E bukura dhe filtrat

E bukura dhe filtrat
 

Nga Meri Dishnica

Ky shkrim është përgatitur, posaçërisht, për gazetën Albanian Free Press

Rrjeti social, ky kurth i sajuar bukur! Aty ku, ndërkohë që përpiqesh të krijosh një prezencë online, bie në kurthin e bukur të protagonizmit. Përzier me disa filtra çudibërës dhe disa efekte speciale ku të gjithë duken yje. Ky kafaz i stolisur me xhevahire të rreme, rreth vicioz, i pakuptimtë, ku ti hyn, sheh dhe “mahnitesh”. Më tej poston diçka, sa për të treguar se edhe ti di të përdorësh filtrat, të dukesh po aq bukur…(e nxitur nga nota kundër reagimi fëmijëror). I ndërgjegjshëm se, në çastet më të bukura, realisht, nuk ke as kohën, as dëshirën të hysh në rrjetet sociale e aq më pak të postosh, aq më pak të nxjerrësh gjepura. Gjithsesi, ndihemi të joshur, në njëfarë mënyre, në kohë të caktuara (kryesisht boshe).

 

Rrjetet sociale e fituan betejën me interaktivitetin njerëzor. Njerëzit hoqën dorë nga të folurit përballë, një bisedë e mirë e humbi sharmin, duke ia lënë vendin komenteve boshe, servilizmit të shpëlarë dhe like-ve për qokë. Ndjekur nga ndonjë dialog sporadik në inbox, por që edhe gjasat për të, shtohen çuditshëm pas publikimit të ndonjë fotoje të këndshme (mundësisht me filtra fantastik, ku sytë të bëhen të kthjellët, të përhumbur e ndjellës). Ndaj e poston foton, fundja, për të pasur atë “interaktivitet”, por sa keq që kjo ndodh sa herë je i mërzitur, sa herë që nuk ke çfarë të bësh, sa herë kërkon vëmendjen, vëmendjen e filtrave, të emocioneve njerëzorë të munguar…

 

Emocionet njerëzore u zhdukën, qëkur njerëzit u fshehën pas emojit, ku një buzëqeshje false nis apo mbyll çdo bisedë. Një shkelje syri apo nxjerrje gjuhe, u klasifikua si shprehje interesi. E ndërkohë, në sfond të bisedës shumë majmunë që as flasin, as dëgjojnë, as shikojnë… Ne po bëhemi memecë të teknologjisë së lartë. E përveç kësaj, rrjetet sociale po na ndryshojnë dhe konceptin për të bukurën, për aq kohë sa janë të mbushur me “karikatura” dhe me tutorials “si të bëhesh karikaturë në 5 sekonda”.

 

Vajza të reja që ndjekin modele të gabuara, një kakofoni informacioni bosh, një rini boshe. E, megjithatë, është e vërtetë që bukuria është relative, e vërtetë është që çfarë i pëlqen dikujt, nuk i pëlqen një tjetri. Por është tmerr, të shkohet si kope, drejt një budallallëku masiv! Rrjetet sociale, me aq shumë story-s, sa nuk ke ku të hedhësh më parë, aq shumë shpërdorim imazhi. Një vorbull dukjeje e padobishme, kaq shumë harxhim kohe…

E mbyll me një shprehje latine, “Degustibus non est disputandum”, “Për shijet nuk diskutohet”, - kjo shprehje është thënë nga Jul Cezari, përpara një pjate me asparagë të gatuar me gjalpë, por që ndërkohë duhet të ishin gatuar me vaj ulliri…

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: