Ishulli i Sazanit, një tjetër destinacion turistik këtë verë

Ishulli i Sazanit, një tjetër destinacion turistik këtë verë
Ishulli i Sazanit është një atraksion turistik më shumë këtë vit.

Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Industrisë, Milva Ekonomi si dhe ajo e Mbrojtjes, Mimi Kodheli nënshkruan të mërkurën marrëveshjen e bashkëpunimit për lejimin e turistëve për vizita turistike në ishullin e Sazanit.

Ekonomi u shpreh se: Jemi në prag të fillimit të sezonit turistik veror dhe tour operatorët shqiptarë, agjencitë turistike kërkojnë të kenë më shumë produkte turistike për turistët dhe një kërkesë e vazhdueshme që kam bërë është aksesi që mund të kenë në ishullin e Sazanit.

Ministrja e Mbrojtjes, Kodheli e konsideroi turizmin si një degë shumë të rëndësishme të ekonomisë shqiptare dhe për këtë shprehu gatishmërinë për të vënë në dispozicion të turistëve, asetet e ministrisë së Mbrojtjes që ndodhen në vendet turistike, duke e vënë theksin te siguria.

Ministrja Kodheli gjatë fjalës së saj u shpreh: Sot bota, sidomos brigjet e Mesdheut janë të trazuara dhe të shqetësuara për shkak të gjithë ngjarjeve gjeopolitike në këtë zonë dhe shumë turistë sot preferojnë të mos frekuentojnë vende me një rrezikshmëri të lartë. Ajo çka ne duhet të bëjmë është siguria e bregdetit tonë, gjë për të cilën ne punojmë çdo ditë. Por njëkohësisht për vetë faktin që shumë nga repartet ushtarake ndodhen në vende të spikatura të një bukurie të veçantë natyrore siç është bregdeti shqiptar, ne duhet dhe mund të krijojmë mundësinë e vizitimit të këtyre zonave edhe nga turistët, e cila e bën sigurisht më atraktiv të gjithë qëndrimin e tyre.

Marrëveshja do të lejojë përdorimin e ishullit për qëllime turistike nga fillimi i muajit maj deri në fund të tetorit, pikërisht gjatë kohës së sezonit veror.

/e.g/

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: