demokratike që e propozoi emrin e tij. Dikur ministër dhe zëvendësministër i Mbrojtjes, Alfred Moisiu është presidenti me moshën më të lartë në detyrë, duke qenë 73 vjeç kur hyri në presidencë. Alfred Moisiu është i vetmi president që ka ndërhyrë dhe ka arritur një marrëveshje politike, duke zgjidhur një krizë mes PS dhe PD. Në historinë e shtetit shqiptar, ka shumë shtetarë dhe administratorë, por Alfred Moisiu është nga të rrallët që kanë qenë burrë shteti. Ushtarak në profesion dhe pinjoll i një familjeje të njohur ushtarake, Alfred Moisiu tregoi korrektësi dhe aftësi për të zgjidhur situata nga më delikatet në krye të shtetit. Konfliktet e tij parimore me kryeministrin, Fatos Nano, dhe më pas me atë Sali Berisha, tashmë, kanë hyrë në histori dhe presidenti i fitoi, moralisht, të gjitha betejat, duke mos bërë kompromis me parimet e tij.

BAMIR TOPI, Presidenti i 8-të i Republikës

DITËLINDJA:24 prill 1957

VENDLINDJA: Durrës

KOHA E QENDRIMIT NË DETYRË: Nga 24 korriku 2007 deri më 24 korrik 2012

KOHËZGJATJA NË DETYRË: 5 vjet

MOSHA KUR MORI DETYRËN: E mori detyrën 50 vjeç e 3 muaj

ARSIMIMI: I diplomuar si mjek veteriner në Universitetin Bujqësor, Kamzë

DETYRA TË TJERA NË SHTET: Ministër i Bujqësisë, deputet

Nga nënkryetar i PD-së, në president të 8-të të Republikës, pothuajse, i gjithë opinioni publik mendonte se Bamir Topi do ishte shtojcë e Partisë Demokratike që e zgjodhi. Por të gjithë u gabuan, jo pak. Presidenca e Topit është konsumuar në një konflikt të hapur dhe të vazhdueshëm mes tij dhe kryeministrit Sali Berisha të cilët, në shumë raste, hodhën akuza të rënda ndaj njëri-tjetrit. Më e rënda është se Bamir Topi, dikur zëvendësi i Berishës, e akuzoi Berishën si komunistin më të pandreqshëm, - akuzë e vonuar e presidentit. Por një moment delikat ka qenë ngjarja e 21 janarit 2011, ku presidenti Topi nuk u angazhua aspak në zgjidhjen e saj. Kështu, kryeministri Berisha hodhi akuza të rënda ndaj tij, deri bashkëpunim për puç shtetëror. Megjithatë, presidenca e Topit ka patur aspekte pozitive, të cilat nisin nga cilësime që të paktën nuk ka bërë keq e deri tek ajo se dekoroi një ushtri njerëzish, pa ndonjë vlerë, duke e kthyer dekorimin në të pavlerë.

BUJAR NISHANI, Presidenti i 9-të i Republikës

DITËLINDJA: 29 shtator 1966

VENDLINDJA: Durrës

KOHA E QËNDRIMIT NË DETYRË: 24 korrik 2012–24 korrik 2017

KOHËZGJATJA NË DETYRË: 5 vjet

MOSHA KUR MORI DETYRËN: 46 vjeç, 1 muaj e 5 ditë

ARSIMIMI: I diplomuar ushtarak dhe jurist

DETYRA TË TJERA NË SHTET: Ministër i Brendshëm, ministër i Drejtësisë, deputet

Bujar Nishani, - ushtaraku i tretë në histori si president, pas Ahmet Zogut dhe Alfred Moisiut, dhe i dyti me mbiemrin Nishani. Ndershmëria është cilësia e tij më e spikatur gjatë pesë viteve në presidencë. Ai është presidenti që, edhe pse ka marrë një lumë akuzash nga qeveria dhe kryeministri Edi Rama, nuk ka marrë asnjë akuzë për korrupsion. Në fakt, edhe presidenca e Nishanit është shoqëruar me përplasje mes tij dhe mazhorancës. Nuk ka një ngjarje të vetme që kryeministri Rama dhe mbështetësit e tij, të mos e akuzojnë deri në ofendime rreth sëmundjes, - rast i paprecedentë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë. Gjithsesi, të gjitha këto, një ditë, ndoshta nuk do mbahen mend. Ajo që mbetet është integriteti moral i presidencës së Nishanit, që diti të ruajë shumë ekuilibrat, edhe pse kompetencat, në këto 5 vjet, i janë hequr presidentit si tullat e një muri, që dikush synon ta rrëzojë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: