Intervista/Barbullushi: Sëmundjet kronike po kthehen në epidemi

Intervista/Barbullushi: Sëmundjet kronike po kthehen në epidemi
Shefi i shërbimit të nefrologjisë dhe hemodializës në QSUT, Myftar Barbullushi, ka theksuar nevojën emergjente të ndërhyrjes për parandalimin e këtyre sëmundjeve, duke filluar që nga ndërgjegjësimi i vetë pacientëve për kontrollet e hershme

Sonila Isaku

Sëmundjet kronike po shndërrohen në një shqetësim madhor për shëndetin e shqiptarëve, veçanërisht të moshave të rritura. Krahas evidentimit në rritje të rasteve të reja me hipertension, diabet, dëmtim të veshkave, sëmundje kardiovaskulare dhe mbipeshë, po shfaqet në rritje edhe niveli i vdekshmërisë së shkaktuar prej tyre, teksa edhe kostot e trajtimit po bëhen të papërballueshme. Bluzat e bardha thonë se këto sëmundje, janë të trajtueshme nëse kapen në stadet e hershme, si dhe kur bëhet kujdes me stilin e jetesës dhe faktorët e tjerë të riskut.

Shefi i shërbimit të nefrologjisë dhe hemodializës në QSUT, Myftar Barbullushi, ka theksuar nevojën emergjente të ndërhyrjes për parandalimin e këtyre sëmundjeve, duke filluar që nga ndërgjegjësimi i vetë pacientëve për kontrollet e hershme, përmirësimin e trajtimeve mjekësore, si dhe ndërhyrjes nga shoqatat dhe strukturat drejtuese të shëndetit në hartimin e politikave të duhura parandaluese.

 

Profesor, cilat janë sëmundjet kronike më të shpeshta që hasen te shqiptarët?

Aktualisht nëse i referohemi sëmundjeve kronike, sot jemi para një bumi të sëmundjeve kronike, i cili ka ndikuar dhe do të ndikojë shumë, jo vetëm në jetëgjatësi, por sidomos në sëmundshmërinë tonë. Sot sëmundjet e zëmrës, diabeti, tensioni i lartë, sëmundjet e veshkës dhe një sërë elementësh të tjerë, kanë marrë dimensionet e një epidemie. Mesazhi që do të kishte vlerë sot, nuk është mjekimi i këtyre sëmundjeve, sepse shkenca ka treguar që është e paaftë të shërojë të tilla sëmundje; sot, mesazhi i mjekëve është parandalimi i tyre. Sëmundjet kronike janë të tilla që mund të parandalohen lehtë, por të parandalosh një sëmundje, nuk është e lehtë, pasi nuk është problem mjekësor, por problem social. Duke qenë se është social, kërkon mbështetjen e politikës, e organizatave sociale, të medias dhe së fundi, të mjekëve të cilët duhet të jenë pjesë e këtij grupi që duhet të trajtojë këtë problem.

Cilat janë disa nga të dhënat më të fundit që kemi mbi sëmundjet kronike?

Po e nis me sëmundjet e veshkave. Sot, të dhënat tregojnë se një në çdo dhjetë vetë, vuan nga humbja, dëmtimi i funksionit të veshkës. Kjo shifër është alarmante. Dhe po ti shtosh kësaj shifre edhe faktin se vetëm në 10 vitet e fundit, ka rritje të numrit të personave që kanë dëmtim të funksionit të veshkave deri në 82%, pra, kemi rritje të jashtëzakonshme, do të thotë që sëmundjet e veshkave duhen marrë me shumë seriozitet. Kjo jo vetëm se kanë rritur sëmundshmërinë,  por ajo që është më e rëndësishmja, është se kanë rritur dhe konsumin e buxhetit. Të dhënat tregojnë se pas diabetit, sëmundjeve të zemrës dhe kancerit, sëmundjet e veshkave po marrin një pjesë të madhe në buxhet. Dihet mirë se dializa, transplanti etj., kanë kosto të lartë.

Përveç sëmundjeve të veshkave, çfarë sëmundjesh të tjera mund të veçojmë?

Natyrisht, bashkë me veshkën është një “trio” e sëmundjeve, duke futur diabetin, sëmundjet e zemrës dhe hipertensionin. Nëse shohim sëmundjet e enëve të gjakut në tru, nëse shohim sëmundjet e zemrës, hipertensionit dhe diabetit, të gjitha kanë diçka të përbashkët atë që ne e quajmë fenomenin e arteriosklerozës, dëmtimin e enëve të gjakut. Duke qenë se këto janë 3-4 organe më të vaskularizuara, më me shumë enë gjaku, për pasojë janë edhe më të predispozuara për tu prekur, pasi në themel është dëmtimi i enëve të gjakut. Në themel të dëmtimit të enëve të gjakut, është mbipesha, yndyrnat, jeta sedentare, stresi etj. Natyrisht shtrohet pyetja se si do të kurohen? Nuk ka se si mjekohen enët e gjakut, ato parandalohen.

Nëse shikoni kardiologjinë, ajo ka bërë progres të jashtëzakonshëm në uljen e vdekshmërisë në botë, është ulur vdekshmëria nga sëmundjet e zemrës gjatë 10 viteve të fundit, pasi njerëzit të cilët humbnin jetën nga sëmundjet e zemrës, sot mund te vendosin një stendë të kryejnë “by pass” etj,.  Por, mos harroni që ky kontingjent i cili shpëton nga zemra, do të kalojë tek problemet e veshkave. Nëse një person ka probleme të dëmtimit të enëve të gjakut dhe korrigjon një pjesë, që është pjesa e zemrës, është e vështirë të korrigjosh atë pjesë që është pjesa e veshkës. Dhe ky kontingjent i cili ka kryer këto ndërhyrje, ka bërë të rritet në mënyrë të jashtëzakonshme edhe numri i të sëmurëve që kanë probleme me veshkat.

Meqenëse ishim te dëmtimi i enëve të gjakut, çfarë mund të bëhet me këtë pjesë?

Parandalimi i dëmtimit të enëve të gjakut lidhet me dy elementë, i pari ka të bëjë me mjekun e familjes  dhe ndryshimi i stilit të jetesës. Po ndryshuam stilin e jetesës, po hoqëm sa të kemi mundësi makinën, po shtuam lëvizjen e përditshme, po ulëm ngarkesën në ushqime në mënyrë absolute ne ulim edhe sëmundjet kronike.

Po mjeku i familjes çfarë roli ka?

Mjeku i familjes ka rolin kryesor. Ka një citat interesant në Tomas Edison i cili thotë “mjeku i familjes nuk kuron, ai parandalon”. Mjeku i familjes nuk është ai që na kuron, është ai që na tregon brenda familjes se si duhet të ushqehemi, si duhet të sillemi me aktivitetin fizik, si duhet të sillemi me jetën tonë shpirtërore dhe fizike.

A janë të përgatitur mjekët e familjes në këtë drejtim, për të dhënë këshillat e duhura, pasi ka një skepticizëm sa i takon këtij shërbimi.

Për mjekët e familjes, sot ka nevojë. Ne në programin kombëtar që lançuam një javë më parë, fokusi i punës ishte krijimi i kabineteve epidemiologjike në të gjitha rajonet e Shqipërisë, në bashkëpunim me mjekun e familjes. Ne kemi bindje që për tu realizuar kjo gjë, natyrisht, duhet një program edukues edhe nëpërmjet medias, me mjekun e familjes.

Profesor, po i rikthehem edhe një herë dëmtimit të enëve të gjakut. Çfarë problemesh sjellin dëmtimet e enëve të gjakut te shëndeti i një personi që ka probleme me to?

Pacientët që kanë dëmtim të enëve të gjakut, mund të shfaqin hemorragji cerebrale, infarktin, humbjen e funksionit të gjakut, sytë, insuficienca kardiake etj.

Si janë rastet me insuficiencë kardiake?

Edhe evidentimi dhe trajtimi i pacientëve të prekur nga kjo gjendje, mbetet problematik. Kjo pasi 10-15 për qind e të prekurve, nuk marrin fare trajtim, duke  u identifikuar më pas në stadet më të rënda të sëmundjes, ndërsa 50 për qind e pacientëve që trajtohen, nuk marrin mjekimet e përshtatshme.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: