Flamurtari gjen “shpëtim” në Gjirokastër

Flamurtari gjen “shpëtim” në Gjirokastër
Nëse Flamurtari i Vlorës do të sigurojë mbijetesën në fund të këtij kampionati, kjo do t’i vijë falë fatit apo statistikave që ka këtë sezon ndaj Luftëtarit të Gjirokastrës. Flamurtari në katër ndeshje i ka marrë jo pak por plot 10 pikë Luftëtarit.

Nëse llogaritë bëhen edhe më tej, Luftëtari mban aktualisht vendin e katërt, që do të thotë se rivalët për mbijetesë të ekipit vlonjat, kanë një bilanc negativ me Luftëtarin.

Luftëtari mundet 1-2 brenda në shtëpi nga Flamurtari, në ndeshjen e parafundit të javës së 28-të në Superiore. Kjo ishte humbja e parë për Luftëtarin në stadiumin e tij gjatë këtij sezoni.

Për Flamurtarin, që humbi një javë më parë me Skënderbeun në shtëpi, ky ishte ndoshta shansi i fundit për të shpresuar te mbijetesa.

Ndeshja nisi me vrull dhe me dëshirë për fitore nga të dyja ekipet.

Në 10’, Dejvi Bregu ndëshkoi ish skuadrën e tij duke i dhënë epërsinë Luftëtarit me një gol të bukur.

Në 29’, portieri Ruci mohoi golin në portën vlonjate, duke ndalur tentativën fluturimthi të Ivan Galiç.

Në 32’, një tjetër vlonjat për pak sa nuk i dha goditjen “knock-out” skuadrës së Duros. Goditja e Lejdi Licajt përfundoi jashtë. Me avantazhin 1-0 të vendasve përfundoi pjesa e parë ndërkohë që fraksioni i dytë nisi me dy zëvendësime te miqtë.

Shpëtim Duro në pjesën nedytë hodhi në fushë Haxhi Nezirajn dhe Ardit Shehajn, duke larguar  Fazlliun dhe Galic. Në 59’, Flamurtari ishte shumë pranë golit të barazimit, por Danilo Alves nuk gjeti kuadratin në goditjen e tij me kokë pas një harkimi të Donjet Shkodrës.

Në 63’, Flamurtari pati shansin ideal për të mbyllur sfidën por Rroca nuk përfitoi nga asisti i Reginaldos, pas një kundërsulmi të shpejtë të vendasve. Skuadra e Milinkoviç, 3 minuta më pas goditi edhe traversën. Braziliani Mauricio Leal rrezikoi autogolin me devijimin që i bëri topit ndërsa më pas tentativa e Reginaldos u ndal nga një mbrojtës mik.

Në momentin më të mirë të ekipit gjirokastrit, Donjet Shkodra me një gol fantastik barazoi rezultatin.

Në 73’, Danilo Alvesh mori kundërpërgjigjen e Rucit, ndërsa 2 minuta më pas Reginaldo humbi një penallti në lëvizje me Halilajn që bëri mrekullinë.

Në 77’ sërish Ruci protagonist, këtë herë ndali tentativën e Busiç. Në minutat në vazhdim Luftëtari shpërdoroi disa shanse të mira për të ardhur te episodi i minutës së 86-të,kur Enea Jorgji pas konsultimit me gjyqtarin anësor akordoi një penallti të dyshimtë në favor të Flamurtarit pas një kontakti në zonë të Nezirajt me Rapën. Goditjen nga pika e bardhë e mori përsipër kapiteni Telushi, i cili gjuajti dhe, i ndihmuar edhe nga shtylla, arriti të mposhte vendasit, për 3 pikë të arta të  Flamurtarit.

Një fitore që e çon Flamurtarin në vetëm një pikë disavantazh nga Laçi i vendit të 8-të, ose nga zona e rënies në një kategori më poshte. Luftëtari, pas kësaj humbjeje komplikon misionin për vendin e 4-t, megjithëse Vllaznia pret Partizanin në ndeshjet e mbetur të javës. Gjirokastritët shpresojnë në një humbje të ekipit shkodran, për të ruajtur pozitat aktuale.

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: