“Karaoke”, fenomeni i muzikës ku publiku “pushton” skenën

“Karaoke”, fenomeni i muzikës ku publiku “pushton” skenën
Një vështrim mbi fenomenin “karaoke” në mjediset e argëtimit në Shqipëri. Pse pëlqehet e pse jo. Pse ndryshon ky lloj spektakli i trajtuar në Shqipëri, nga “karaoke” jashtë saj. Rrëfimi i një prej këngëtareve më të njohura të kësaj fushe të argëtimit, këngëtares Juna Vata.

nga Juela Meçani

Ka shumë versione mbi kohën apo vendin ku ka lindur fenomeni “karaoke” në muzikë dhe kur është bërë i njohur për publikun. “Karaoke” është, në fakt, fenomeni i vetëm në muzikë ku publiku ka vendin kryesor.

Fjala “karaoke” vjen nga gjuha japoneze, “kara” që do të thotë “boshllëk” dhe “okesutora” që do të thotë “orkestër”; pra, fjalë për fjalë, ka kuptimin e “orkestër bosh”. Të gjithë e dimë, tashmë, që është e vetmja mënyrë e argëtimit në muzikë ku një amator merr mikrofonin, del në skenë duke zgjedhur këngën që do, me muzikën në sfond dhe fjalët e tekstit në një ekran.

Historianët shkruajnë se fenomeni ka lindur në Japoni, në vitet ’60, dhe është pjesë e zakonshme e mënyrës japoneze të konceptit të argëtimit, bashkësi me muzikë, ushqim dhe humor.

Më pas u bë i njohur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe, në vitet ’80-’90, shumë i ndjekur në Itali, aq sa prezantuesi i njohur Fiorello, i dedikoi dhe një show, mjaft, të famshëm në televizion.

Por “karaoke” është fenomen që kërkon lirshmëri dhe mungesë kompleksesh të jashtëzakonshme, kërkon sportivitet dhe autoironi. Ndryshe është e pamundur të jesh pjesë e këtij fenomeni. E duke marrë parasysh zakonet, traditat, ndrydhjen frikën nga gjykimi i të tjerëve, që mbizotërojnë në realitetin tonë social, në Shqipëri erdhi shumë vonë si fenomen, vetëm në vitin 2005.

Edhe në ditët e sotme, në mjediset argëtimit dhe të jetës së natës, nuk mund të quhet karaoke e vërtetë. Por, përse?

Takojmë për këtë, një nga personazhet më të njohur në kryeqytet si këngëtare e karaokes, pra, artistja që ndihmon, shtyn, ngroh masën e publikut, të dalë në skenë.

Ajo quhet Juna Vata, e nga shumë të rinj, njihet si pjesëmarrëse në show televiziv, Big Brother, në edicionin e tij të parë. Nuk ka dyshim që Juna është vajzë simpatike bionde, me tipare të theksuara, të nevojshme për një skenë. Juna takohet në drekë me ne, sepse zgjohet vonë. Fundjava e saj me aktivitete, e mban zgjuar deri në agim.

Mësoj nga Juna që ka filluar të këndojë përpara pjesëmarrjes në Big Brother, qysh në shkollë të mesme, duke u prezantuar me sukses në Top Fest - show ku ka qenë pjesëmarrëse disa herë. Aty krijoi kontaktet dhe njohjet e para me artistë dhe gazetarë. E pyes se përse mori pjesë në Big Brother, kur ndërkohë kishte pasion këngën.

“Lexova për formatin e Big Brother. Isha e apasionuar pas “Grande Fratello” në Itali, dhe vendosa të marr pjesë. E mbusha formularin me lehtësi, por pa e vrarë mendjen. Në juri ishin të gjithë njerëz që njihja nga lidhjet e punës. Donte mjaft kurajë, atëherë, të merrje pjesë në një show si ai. Mbi të gjitha, unë isha shumë e lidhur me familjen, ndaj ishte një sprovë për mua, se si mund të jetoja vetëm. Është një përvojë ndryshe nga sa e prisja, por më bëri të njohur e këtë e shfrytëzova për këngën, për muzikën. Menjëherë, pasi dola, fillova punë me karaoken në Shqipëri dhe Kosovë. Në ato vite ishte përvojë e re për këdo. Kur  dëgjoj si këndoja atëherë, jam e kënaqur që kam ecur shumë në mënyrën e të kënduarit. Duhet të mendoni që është një mënyrë e të kënduarit live” , - na rrëfen Juna.

E pyes këngëtaren se, përse zgjodhi karaoken dhe jo ndonjë zhanër tjetër.

“Në Shqipëri nuk ka pasur traditë të muzikës “karaoke”. E kam nisur me Këngët e Shekullit. Kam mësuar nga profesor Robert Radoja. Në ato vite, në karaoke këndonin këngëtarët më të njohur. Mësova prej tyre, këngë shumë të dashura për publikun, “Vajzat e fshatit tim” ose “Topa bore hedhin shokët tanë” e mjaft të tjera si këto, nga festivalet. E zgjodha sepse është muzikë “live”, kërkon intonim, zë dhe impakt me skenën, por edhe shkathtësi. Në skenat shqiptare “karaoke” shikohet ndryshe. Nëse jashtë Shqipërisë njerëzit janë të lirshëm, e marrin me humor, mund edhe të kenë pirë, edhe të stonojnë apo të ngatërrojnë fjalët, por ata për këtë arsye e zgjedhin karaoken, ndërsa në Shqipëri, ka ende shumë ndrojtje, ndrydhje, komplekse, mendojnë se, ndoshta, shokët apo publiku do t’i vërë në lojë. Këtu qëndron dhe zotësia e këngëtarit mbështetës. Të çlirojë publikun nga emocionet”, - na sqaron ajo.

 

Mësojmë nga Juna se është e diplomuar në degën e Ekonomi-Financë, por na thotë se ka qenë ëndrra e prindërve që ajo të ishte financiere, jo e saj.

“Prindërit, - na tregon ajo, - kishin gjithmonë dyshimin se arti në Shqipëri nuk vlerësohet sa duhet e se do të më duhej një profesion “rezervë”. Pra, në një farë mënyre, kam realizuar edhe pasionin tim, edhe ëndrrën e tyre. Por për mua, tashmë, kënga është profesion. Kam një aktivitet mujor, të cilin e menaxhoj vetë. Për fat të mirë, kam një zë të lindur, dhuratë do ta quaja. Madje, nuk e ruaj sa duhet. Të kënduarit live, ka të mirat e veta, sepse zëri lodhet, por është edhe në zhvillim apo përmirësim të vazhdueshëm.”

 

Juna Vata, si mjaft këngëtare të reja si ajo, kujdeset shumë për pamjen e jashtme, veçanërisht për veshjen. Interesohemi të dimë se kush kujdeset për këtë aspekt dhe ajo na rrëfen se “në Shqipëri edhe ky aspekt funksionon shumë ndryshe, mbrapsht, do të thosha. Ne investojmë vetëm vetë, kujdesi për veshjet e çdo aspekt të lidhur me pamjen, është investim yni. Edhe nëse do të doja të publikoja një këngë apo videoklip, do të më duhej të investoja po vetë. Është për të ardhur keq që gjërat funksionojnë kështu. Është vetë këngëtari i cili duhet të paguajë për këngën, veshjet, shtëpinë diskografike. Në fakt, një talent që zbulohet, që të rritet, duhet të përkrahet dhe jo e kundërta. Uroj që kjo të ndryshojë një ditë!”

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: