Genti Beqiri: Të huajt po e shtojnë interesin për të investuar në Shqipëri

Genti Beqiri: Të huajt po e shtojnë  interesin për të investuar në Shqipëri
INTERVISTA/ Drejtori ekzekutiv i Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA): Në vitet e fundit, Shqipëria ka tejkaluar vendet e tjera në tërheqjen e IHD-ve, duke marrë parasysh madhësinë e ekonomisë

Intervistoi për “Albanian Free Press”:

Eglantina NASI

Interesi i të huajve për të investuar në Shqipëri, është në rritje dhe nuk ka tërheqje të tyre, ndërsa rastet e atyre që mund të jenë larguar, janë të izoluara. Një fakt të tillë e pohon gjatë një interviste të posaçme për “Albanian Free Press”, vetë drejtori ekzekutiv i Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA). Referuar të dhënave zyrtare të QKB-së, ai pohon se për vitin 2016, janë regjistruar rreth 1.323 kompani. “Krahasuar me vitin paraardhës, kemi një rritje prej +25%, ndërsa krahasuar me vitin 2014, rritja është +43%”, vlerëson ai për IHD-të. Kurse sa i takon hartës së vendeve nga vijnë investimet e huaja direkte në vendin tonë, ai cilëson se Greqia kryeson për vitin 2015, me një stok të investimeve të huaja prej 1.2 miliardë eurosh. “Në vend të dytë është Holanda, Kanadaja është e treta në renditje, kurse e katërta është Italia”, - thekson Beqiri. Duke shtuar më tej se, në vend ka edhe 20 subjekte me kapital rus që zhvillojnë aktivitetin e tyre, sikundër në dy vitet e fundit ka një interesim të lartë edhe nga biznesi kinez për Shqipërinë, ku mbi 90 kompani kineze, disa prej të cilëve janë në proces negociatash dhe bisedimesh, e kanë vizituar atë për të parë mundësitë për investime, tregti, projekte apo mundësi të tjera për investime dhe bashkëpunim me/në Shqipëri...

***

 

Si paraqitet trendi i investimeve të huaja direkte në vendin tonë? A mund të na jepni disa shifra që tregojnë ecurinë e tyre, së fundmi?

Fluksi hyrës i investimeve të huaja direkte (IHD) në Shqipëri ka ruajtur një trend rritës pozitiv gjatë viteve. Për vitin 2015, referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë, Shqipëria ka thithur më shumë investime te huaja krahasuar me vitin e kaluar, duke e ruajtur këtë trend. Konkretisht, prej vlerës 869 milionë euro në vitin 2014, flukset e IHD-ve në vitin 2015, shkuan në vlerën 890 milionë euro. Pra, për vitin 2015, kemi një rritje të vlerës së tyre me 21 milionë euro, ose rreth +2.4% krahasuar me vitin 2014, duke mbuluar 11.6% të PPB-së. Për tremujorin e tretë të vitit 2016, fluksi i investimeve të huaja direkte është 286 milionë euro, me një tendencë rritjeje prej +12%, krahasuar me fluksin prej 255 milionë eurosh të së njëjtës periudhë të vitit 2015. Dhe +10% krahasuar me tremujorin e dytë dhe një rritje prej +85% krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2016. Sa i takon stokut të investimeve, për vitin 2015, ai ka pësuar rritje prej +9.6% krahasuar me vitin paraardhës, duke arritur në vlerën e 5.005 milionë eurove, nga 4.565 milionë euro që shënonte në vitin 2014.

Nga ana tjetër, a dispononi shifra të investitorëve të huaj të cilët janë larguar nga Shqipëria? Kujtojmë rastin e libanezit që u dhunua për investimin e tij në Gjirin e Lalzit. Si paraqitet ky trend? Përse largohen realisht investitorët e huaj nga vendi ynë? Dhe a kanë lënë në mes investime potenciale apo pasoja për ekonominë e vendit?

Raste të tilla janë të izoluara. Nuk ka tërheqje të investitorëve të huaj nga vendi ynë, përkundrazi, nëse u referohemi të dhënave zyrtare të QKB-së, rezulton se interesi për të investuar në Shqipëri është në rritje. Aktualisht, për vitin 2016 janë regjistruar rreth 1.323 kompani, të cilat janë aktive dhe operojnë në sektorë të ndryshëm të ekonomisë shqiptare dhe origjinën e investimit e kanë nga Italia, Greqia, Turqia, etj. Krahasuar me vitin paraardhës kemi një rritje prej +25%, ndërsa krahasuar me vitin 2014, rritja është +43%.

Sa konkurrente paraqitet Shqipëria kundrejt vendeve të tjera të rajonit sa u takon IHD-ve? Para dhe pas kujt renditet ajo, krahasuar me to? Çfarë na favorizon dhe çfarë na lë në fund të listës, sipas jush? Kur vende si Maqedonia aplikojnë një politikë mjaft atraktive për tërheqjen e tyre.

Në vitet e fundit, Shqipëria ka tejkaluar vendet e tjera në tërheqjen e IHD-ve, duke marrë parasysh madhësinë e ekonomisë. Kështu, në krahasim me Maqedoninë, fluksi i IHD-ve në Shqipëri në periudhën e viteve 2013-2015, ishte pothuajse pesë herë më i madh në terma absolutë, duke e sjellë Shqipërinë më afër vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, në lidhje me stokun e investimet e huaja direkte (investimet e akumuluara hyrëse). Në renditjen e Bankës Botërore “Të bësh biznes” 2017, vendi ynë renditet i 58-ti nga 190 shtete që Banka Botërore vlerësoi këtë vit. Ky është jo vetëm një përmirësim i dukshëm prej 32 vendesh në krahasim me vitin e kaluar, por është njëkohësisht renditja dhe vlerësimi më i mirë që Shqipëria ka pasur ndonjëherë, që nga viti 2003 kur ky raport u publikua për herë të parë nga Banka Botërore. Treguesit më të mirë janë: 1. Thjeshtimi i dhënies së lejeve të ndërtimit. 2. Marrja e energjisë dhe shpejtësinë së lidhjes në rrjet. 3. Pagesa e taksave. Kurse Fondacioni “Heritage” në raportin e Indeksit të Lirisë Ekonomike për vitin 2016, e rendit Shqipërinë në pozicion shumë të favorshëm në krahasim me vendet e tjera të rajonit. Shqipëria, renditet në vendin e 59 në rang botëror dhe 27 në rang rajonal duke kapërcyer 4 vende nga viti i kaluar. Parametrat që kanë patur përmirësime janë: treguesit për lirinë ekonomike, për të drejtën e pronës, për lirinë nga korrupsioni, për lirinë fiskale, për lirinë monetare. Referuar raportit 2016-2017 Indeksi Global i Konkurrueshmërisë për Shqipërinë vlerësohet me 4.06 pikë dhe sipas këtij vlerësimi, ajo renditet në vendin e 80-të nga 138 vende të përfshira duke lënë pas Greqinë, Serbinë dhe Malin e Zi. Krahasuar me vitin 2015-2016, Shqipëria ka përmirësuar aftësitë e saj konkurruese, çka është reflektuar edhe në renditjen e saj duke kapërcyer 13 pozicione nga vendi i 93-të me 3.93 pikë (për vitin 2015-2016) në vendin e 80-të me 4.06 pikë. Referuar Raportit të 8 të Bankës Botërore për vitin 2015, Shqipëria ka përjetuar rritje ekonomike nxitur nga investimet dhe eksportet neto. Investimet private kanë përfituar nga përmirësimet e klimës së biznesit dhe nga ri pagimi i një pjese të madhe të pagesave të prapambetura të qeverisë për sektorin privat dhe pritet të jenë më të konsoliduara në kuadrin afatmesëm.

Si paraqitet harta e IHD-ve në vendin tonë? Nga cilat vende janë kryesisht investitorët potencialë? Po ata më pak të tillë? A ka ndonjë prurje të re investimesh nga ndonjë vend specifik, së fundmi?

Referuar të dhënave, trendi i interesit të investitorëve potencialë është në rritje. Ndërkohë është rritur ndjeshëm dhe numri i kompanive të huaja që vizitojnë nga afër mundësitë që ofron Shqipëria për investim. Respektivisht:

* Trajtime kërkesash për investim: Gjatë vitit 2015, numri i kërkesave të trajtuara nga AIDA ka qenë rreth 400 përgjatë gjithë vitit. Ndërkohë vetëm gjatë periudhës janar-mars 2016, janë asistuar rreth 185 kompani të huaja, të cilat kanë shprehur interes mbi sektorë të ndryshëm. Kryesisht, kompanitë i përkasin origjinës italiane, gjermane dhe turke. Sektorët më të synuar janë manifakturë, infrastrukturë dhe turizëm. * Kompani që kanë vizituar Shqipërinë:

Vetëm gjatë periudhës janar- mars 2016 janë organizuar dhe ndjekur nga stafi i AIDA-s takime me strukturat përkatëse dhe shoqërime në terren për 112 kompani të huaja, në varësi të natyrës së investimit.

* Shoqëritë me Kapital të Huaj dhe të përbashkët të regjistruara në Shqipëri: Referuar të dhënave zyrtare të QKB-së, rezulton se për vitin 2016 janë regjistruar rreth 1.323 kompani të cilat janë aktive dhe operojnë në sektorë të ndryshëm të ekonomisë shqiptare dhe origjinën e investimit e kanë nga Italia, Greqia, Turqia, etj. Krahasuar me vitin paraardhës kemi një rritje prej +25%, ndërsa krahasuar me vitin 2014 rritja është +43%.

Cila është pesha aktuale e IHD-ve tradicionale nga Italia apo Greqia? A zënë ato më peshën e dikurshme dhe përse?

Greqia vazhdon të jetë një partner shumë i rëndësishëm ekonomik i Shqipërisë. Për vite me radhë ajo ka qenë në krye të listës së partnerëve në tregti dhe në investimet e huaja direkte. Një pjesë e konsiderueshme e aktivitetit ekonomik dhe financiar të Shqipërisë ka qenë e orientuar drejt saj, duke bërë që ekonomitë e të dyja vendeve të jenë të lidhura fort mes tyre. Nëse u referohemi të dhënave për stokun e investimeve rezulton se shteti Greqi është ai që kryeson në Shqipëri për vitin 2015, me një stok të investimeve të huaja prej 1.2 miliardë eurosh në fund të tij, ose +5% më shumë se stoku në vitin 2014. Greqia ka një shpërndarje pothuajse në të gjithë sektorët ekonomik, por peshën më të madhe e zënë aktivitete financiare e të sigurimit dhe industria. Në vend të dytë është Holanda, me një stok prej 688 milionë euro e peshën më të madhe e zënë aktivitetet e informacionit dhe komunikacionit; shëndeti dhe aktivitete të punës sociale, si dhe energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar. Kanadaja është e treta në renditje me 664 milionë euro dhe peshën më të madhe e zë industria nxjerrëse. E katërta është Italia me një stok investimesh të huaja prej 544 milionë eurosh, një shpërndarje kjp pothuajse në të gjithë sektorët ekonomikë, por peshën më të madhe e zënë aktivitetet financiare dhe të sigurimit, industria përpunuese dhe aktivitete profesionale, shkencore dhe teknike. Referuar të dhënave të QKB-së për vitin 2016, rezultojnë 3.916 sipërmarrje italiane aktive në vend. Ato janë përqendruar kryesisht në qarqet e Tiranës, Durrësit, Vlorës dhe Shkodrës. Megjithatë kemi prezencë të kompanive italiane pothuaj në të gjitha qarqet e vendit. Një sektor që është zhvilluar ndjeshëm vitet e fundit është dhe ai i call center, për arsye të krahut të lirë të punës dhe njohjes së gjuhës italiane në Shqipëri. Rritja e raporteve dypalëshe nxitet edhe nga shkëmbimet që sa vijnë e rriten ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë, shkëmbime këto jo vetëm në kapitale, por në lidhjet kulturore ndërmjet dy vendeve. Fakti që në Shqipëri janë rezidentë mbi 19.000 shtetas italianë dhe studiojnë rreth 350 studentë italianë, tregon stadin tashmë të avancuar në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona.

Po investime ruse, ka në Shqipëri? A është shfaqur interes prej tyre dhe a janë afruar ato nga autoritetet shqiptare? Cila është pengesa reale që ekziston mes vendeve tona, në një kohë kur ato janë mjaft të përhapura në rajon. A paraqesin interes këto investime dhe cili është qëndrimi i palës shqiptare ndaj tyre?

Referuar të dhënave të QKR-së, rezultojnë rreth 20 subjekte me kapital rus që zhvillojnë aktivitetin në Shqipëri. Subjektet me kapital rus e ushtrojnë aktivitetin e tyre kryesisht në fushën e shërbimeve dhe në industri. AIDA është e gatshme të bashkëpunojë me institucionet përgjegjëse ruse, në drejtim të zhvillimit të investimeve dhe intensifikimit të marrëdhënieve tregtare mes dy vendeve, duke mundësuar dhe krijimin e partneriteteve mes bizneseve në vendet respektive.

Po IHD-të nga Kina si paraqiten? Ku janë të përqendruara kryesisht ato dhe projektet konkrete që kanë paraqitur. Cilat janë ato të pritshmet dhe për cilat fusha strategjike interesohen.

Marrëdhëniet midis Kinës dhe Shqipërisë tradicionalisht kanë qenë shumë të mira, por vitet e fundit kanë njohur një intensitet tejet të avancuar, në nivelin ekonomik apo dhe në gjithë fushat e tjera. Në kuadër të nismës për bashkëpunim 16 +1 mes Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, është ngritur dhe Mekanizmi i Kontakteve për Agjencitë e Promovimit të Investimeve Kinë-CEEC. Pjesë e këtij mekanizmi është dhe AIDA. Në kuadër të tij, po promovohen mundësitë për investime në vendet respektive si dhe mundësitë për partneritete, organizimin e eventeve të përbashkëta dhe takimeve që synojnë thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore. Në dy vitet e fundit ka një interesim të lartë nga biznesi kinez për Shqipërinë dhe mbi 90 kompani kineze, disa prej të cilëve janë në proces negociatash dhe bisedimesh, kanë vizituar Shqipërinë për të parë mundësitë për investime, tregti, projekte apo mundësi të tjera për investime dhe bashkëpunim me/në Shqipëri. Në fokus të tyre janë projektet në fushën e energjetikës (hidrocentrali i Skavicës), infrastrukturë (në veçanti asaj hekurudhore), zonat industriale, portet, minierave, prodhimit dhe përpunimit të produkteve, “Rrugës së Arbrit”, në fushën e akuakulturës, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, etj. Kompanitë e mëdha kineze kanë shprehur interes për nënshkrimin e kontratave afatgjata me kompani shqiptare që operojnë në fushën e nxjerrjes së kromit në Shqipëri, pasi ata rezultojnë në vitet e fundit të jenë blerësit më të mëdhenj të kësaj lënde të parë. Sipas të dhënave të QKR-së, numri i ndërmarrjeve kineze në Shqipëri është 85. Kompanitë kineze ushtrojnë veprimtari kryesisht në sektorin e tregtisë me shumicë dhe pakicë por ka edhe kompani që operojnë në shfrytëzimin e kromit, hekur-nikelit. Në vendin tonë janë prezent kompani të fuqishme kineze, si: Kompania Huaei e cila operon në fushën e telekomunikacionit dhe bashkëpunon me Eagle Mobile; kompania Tian Nan Chun, e cila po bën studime në zonën e Kalimashit; kompania “Sichuan Jiannanchun” në fushën e minierave, e cila së bashku me kompaninë turke “Kurum”, kanë marrë më koncesion minierat e Kalimashit dhe Vlahinë, si dhe fabrikat e pasurimit të kromit në Kalimash dhe fabrikën e pasurimit të bakrit në Golaj (investimi kap shifrën 20 milion euro), sipas marrëveshjes koncesionare, të nënshkruar më 23 prill 2010. Gjatë vitit 2016, kompanitë kineze kanë shfaqur interes në sektorë strategjikë të Shqipërisë dhe gjithashtu kanë rritur nivelin e tregtisë ndërkombëtare. Kompania kanadeze Banker’s Petroleum, lajmëroi shitjen e të drejtave të eksplorimit dhe prodhimit të naftës tek Kompania kineze Geo-Jade Petroleum për një çmim prej 384.6 milionë eurosh. Banker’s zhvillonte aktivitetin në burimet e naftës të Patos-Marinzës dhe Kuçovës në Shqipëri që prej vitit 2004. Konsorciumi kinez, “Keen Dynamics Limited”, një bashkim i kompanive “China Everbright Limited dhe “Friedmann Pacific Asset Management Limited” (Friedmann Pacific) lajmëroi blerjen e të drejtës së koncesionit të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës. Grupi do ketë menaxhimin e aeroportit deri në vitin 2025, me një dy-vjeçar shtesë deri në 2027 pas miratimit të qeverisë shqiptare. Nënë Tereza është një nga aeroportet që po zhvillohet më shpejt në Europë, ku norma e pasagjerëve po rritet nga 600.000 në 2005-ën në dy milionë në vitin 2015.

Po harta e sektorëve ku janë të përqendruara investimet e huaja si ka ndryshuar? Cilët janë ata më të preferuarit? Dhe a ka ndonjë sektor të ri e që po thith më shumë të tilla e përse? Po në lidhje me sektorin e turizmit si të tillë, cila është qasja që po shfaqin IHD-të. A ka realisht një interes të shtuar të të huajve për të investuar në kuadrin e tij?

Sektorët që kryesojnë: Informacioni dhe komunikacioni është sektori i cili kryeson me stokun më të lartë të investimeve të huaja direkte. Në fund të vitit 2015 sektori ka patur një ndikim të rëndësishëm me një vlerë prej 1.2 miliardë euro. Sektori i dytë është ai i aktiviteteve financiare dhe të sigurimit, stoku i investimeve të huaja direkte të së cilit është në vlerën 860 milionë eurosh. E treta renditet energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar në vlerën 620 milionë euro. E katërta renditet Industria nxjerrëse në vlerën 609 milionë euro. Sa i takon fluksit hyrës vjetor, sektorët më të rëndësishëm që kontribuojnë në vlerën e IHD-ve, për vitin 2015 janë: Sektori i hidrokarbureve dhe i energjetikës. Në një shpërndarje sektoriale, prurjet më të mëdha në formën e investimeve direkte në Shqipëri vijnë nga sektori i hidrokarbureve për rreth 53%. Sektori i energjetikës përfaqëson rreth 27% të flukseve hyrëse të investimeve të huaja direkte. Pra, sektori i industrisë nxjerrëse (hidrokarbureve) e energjetikës konsiderohen sektorët kryesor në thithjen e investimeve duke zënë një vlerë të konsiderueshme në fluksin e IHD-ve. Disa industri me intensitet punësimi, siç janë industria e veshjeve dhe këpucëve kanë tërhequr një numër të konsiderueshëm projektesh. Për sa i përket interesit për zhvillimin e investimeve në turizëm, i cili është dhe një nga sektorët e përcaktuar si strategjik nga qeveria shqiptare, është punuar shumë në drejtim të implementimit të një kuadri të plotë rregullator për zhvillimin e turizmit, i cili rregullon një sërë aktivitetesh të ndryshme duke filluar nga operatorë turistikë deri tek zhvillimi i zonave me prioritet turizmin, apo standardizimin e strukturave akomoduese. Lidhur me këto, duke qenë se AIDA është institucioni përgjegjës për koordinimin e proceseve për zhvillimin e investimeve në sektorë strategjikë, mund të themi se interesi për të zhvilluar investime të një rëndësie të veçantë në turizëm është shumë i lartë. Aktualisht nga 20 projekte investimi strategjike, të shqyrtuara paraprakisht nga AIDA gjatë vitit 2016, 12 prej tyre janë të fokusuara në sektorin e turizëm/marina.

Në fund, përse një investitor i huaj duhet t’i hedhë paratë e investimit të tij në Shqipëri? Cilat janë avantazhet konkrete të një nisme të tillë sipas jush? Dhe çfarë bën në praktikë shteti shqiptar për t’i afruar ata, për të mos i lënë që t’i derdhin burimet e tyre financiare në rajon.

Qeveria e Shqipërisë ka nisur reforma të mëdha për të ndarë rritjen ekonomike me investitorët e huaj. Legjislacioni është përmirësuar në sektorë të ndryshëm. Korniza ligjore e prokurimit publik është e orientuar nga mosdiskriminimi dhe parimet e transparencës. “Ligji për Investimet Strategjike" siguron garanci maksimale ligjore për investitorët e huaj dhe procedura të përshpejtuara nëpërmjet Agjencisë AIDA, e cila do të funksionojë si një dritare unike në shërbim të investitorëve. “Ligji mbi Turizmin" ofron stimuj të rinj për investitorët në sektorin e turizmit. Krijimi i zonave ekonomike me incentiva të dedikuara për investitorët është një stimul për zhvillimin e mëtejshëm. Qeveria e Shqipërisë ka rritur komunikimin me komunitetin e biznesit përmes Këshillit Ekonomik Kombëtar dhe Këshillit të Investimeve, krijuar në bashkëpunim me BERZH. Aktualisht, në drejtim të përmirësimit të klimës së biznesit janë ndërmarrë hapa konkrete : Është krijuar Agjencia e Zhvillimit të Territorit, që do të funksionojë si një “one stop shop” për lejet e ndërtimit. Qëllimi është unifikimi i procedurave të marrjes së lejeve të ndërtimit pranë KKT-së me lejet e ndërtimit pranë njësive të qeverisjes vendore; standardizimi dhe qartësimi i procedurave si dhe shkurtimi i kohës e kostove duke garantuar transparencë. Në të njëjtën kohë, në kuadrin e modernizimit dhe dixhitalizimit të shërbimeve, qeveria shqiptare ka ndërmarrë një projekt për ndarjen e sporteleve të zyrave të ZRPP, sipas një modeli krejtësisht të ri, me standarde dhe procedura të përcaktuara qartë dhe me cilësi të lartë shërbimi duke realizuar ndarjen e sporteleve ku ofrohet shërbimi nga institucionet që prodhojnë shërbimin. Gjithashtu, nëpërmjet bashkimit të QKR-së dhe QKL-së, (krijimi i një one-stop-shop-i të unifikuar për regjistrimin dhe licencimin), synohet të krijohet edhe modeli i konsolidimit të shërbimeve të biznesit në një dritare të vetme. Këtyre shërbimeve do t’u shtohen më vonë edhe shërbime të tjera të ofruara biznesit për të reduktuar maksimalisht vizitat fizike në shumë institucione dhe për të lejuar unifikimin më tej të shërbimeve nëpërmjet sistemit online. Regjistrimi i biznesit ka shënuar përmirësim cilësor në raport me një vit më parë. Sot, me regjistrimin në QKR bëhet automatikisht edhe regjistrim në organet qendrore dhe lokale të tatimeve, sigurimet shoqërore dhe Inspektoriatin e Punës. Procedura e regjistrimit të biznesit është shkurtuar nga 24 orë në 8 orë pune, ndërkohë që është mundësuar regjistrimi online për biznesin si dhe përmes portalit e-Albania, duke eliminuar pritjet e gjata në sportelet e QKR, shkurtuar kohën dhe kostot për biznesin. Procedurat për regjistrimin e pronës janë shkurtuar. Nga të dhënat e Zyrës Kombëtare të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme rezulton që koha mesatare për regjistrim është ulur në 5.9 ditë nga 22 ditë që ishte në raportin e mëparshëm “Doing Business”. Në vijim, po punohet në drejtim të një sërë reformash rregulluese: si liberalizimi i mëtejshëm i tregut të energjisë, diversifikimi i burimeve të energjisë, përmirësimi i kuadrit ligjor e rregullator për rrjetet broadband të shpejtësisë së lartë, konsolidimi dhe defragmentarizimi i tokës bujqësore, standardizimi i sektorit të turizmit, reduktimi i barrierave për biznesin, implementimi efektiv i planit kombëtar për uljen e nivelit të kredive të këqija në sistemin bankar, implementimi efektiv i strategjisë së axhendës dixhitale, rritja e kapaciteteve institucionale për kërkim dhe inovacion, lehtësimi i tregtisë nëpërmjet bashkëpunimit ndërinstitucional, etj. Gjithashtu, po punohet në drejtim të realizimit të studimit të fizibilitetit për ndërtimin dhe përmirësimin e korridorit Adriatiko- Jonian, përmirësimi dhe ndërtimi i infrastrukturës së Portit të Durrësit, studimit të fizibilitetit për ndërtimin e Aeroportit në Jug, etj.

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: