ERË AUTOKRATËSH

ERË AUTOKRATËSH
Nga FRROK ÇUPI

Ky shkrim është përgatitur, posaçërisht, për gazetën Albanian Free Press

Fjala “erë” e gjuhës shqipe, në këtë rast mund të përdoret në të dy kuptimet që mban: Edhe si “frymë” që fryn nga veriu a jugu; por edhe si “epokë”. Po fryjnë erëra me autokratë; ose po vjen “koha e autokratëve” sidomos në Ballkan!,- duket se është e njëjta gjë.

Autokrati Rexhep Tajip Erdogan erdhi në Turqi; kjo nuk ka më dyshime. Por në Perëndim të Stambollit të Otomanisë së “kthyer” pas njëqind vjetësh, po lëvrijnë autokratë të tjerë,  më të vegjël. Natyrisht “më të vegjël”, sepse shtetet këndej nga perëndimi i Erdogan, janë më të vegjël dhe popuj më të paktë në numër. Siç i la Perandoria Otomane, atëherë...

Por modeli autokratik vjen thuajse i njëjtë me “të madhin”.

Erdogan i Turqisë, pas referendumit kushtetues të datës 16 prill, merr fuqi të plotë në qeverimin e Turqisë. Disa nga mediat më të mëdha të botës e kanë konsideruar si “sulltan” i ri, gjë që edhe e ka mërzitur zotin Erdogan.

Disa studiues të tjerë, veprën “kushtetuese” të Erdogan për përqendrimin e të gjitha pushteteve në duar të tij, e kanë përshkruar si “vdekje e Republikës së Turqisë” dhe kthim në Otomani.

E vërteta është se me aktet kushtetuese që i jep presidentit Erdogan të drejta ekzekutive të pakufizuara, bie trashëgimia Republikane e krijuesit të Turqisë së re post- Otomane, Qemal Ataturk.

Sipas Kushtetutës së re të ndryshuar me votën e Referendumit të 16 prillit, me 51 për qind “pro”, presidenti Erdogan merr fuqi ekzekutive. Turqia nuk do të ketë kryeministër, të gjitha vendimet do të merren nga Presidenti; mosha e deputetëve në Parlament ulet nga 25 në 18 vjeç (shteti mund të qeveriset lehtë me jeniçerë adoleshentë) ; vendimet e presidentit mund të gjykohen vetëm në Gjykatën Supreme të përbërë nga 15 anëtarë- 12 nga të cilët i zgjedh vetë Presidenti; etj.

Sipas modelit ‘Erdogan’ po zhvillohet fryma autokratike në pjesën tjetër të Ballkanit, sidomos në Serbi dhe Shqipëri.

Në Serbi, zgjedhja e Aleksandër Vuçiç si president i Republikës është pritur me frikë si brenda Serbisë edhe nga vëzhgues të Perëndimit. Vuçiç është konsideruar një “autokrat i lindur”, edhe pse me një faqosje “të re”. Gjithë dyshimi është se Vuçiç do të zgjedhë si model pushteti ish- presidentin Millosheviç. Slobodan Millosheviç ishte presidenti autokrat i Serbisë që u gjykua në Gjykatën e Hagës për “krime lufte” dhe vdiq në burg. Vuçiç, që në rini ishte një admirues i madh i Millosheviç dhe pastaj i Sheshel, ministër në qeverinë e Millosheviç; flamurtar i supremacisë nacionale serbe mbi kombet e tjerë fqinj, iniciator i lëvizjes “nëse na vrasin një serb, ne do të vrasim 100 myslimanë”.

I zgjedhur si president i Serbisë me shumicë votash, pritet që ai të emërojë një kryeministër “kukull”, d.m.th., që t’i bindet presidentit për çdo gjë. Derisa të ndodhë, me gjasa, që të ndryshojë Kushtetutën dhe t’i japë vetes edhe rol ekzekutiv.

Në Shqipëri, ku po përjetohet një krizë e rëndë politike, duken ndërkohë hapur edhe prirjet për një pushtet autokratik të kryeministrit Edi Rama. Opozita, që ndodhet në një protestë dy-mujore, ka arritur në përfundimin se vendit i duhet një “Republikë e re”. Indikacioni i Opozitës ka perceptuar se kryeministri ka projektuar një “republikë autokratike” ose “republikë të tiranisë”. Kryeministri shqiptar ka dhënë disa shenja autokratizmi, edhe pse ende nuk ka mundur të bëjë një kushtetutë “për vete”. Ai ka devijuar zhvillimin ekonomik të vendit nga prodhimi dhe tregu i hapur e legal- drejt prodhimit dhe tregut jo-legal të bimëve narkotike. Ndaj opozitës sillet në mënyrën më mospërfillëse dhe kërkon pushtet monist. Parlamenti është mbushur me autorë të krimit, vrasës dhe trafikantë. Fondet publike- sipas opozitës- janë përdorur në interes të klanit qeveritar dhe pasurimit të një oligarkie. Vetë Rama ka manifestuar simpati dhe zakone nga e kaluara në diktaturë prej nga vjen, me ngritje të kultit Hoxha, me bunkerët dhe neverinë për viktimat. Duke e vënë veten në “rolin e zotit” ai i ka quajtur njerëzit “dele” dhe veten bari të tyre.

Ku janë të përbashkëtat autokratike mes “të vegjëlve” dhe “sulltanit”?!

1.

E shikoni: Të gjitha palët e përfshira në synime autokratike, i janë kthyer të kaluarës së tyre kombëtare. Erdogan- si një simpatizant i pushtetit Otoman dhe rregullave të tij, prishi Republikën ‘Ataturk’ dhe po kthehet te rregullat qeverisëse alias sulltanat. Presidenti serb, Vuçiç, po tenton që pa emrin Millosheviç, (i cili akoma është i urryeshëm dhe jo relikte si sulltanati), të kthejë metodat e Milloshevicit. Për shembull, ideja e tij për bashkimin e Shqipërisë në trupin e Serbisë lidhet me atë të kaluar. Edi Rama po aplikon “pushtet të fortë mbi njeriun e dobët”, njësoj si paraardhësi Hoxha në diktaturë.

2.

Klima klasike e “kërkesës” për pushtet autokratik, ndjehet në të tre qeveritë. Në historinë e vet autokracia është kërkuar “nga masat” si një shpëtim nga një situatë e rëndë, nga sulmet e përsëritura të banditëve, nga trazirat e pafund, etj. Erdogan, që gëzonte një pushtet të qetë, në 15 korrik 2016 sajoji një “grusht shteti” nga ku doli fitimtar mbi armiqtë dhe erdhi para njerëzve me kërkesën për “pushtet të fortë personal”. Në Shqipëri varfëria ekonomike ka shkuar në kufij të urisë dhe vendi është mbjellë me lëndë narkotike- duke u kthyer në rrezik edhe për Perëndimin. Siguria e qytetarëve është afër zeros- si në dominim banditësh. Kryeministri që e kultivoi drogën ka marrë përsipër ta “zhdukë”, por me pushtet më të fortë, me përdorim të ushtrisë, etj. Vetë Vuçiç i Serbisë ka shpallur “plakjen e moshës së popullsisë” edhe për shkak të emigrimit; ka shpallur masa të forta për ekonominë... për këtë do t’i “duhet’ pushtet shumë i fortë personal (!).

3.

Përdorimi i “armikut të jashtëm”.

Presidenti Erdogan përdori BE-në. Ai iu tha turqve se “BE e la Turqinë 54 vjet që të presë “në dyer të Europës”, tani nuk kemi nevojë të hyjmë në BE! Pastaj sulmoi europianët si “nipër të Nazizmit”. E tëra për të krijuar klimë armqësie ndaj tjetrit dhe strehë besimi te “pushteti im”. Rreth kësaj taktike janë vërtitur prej dy vjetësh si Vuçiç i Serbisë edhe Rama i Shqipërisë. Fillimisht u futen nën ombrellën e kancelares Merkel si “shpëtimtarë” të Europës nga fenomeni “Ukrainë”. Pastaj shpikën “grindje” mes tyre për të ngjallur konfliktin e vjetër Serbo- Shqiptar. Dhe më në fund kanë shpikur “rrezikun” e një lufte në Ballkan. Ky i Tiranës i thotë hapur Europës se “po nuk erdhe ti, na mori dikush”. Në anën tjetër lëshohen disa media për të sajuar “pushtimin Rus” të vendit...

Kemi tre “vëllezër” autokratë deri tani.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: