FUQIA SHËRUESE E “ARRATISJEVE”

FUQIA SHËRUESE E “ARRATISJEVE”
Nga MERI DISHNICA

Ky shkrim është përgatitur, posaçërisht, për gazetën Albanian Free Press

 

Ndodh që, në periudha të ndryshme të jetës, të vjen të ikësh me vrap, të lësh gjithçka dhe të zhdukesh! Të mbyllësh telefonin, ta hedhësh në det! Si në ato skenat teatrale të filmave, ku personazhi e vërvit telefonin sa i këputet krahu. Ajo që pason, është një ndjenjë çlirimi e pafund. Një dozë oksigjeni të përplaset fytyrës, benefitet janë, thuajse, hyjnore.

Por nuk e kemi luksin, për asnjë nga këto. Kemi “ngecur” në mënyrat tona, jemi “lidhur”, me apo pa dëshirë, me këtë realitet, por, fundja, jemi përshtatur dhe angazhuar në procese jetësore. Detyrimet na mbajnë shtrënguar, magjitë e ditëve “shkatërrohen”, njëra pas tjetrës, nga të qenit “i përgjegjshëm”. Ndjenja e përgjegjësisë na mban lidhur këtu, në zyrë, në shtëpi, me atë, atë, apo atë…

Si të shpëtosh nga rutina, dhe nga vorbulla e saj “vrasëse”, që të myk mendjen dhe të plak shpirtin! Hmm! Nis të gatuash atë kekun me portokall që lexove së fundmi, në internet, gatuaj sallatën me finok dhe fara pishe, mbjell një lule të re në ballkon, më tej bëj një çaj, pastaj pi verë, ftoj miq në shtëpi…  Këto janë opsionet që nuk kërkojnë organizim të madh dhe as shpenzim.

Pastaj, në çdo rast, sa herë që mundesh, merr makinën dhe ik. Nuk e kam fjalën për udhëtime luksi, apo avionë privatë, vakte të shtrenjta, foto të bukura me kostume banje ekskluzive. Nuk po them se fakti që nuk ke mundësi për të marrë avionin dhe për t’u zhdukur 2 muaj, në detet e jugut, të bën më pak ambicioz dhe më pak aventurier. Udhëto pranë vendit, në destinacione të afërta, mjaft të nisesh dhe të gjesh lëndinën më të afërt për t’u ulur këmbëzbathur në bar.

Ne, shpesh, flasim për tema SI, KU dhe KUR të udhëtojmë, por shumë pak flasim PSE të udhëtojmë. Kjo rezulton të jetë edhe pyetja më e rëndësishme. Shumë nga ne lidhin të udhëtimin me të renë, trillin, pasigurinë, aventurën…, por, për disa, është thjesht nevojë për ikje, shërim, ajër, natyrë, gjethe dhe cicërima. Në shërbim të mirëqenies së përgjithshme nervore dhe emocionale.

Për ata që ditët i kalojnë në makinë, në zyrë, apo në divan, fundjavat mund t’i përdorin për pak argëtim dhe aktivitet fizik si p.sh.,: hiking, eksplorim, rafting, turizëm kulinar, piknik, çdo gjë që lidhet me natyrën dhe fuqitë e saj çliruese, në kërkim të vetvetes, apo për të shëruar pjesë të shpirtit dhe mendjes. Kaq thjesht! Mblidh lule, bëj çaj...

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: