Fieri dhe Elbasani, dy prefektura jashtë elitës së futbollit

Fieri dhe Elbasani, dy prefektura jashtë elitës së futbollit
Futbolli si sport masiv dhe më popullor i vendit tonë nuk po njeh sukses te ekipet e dy qarqeve të madha të vendit, Elbasan e Fier, si dhe në Berat. Probleme edhe me të rinjtë në këto qarqe

Nga Aranit Muraçi

Futbolli konsiderohet sporti më popullor në botë. I tillë është edhe në vendin tonë. Në Shqipëri futbolli nuk është i zhvilluar gjerësisht në të gjithë territorin, ose është i harruar në disa krahina të vendit, si në Tropojë apo Mirditë. Por si sport masiv që është, futbolli po çalon në dy nga katër qarqet e mëdha të vendit. Këtë sezon vihet re mungesa e një ekipi në elitën e futbollit shqiptar për qarkun e Beratit, por më tepër mungesa ndihet për banorët e shumtë të qarkut të Fierit dhe të Elbasanit. Paradoks është fakti se Elbasani ka një nga dy stadiumet më të mira në vend për momentin, “Elbasan Arena”, ku i lejohet të luajë ndeshjet kombëtarja shqiptare.

Por ekipi i këtij qyteti, që kur u ndërtua stadiumi i ri, nuk po i gëzohet aspak këtij luksi. Elbasani ndodhet i fundit në Grupin B, Kategoria e Parë, aq sa rrezikon seriozisht rënien në një kategori më poshtë. Nëse ndodh një gjë e tillë, në “Elbasan Arena” sezonin tjetër mund të luhen ndeshje amatorësh, çka do të ishte moment ideal për lojtarët mysafirë të bënin një “selfie” në mjediset e këtij stadiumi. Ndryshe nga ekipi i parë, ekipet e të rinjve të Elbasanit, U-19 dhe U-17, kanë një ecuri më të mirë, duke qëndruar në elitë. Tregues i qartë se te Elbasani i mungojnë investimet skuadrës së parë, që kjo e fundit të konkurrojë me sukses. Elbasani kampion i Shqipërisë më 1984’ dhe më 2006’, po përjeton momentet më të errëta në histori. Ekipet e rretheve të tjera të këtij qarku, si Sopoti, Shkumbini, apo Turbina, ndodhen në një kategori me Elbasanin. Gramshi është në kategorinë e dytë.

Në Fier u hap pak vite më parë një nga akademitë, që premtonte shumë. Por duket se kjo akademi nuk ka qenë në gjendje t’i vijë në ndihmë as Apolonisë, as ekipeve të tjera përreth të këtij qarku. Akoma më keq paraqiten ekipet e të rinjve të Apolonisë, si ekipi kryesor i qarkut. Tifozët e Apolonisë në rrjetet sociale publikojnë foto nga ekipi i kohës së Kujtim Majacit në fund të viteve ‘80, apo nga Apolonia e ’98, që fitoi trofeun e kupës pas derbit me Lushnjën.

Megjithatë, qarku i Fierit sezonin tjetër mund të ketë një ekip në Superiore. Lushnja kryeson momentalisht klasifikimin e Kategorisë së Parë, Grupi B, duke rivalizuar me një ekip të këtij qarku, Bylisin e Ballshin. Gjendja aktuale e ekipeve të prefekturave të Elbasanit dhe Fierit, tregon se përveç traditës, investimeve, për të pasur sukses, futbolli ka nevojë edhe për njerëz të aftë. Sa për prefekturën tjetër të vendit, që aktualisht nuk ka asnjë ekip në Kategorinë Superiore, Berati, Tomori historikisht ka pasur luhatje. Interesant është edhe fakti se prefekturën e Lezhës e përfaqëson Laçi, në vend të Besëlidhjes. Dibra, me Korabin që u rikthye në elitë pas shumë vitesh, sezonin tjetër do të jetë prefektura e radhës që sërish do të mbetet pa një ekip në elitën e futbollit shqiptar.

Vlora dhe Shkodra

Nga rrethet më mirë se ekipet e kryeqytetit, si Tirana dhe Partizani, paraqiten ekipet e të rinjve të Shkodrës dhe Vlorës. Edhe në kombëtare, jo rastësisht, kanë ardhur historikisht lojtarë nga këto dy qytete. Pra, tradita në futboll funksionon ende në Vlorë dhe Shkodër, ndërsa fakti që kryeson Kukësi dhe Partizani në Kategorinë Superiore, tregon se këto ekipe kanë investuar te ekipet e të rriturve për titullin kampion. Por ndryshe nga Vllaznia e Flamurtari, te Kukësi kryesues vështirë të gjendet një lojtar që ka dalë nga ekipet e moshave të këtij klubi. Në Korçë, Skënderbeu po investon edhe te të rinjtë.

Fieri dhe Elbasani

Numri i popullsisë dhe futbolli nuk shkojnë gjithnjë në të njëjtin kah. Qarku i Fierit, me 374 mijë banorë dhe qarku i Elbasanit me 343 mijë banorë, sipas censusit të vitit 2011, janë dy qarqet me numrin më të madh të popullsisë në vend, pas qarkut të Tiranës. Qarku i Beratit, me 170.8 mijë banorë lë pas qarkun e Lezhës me 148.8 mijë banorë, si dhe tre qarqet me numrin më të vogël të popullsisë në vend që janë: Gjirokastra, Kukësi dhe Dibra. Por pavarësisht nga investimet apo numri i popullsisë, Vlora dhe Shkodra, mbetet qytetet model për të edukuar të talentuarit.

 12 Qarqet e vendit

Qarku i Beratit (Berat, Kuçovë, Skrapar)

Qarku i Dibrës (Dibër, Bulqizë, Mat)

Qarku i Durrësit (Durrës, Krujë)

Qarku i Elbasanit (Elbasan, Gramsh, Librazhd, Peqin)

Qarku i Fierit (Fier, Lushnjë, Mallakastër)

Qarku i Gjirokastrës (Gjirokastër, Përmet, Tepelenë)

Qarku i Korçës (Korçë, Devoll, Kolonjë, Pogradec)

Qarku i Kukësit (Has, Kukës, Tropojë)

Qarku i Lezhës (Kurbin, Lezhë, Mirditë)

Qarku i Shkodrës (Shkodër, Malësi e Madhe, Pukë)

Qarku i Tiranës (Tiranë, Kavajë)

Qarku i Vlorës (Vlorë, Delvinë, Sarandë)

Renditja aktuale në Kategorinë Superiore dhe të Parë

Kategoria Superiore: Kukësi 59 pikë, Partizani     59, Skënderbeu 56, Vllaznia 37, Luftëtari 36, Tirana 32, Teuta 32, Laçi 29, Flamurtari 28, Korabi 12 pikë

Kategoria e Parë, Grupi A: Kamza 47 pikë, Besëlidhja 39, Erzeni 37, Burreli 26, Shënkolli 23, Kastrioti 22, Besa 18, Mamurrasi 14, Iliria 14, Tërbuni 10 pikë

Kategoria e Parë, Grupi B: Lushnja 41 pikë, Bylis 38, Pogradeci     29, Tomori 23, Shkumbini 22, Apolonia 22, Turbina 21, Dinamo 18, Sopoti 16, Elbasani 16 pikë

Rënditja aktuale në kampionatet e Të Rinjve U-19 dhe U-17

Kategoria Superiore U-19, Grupi A: Vllaznia 52 pikë, Partizani 49, Tirana 48, Shkëndija Tr. 38, Laçi 25, Porto 23, Brians 22, FC Internacional Tr 20, Akademia e Futbollit 19, Kukësi 17 pikë

Kategoria Superiore U-19, Grupi B: Flamurtari 49 pikë, Skënderbeu 44, Teuta      39, Elbasani 34, Besa 27, A.F Dinamo 24, FK Dinamo 23, Lushnja, Pogradeci, Shkëndija Dr. 20 pikë

Kategoria e Parë U-19, Grupi B: Shkëndija B. T. 33 pikë, Kamza 32, Akademia AAS 27, Veleçiku 27, Tirana B 23, Besëlidhja 20, Olimpic CF 19, Korabi 19, Burreli 3, Kastrioti 0 pikë

Kategoria e Parë U-19, Grupi B: Luftëtari 29 pikë, Apolonia 23, Tomori 17, Vlora 12, Sh.S.Pepa 10, Butrinti 10, Bylis 0 pikë

Kategoria Superiore U-17, Grupi A: Tirana 53 pikë, Akademia e Futbollit: 49, Vllaznia 45, Shkëndija Tr. 43, FC Internac. Tirana 39, Partizani        26, Kukësi 24, Porto 13, Laçi 11, Olimpic 10

Kategoria Superiore U-17, Grupi B: Flamurtari 50 pikë, Teuta 44, Shkëndija Dr.    39, A.F Dinamo  35, Skënderbeu 34, Pogradeci 27, Elbasani 27, FK Dinamo 25, Besa 23, Lushnja 9 pikë

Kategoria e Parë U-17, Grupi A: Akademia AAS 40 pikë, Iliria 27, Shkëndia B. T. 22, Brians 22, Veleçiku 20, Besëlidhja 16, Burreli 5, Korabi 4, Kastrioti 0 pikë

Kategoria e Parë U-17, Grupi B: Luftëtari 31 pikë, Sh.S.Pepa 24, Apolonia 20, Tomori 20, Butrinti 19, Vlora 14, Fieri 2, Bylis 0 pikë

loading...
loading...