Klasat e pesta provim në 23 maj, ja përmbajtja e testit

Klasat e pesta provim në 23 maj, ja përmbajtja e testit
Në 23 maj, të gjithë nxënësit e klasave të 5-ta do të testohen. Provimi do të përfshijë tre lëndë: atë të gjuhës shqipe, matematikës dhe lëndëve të tjera shkencore. Autoritetet e arsimit pohojnë se testimi nuk do të jetë penalizues për përsëritjen e vitit për ata që do të marrin pikë minimale, por do të jetë një test për të parë nivelin e ciklit fillor.

Udhëzimi

Klasat e 5-ta në të gjithë vendin do të testohen nga Agjencia Kombëtare e Provimeve. Testimi do të kryhet në datën 23 maj dhe për herë të parë në këtë cikël do të përfshihet vlerësimi në tre lëndë kryesore: gjuhë shqipe-lexim, matematikë dhe lëndët e tjera shkencore. Me anë të udhëzimit nr.10 , të nxjerrë nga Ministria e Arsimit tre ditë më parë, është parashikuar që ky testim të fillojë në orën 10.00 dhe do të zgjasë 1 orë e 30 minuta. Sa u përket nxënësve me aftësi të kufizuara, ata do ta zhvillojnë këtë provim me anë të programeve të tyre që punojnë, duke parashikuar këtu veçoritë dhe standardin e tyre. “Me mbarimin e klasës së 5-të të bëhet një vlerësim për arritjen e njohurive të nxënësve në këtë nivel, i cili do të zhvillohet në 23 maj në tre fusha: në matematikë, gjuhë dhe shkencë. Do të jetë një vlerësim, testet e të cilave do të hartohen nga Agjencia Kombëtare e Provimeve (AKP) dhe do të korrigjohen nga AKP-ja”, thuhet në udhëzim.

Provimi

Provimi i klasave të 5-ta nuk do të ketë nota dhe as penalitete për nxënësit që do të dalin dobët në të. Rezultatet do t’i duhen Ministrisë së Arsimit për të parë nivelin e arritjes në përfundim të ciklit të fillores. “Është një testim i cili nuk do të vlerësohet me notë, por do të jetë një vlerësim me pikë, i cili do të përcaktohet sipas tre fushave që do të jetë në ndihmë të Ministrisë së Arsimit, por edhe vetë shkollave”, pohojnë burime zyrtare nga MAS-i. Sa i përket vlerësimit të përgjigjeve të nxënësve, ai do të bëhet me pikë, të cilat do të ekuivalentohen me notë, ku vlerësimi maksimal i testit është 50 pikë.

Urdhri i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit parashikon procedura të rrepta, të ngjashme me testimin e Lirimit dhe të Maturës. “Largësia përmes nxënësve të jetë jo më pak se 120 cm; në mjediset e testimit nuk duhet të ketë postera; nxënësit ulen me fytyrë nga i njëjti drejtim dhe provimi mbikëqyret nga një administrator që nuk i përket shkollës ku po kryhet testimi”, thuhet në rregullore. Procedurat e zhvillimit të testit përfshijnë struktura arsimore si Agjencia Kombëtare e Provimeve, Instituti i Zhvillimit të Arsimit, Njësitë Arsimore Vendore, Qendra e vVlerësimit të Testeve në DAR/ZA, administratorë gjatë testimit, administratorë të sekretimit. Nxënësit duhet të paraqiten në ambientet e shkollës një orë para nisjes së testimit.

Projekti pilot

Ministria e Arsimit këtë vit po piloton testimin e arritjeve të nxënësve të klasave të pesta në nivel kombëtar, por pritshmëritë janë që vitin e ardhshëm testimi të jetë i detyrueshëm, si një provim lirimi të cilin e bëjnë aktualisht klasat e 9-ta. Por për të realizuar këtë, duhen ndryshimet në ligjin e arsimit parauniversitar.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: