Duhet të turbullohet që të kthjellohet

Duhet të turbullohet që të kthjellohet
Nga Plator Nesturi

Ky shkrim është përgatitur, posaçërisht, për gazetën Albanian Free Press

Thënia e lashtë e Konfucit e që u bë lajtmotiv edhe gjatë revolucionit kulturor kinez, në kohën e Mao Ce Dunit, duket se gjen vend si diçiturë, për të ilustruar çka po ndodh në politikën shqiptare, gjatë harkut të këtyre ditëve dhe në vijim. Deklarata e Metës, 24 orë pas një darke peshku më Ramën, ku ndonëse shpreh opsionin për koalicion parazgjedhor me PS-në, bën thirrje për një qeveri besimi e nga ku mazhoranca duhet të lëshojë pushtet, natyrisht i ka turbulluar keq ujërat e politikës. Aq shumë sa, duket e pamundur të orientohesh në këtë tretësirë llumrash e për të kuptuar se çfarë do të jetë prodhuar nga kjo nismë, pasi ujërat të jenë kthjelluar. Sidoqoftë, hapi është hedhur dhe kjo është e para tentativë serioze pas 45 ditësh të opozitës në çadër, për të imponuar një dialog të vonuar e për të hapur rrugën e zgjidhjes së një krize institucionale, që sa vinte dhe do e rëndonte më shumë situatën. Kthim prapa nuk ka dhe, tashmë, mbetet vetëm të dimë se si do pozicionohen aktorët politikë në këtë situatë të re dhe sa kohë do të marrë krijimi i tryezës së dialogut.

Tani për tani, ka thjesht hutim dhe frikë për atë çfarë vjen më pas. PS-ja, pasi te kthjellohet kjo krizë, do të arrijë të kuptojë nëse do të besojë tek LSI-ja për të vijuar një koalicion të përbashkët që garanton fitore në zgjedhje. PD-ja dhe Lulzim Basha do të vërtetojnë nëse kjo nismë e Metës ishte një kurth politik apo zgjidhje luajale për daljen nga kriza e në interes të vendit. Ndërsa vetë LSI-ja, në bazë të qëndrimeve të palëve mbi krizën politike, sa të fortë e të dëmtuar, dalin nga një betejë ku nuk do të mungojnë as intrigat e hapat falsë, do të duhet të sqarojë veten nëse i ka ardhur koha të synojë një rol prioritar paszgjedhor apo sërish do të duhet të zgjedhë një nga çadrat kryesore për koalicion. Çdo ekuacion ka shumë të panjohura.

Pavarësisht se deklaratat e LSI për qeverinë e besimit dhe dhënien e garancive në zgjedhje, po fokusohet si krizë brenda mazhorancës dhe si hesap brenda tyre, për pikat e kontratës së re të koalicionit të majtë pas zgjedhjeve, hapi i ndërmarrë shkon përtej kësaj. Kriza e vërtetë është midis mazhorancës dhe opozitës, me një parlament të bojkotuar, me ligje dhe reforma të bllokuara, si dhe me kërcënimin e një bojkoti në zgjedhjet elektorale të 18 qershorit.

Në këto kushte, përpara Edi Ramës, si kreu i mazhorancës dhe shef i qeverisë shtrohen tre opsione. E para, të shpërfillë e të quajë antikushtetuese çdo kërkesë për ndryshim qeverie dhe shtyrje të zgjedhjeve. Në këtë rast, qeveria e tij, me shumë gjasë, pa ministrat e LSI në të, do të merrte përsipër rolin e kujdestarit për zgjedhjet, porse pa pjesëmarrjen në to të PD-së si dhe të LSI-së, ato do të ishin një farsë dhe kriza vetëm do të thellohej. Së dyti, opsioni për të lëshuar pushtet, duke përfshirë edhe karrigen e tij, por pa lëshuar në shtyrjen e zgjedhjeve, pasi kushtetuta është e qartë se ato shtyhen vetëm kur kërcënohet vendi apo ka një situatë emergjente të një katastrofe natyrore. Por dhe ky opsion vështirë që të pranohet nga opozita pasi ndryshimet në Kodin zgjedhor kërkojnë kohën e tyre dhe është e pamundur të arrihen brenda afatit që imponon 18 qershori. Së treti, jetësimi i formulës Meta me një qeveri që të japë garanci besimi për opozitën (në mos teknike, me e pakta duke futur sekretarë shteti nëpër ministri, të cilët të propozohen nga opozita), por duke shtyrë njëkohësisht dhe afatin e mbajtjes së zgjedhjeve, për të mundësuar si procesin e ndryshimeve ligjore të kodit, por duke bërë të mundur brenda kësaj legjislature edhe zgjedhjen e presidentit të ri, si dhe ligjin e vettingut.

Pavarësisht skemave që do të implementohen për daljen nga kriza, me qeveri teknike apo besimi, me përbetime për ruajtje të votës e për dekriminalizim të politikës, thembra e Akilit e që mund të japë një zgjidhje afatgjatë të problematikës politike, mbetet si dhe sa thellë do të jenë ndryshimet në reformën zgjedhore. Ligji aktual imponon hyrjen në koalicion zgjedhor e ku krerët e partive më të mëdham janë jo vetëm despotët e partive të tyrem por dhe të partive aleate. Edhe LSIm si forcë e tretë e që ka peshë të konsiderueshme, i duhet të zgjedhë kah përpara zgjedhjeve, kur, në çdo vend të botës, koalicionet përcaktohen pas zgjedhjeve e në bazë të rezultateve. Nëse një ligj i ri zgjedhor e heq këtë pengesë, dhe secila forcë do të paraqitej e vetme para elektoratit, atëherë do të shihej vlera dhe pesha reale e tyre. Ky do të ishte një kthjellim i vërtetë pas kësaj turbullire...

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: