Fati i keq i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj

Fati i keq i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj
Nga Roland Qafoku

Ky shkrim është përgatitur, posaçërisht, për gazetën Albanian Free Press

Ka 8 ditë që ministri i 62-të i Brendshëm i Shtetit Shqiptar, Fatmir Xhafaj, ka marrë detyrën, por nuk ka asnjë nga ministrat paraardhës, në këto 105 vjet, që ta shoqërojnë kaq shumë dilema, kundërshti dhe më e rëndësishme se këto, disa sfida që e presin përpara. Edhe pse opozita u zotua se “nuk do ta lejonte të kalonte pragun e ministrisë së Brendshme, ujkun e vjetër të diktaturës”, Fatmir Xhafaj, jo vetëm e kaloi kaluar atë prag, por mori vlerësime maksimale nga kryeministri Edi Rama, mori edhe votat e LSI-së, mori edhe dekretimin nga presidentit Nishani, dhe nuk u kontestua nga asnjë diplomat i huaj. Por, pasi kaloi provën e parë me kaq lehtësi, Fatmir Xhafaj është përballë të paktën pesë sfidave që askush më parë nuk i ka patur në këtë formë, në këtë përmbajtje dhe të gjitha këto, i duhet të përballet në një kohë tepër të shkurtër.

Steka e Saimir Tahirit

Saimir Tahiri nuk i shpëtoi rregullit të pashkruar të paraardhësve të vet: Marrja me shumë dëshirë e detyrës, vendosja e rendit brenda rendit, lufta e bandave, performanca e policisë, por edhe akuzave si ministër i inkriminuar dhe trafikant. Por, pavarësisht këtyre cilësimeve shumica e të cilave kanë qenë politike, Saimir Tahiri si ministër, vendosi disa nivele dhe rriti stekën në disa sektorë të policisë, që pasardhësit të vet, Fatmir Xhafaj, në rastin më të mirë të paktën, duhet t’i mbajë po aty. Performanca plot kulturë e policisë në rrugë, aksioni spektakolar në Lazarat, rikonstruksioni i të gjitha komisariateve, dixhitalizimi i punës së policisë, deri në shërbime, janë një stekë që ministri i ri, Fatmir Xhafaj, ka pak hapësirë për të bërë gjëra të reja ose ta nisë nga zero, siç e kanë nisur shumica e ministrave, pa përjashtuar edhe Saimir Tahirin.

Beteja ndaj kanabisit

Është hera e parë në historinë e ministrisë së Brendshme dhe policisë, që sfida kryesore nuk është krimi, por trafiku i drogës. Më saktë akoma, kultivimi dhe tregtimi i kanabisit. Edhe pse cilësohet si një nga aksionet më spektakolare dhe më të efektshme, ai i Lazaratit, kjo mazhorancë mban në kurriz damkën kanabis, si të ishte një markë firmato “Made in Albania”. Ndodhur në këtë situatë, Fatmir Xhafaj e ka luftën ndaj kanabisit sfidën e sfidave. Por më shumë se sa lufta ndaj trafikantëve, Xhafaj e ka sfidë dhe luftën brenda policisë ose atë që quhej rend brenda rendit, tani duhet ta konvertojë në antitrafik kundër trafikantëve, brenda policisë. Një lloj fati i keq, që përkon me emrin Fatmir i ministrit dhe që pritet ta ndjekë gjatë kohës që do ta ushtrojë këtë detyrë.

Zgjedhjet parlamentare

Krizën politike prej 45 ditësh, opozita e ka shndërruar në kalë beteje për zgjedhje të lira dhe të ndershme, të pastra financiarisht dhe aspak abuzive. Nëse marrim të mirëqenë një kompromis politik mes PD-së dhe PS-së, policia e shtetit, ministria e Brendshme do të kenë gjatë fushatës elektorale, por sidomos më 18 qershor, ndoshta betejën më të madhe të tyre në këto 9 zgjedhje parlamentare që janë zhvilluar në Shqipëri, që nga rrëzimi i komunizmit. Dhe si e tillë, ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, i duhet të vërtetojë se jo vetëm policia nuk ka asnjë interferim me zgjedhjet dhe Partinë Socialiste, por duhet të jetë shumë pranë investigimeve për të zbuluar nëse individë, parti apo edhe grupe politike, financojnë kandidatë të caktuar deputetë, për të arritur fitoren. Ndodhur në këtë situatë, ministri Xhafaj i duhet të tregojë atë që asnjë paraardhës nuk e ka bërë dhe nuk i është kërkuar ta bëjë.

Reforma në drejtësi

Nëse ka ndonjë gur kilometrik të rëndësishëm në karrierën e Fatmir Xhafaj, që i takon të mburret, kjo është miratimi i reformës në drejtësi. Edhe pse ka kritika dhe kontestime, Xhafaj u shndërrua në një person me shumë pushet, pikërisht, drejtimit që ai i bëri hartimit të kësaj reforme. Nëse në këto 27 vjet, mbajmë mend Sabri Godon dhe Arben Imamin si dy bashkëkryetarë për hartimin e Kushtetutës së re të Shqipërisë, pas tyre mbahet dhe do të mbahet mend, Fatmir Xhafaj. Ai do të mbahet mend si kryetar i një komisioni që hartoi reformën më të thellë të drejtësisë. Por duket se mbarimi i punës në komision ia transferon “thirrjen” në polici. Një reformë të drejtësi nuk mund të kuptohet e shkëputur nga policia, aty ku përpunohet lënda e parë që i vihet në dispozicion të gjitha institucioneve të investigimit. Ndodhur në pozitën e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, duket se do të ketë edhe një sfidë tjetër, po aq të rëndësishme, sa tre të parat.

Fotografia me Enver Hoxhën

Teksa gazetat, rrjetet sociale, motori i kërkimit google, shfaqin një foto të Fatmir Xhafaj me dorën e diktatorit Hoxha në supin e tij, në një festim 1 maji, Fatmir Xhafaj duhet t’i ketë bërë, me qindra herë, vetes pyetje të tipit: Po unë, çfarë desha aty? Kush e ka nxjerrë këtë foto? Kush e riboton?

Në fakt, kjo foto sa një mijë fjalë, ka të paktën dy dekada që e shoqëron Fatmir Xhafaj dhe duhet thënë se, pavarësisht kësaj, asnjë ndikim nuk ka patur në karrierën e tij politike. Sekretar i Përgjithshëm i kryeministrit Fatos Nano, katër herë deputet në kuvend, ministër i Rregullimit të Territorit dhe Turizmit, ministër i Drejtësisë, tani ministër i Brendshëm dhe kryetar i komisionit të Reformës në Drejtësi, në bilancin e Fatmir Xhafaj kjo foto jo vetëm nuk ka ndikuar, por pyetja duhet bërë me humor, a do ta kishte arritur këtë karrierë Fatmir Xhafaj, nëse nuk do publikohej kjo foto? Duhet thënë se nuk është hera e parë që sulmet ndaj një politikani të fiksuar në celuloid në shoqëri të një femre nudo apo i shoqëruar me kriminelë diktatorë apo edhe abuzues, ka patur efektin e kundër. Kështu, edhe në rastin e Xhafaj nuk ka bërë përjashtim. Edhe tani në detyrën e ministrit të Brendshëm, është afër mendjen që opozita do të vazhdojë ta përdorë foton duke e shoqëruar me lidhjet të tij me diktatorin Hoxha. Në pamje të parë, kjo duket se pritet të jetë një sfidë e Fatmir Xhafaj, por, në fakt, ai e ka kaluar këtë sfidë. Sfidë reale për të janë katër pikat e para. Beteja e fotove mes PD-së dhe PS-së, ka 27 vjet që bëhet pa ndërprerje dhe as PD e as PS nuk janë penalizuar nga fotot, por nga punët e mira apo të këqija që kanë bërë. Kështu pritet të ndodhë edhe me ministrin e 62-të të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: