Koment nga Apollon Baçe për Albanian Free Press: Vlera e pesë aeroplanmbajtëseve të klasës “Nimic”

Koment nga Apollon Baçe për Albanian Free Press: Vlera e pesë aeroplanmbajtëseve të klasës “Nimic”
Nga Apollon Baçe

Ky shkrim është përgatitur, posaçërisht, për gazetën Albanian Free Press

Sipas policisë greke, në janar-mars të këtij viti, kjo polici kishte kapur 3.5 tonë marihuanë. Paksa më tepër se policia Italiane. Sipas faqes zyrtare të MPB (rubrikës me emrin e çuditshëm “Ky është Buletini Mujor i punës së Policisë së Shtetit”), në të njëjtin hark kohor, “Policia e Shtetit vijon operacionet anti-cannabis, në të gjithë vendin… 420 forca policore vijojnë kontrollet… Policia e Vlorës ka sekuestruar 10 kg lëndë narkotike (shoqëruar me 7 fotografi, si selfie maturantësh)... U arrestuan 3 persona, me 10 kg kanabis... U kap me 10 kilogramë kanabis, në pikën kufitare…” Si i tillë, 10 kilogramshi dukej si njësi matëse droge, si metri apo litri. Aq sa edhe “një oficer policie që u arrestua në Shkodër, u kap me 10 kg kanabis”. Diçka nga skema dilte “qytetari A. Canametaj, i arrestuar në stallën e bagëtisë, në fshatin Likmetaj-Ishëm, për 3.5 kg Cannabis Sativa”.

Nisur nga parimi “kjo polici nuk është si ajo tjetra”, buletini policor nuk i fshihte asgjë publikut. Deri edhe “u arrestua në flagrancë shtetasi D.R., pasi në fshatin Trush, drejtonte pa leje dhe i dehur motoçikletën Vespa...”. Shkurt “tuttë, OK!”: Policia në krye të detyrës, “Drejtuesi Madhor” i policisë, në krye të detyrës dhe shefi i Drejtuesit Madhor të policisë, po në krye të detyrës.

Befas, papritur e kujtuar: Nëntë ditë më parë, buletini lajmëroi, thatë, dhe pa lajle-lule se “Operacioni i koduar “Konteineri”, kapi në Mat, 2 tonë e 53 kilogramë kanabis” dhe pa kaluar java, lajmëroi përsëri, thatë-thatë, se “Operacioni i koduar Pagria, kapi në fshatin Pagri në Përmet, 11.650 kg cannabis sativa... Lajmi u mor në rrugë operacionale, nga një telefonatë anonime.” Si e tillë, sasia prej 13073 kilogramësh e cannabisit të kapur brenda javës, është sa 14-fishi i sasisë së kanabisit të kapur, gjatë 1400 ditëve të PS në pushtet.

Sipas buletinit të tregut të zi - http://www.havocscope.com/black-market-prices/marijuana-prices/, - i cili e përditëson çmimin, sipas të dhënave të Zyrës së Drogës të Kombeve të Bashkuara (United Nations Office on Drugs), çmimet e ditës së djeshme, ishin 110 dollarë/grami në Emiratet e Bashkuara, 39.70 në Qipro, 13.2 në Greqi, 11.3 në Itali dhe 1.3 në Bangladesh dhe Shqipëri. Kjo diferencë shpjegohet, nga që në Emirate të mbysin po u kape me drogë, ndërsa Bangladeshi dhe Shqipëria janë prodhuesit kryesorë të kanabisit në Euroazi. Si e tillë, sasia prej 13703 kilogramësh i korrespondon vlerës 154.843.900 dollarë për Italinë dhe 178.139.000 dollarë për Greqinë. Media e pasqyroi me dembelizëm këtë lajm, si lajm të dorës së dytë. Por nëse nisemi nga popullsia e SHBA-së, 100 herë më e madhe se ajo Shqiptare, kjo shumë i korrespondon 17 miliardë dollarëve në Amerikë dhe si zor që simotrat e medies sonë CNN ose New York Times, ta kalonin skiç, sa “ëndrra e një nate vere”, lajmin se u kapën 17 miliardë dollarë drogë.

Ndërkohë, 13 tonët e drogës së kapur, janë 1/10 e majës së ajsbergut, d.m.th., 1/100 e ajsbergut. Bazuar në rregullën e treshit, nëse Guardia di Finanza vrojton se, në 16% të territorit të fotografuar nga ajri, ka 265 mijë rrënjë kanabis, në 100% të territorit, ato janë 1.6 milionë, çka nisur nga minimalja 0.8 kg marihuanë e përpunuar për rrënjë, do të thotë 1.300.000 kg.” Me çmimin mesatar 13.000 dollarë/kg, vlera e saj është 17 miliardë dollarë, sa 5 aeroplanmbajtëse moderne të klasës “Nimic”. Ndërkohë, diçka dhe prenë policët kosarë, diçka dhe kapën policët Italianë a grekë (maksimumi 20%), diçka fituan dhe shpërndarësit e huaj, por, nga ana tjetër, varietetet me cikël 45-ditorësh, e shumëzojnë disa herë këtë shifër.

Dy tonët e Matit, janë një rast, edhe 12 tonët e Përmetit, janë një rast. Një rast mund të jetë rastësi, por dy raste brenda një jave, në kahje komplet të kundërta nga Mati në Përmet, nuk janë kurrsesi rastësi. Ato janë ligjësi. Kush është shkaku i kësaj ligjësie? Së pari, me cilat ngjarje të afërta, lidhet kjo ligjësi?

Rast më i afërt, është shkarkimi në 10 mars i Tahirit të cilin, disa, e patën kurorëzuar mbret të drogës. Ndërkohë, vështirë se beson kush në aftësitë bonapartiste të Xhafës që për 3 javë, ta riorganizonte aq mirë policinë sa që të kapte 180 milionë dollarë drogë.

“Jugu është gjelbëruar nga cannabisi, nën hundën e policisë... Drejtues të policisë janë bërë bashkë me trafikun e narkotikëve”, - u tha të tërëve dhe Ramës, nga fillimi i shkurtit (kur bashkëjetesës koniugale PS/LSI, i kishte ardhur fundi), Tavo i LSI-së. “Jam arrestuar për hetimet kundër kontrabandistëve të drogës. I kam ndaluar kur po udhëtonin me veturën e ministrit të Brendshëm shqiptar dhe ishin kushërinj të Ministrit të Brendshëm”, - i tha Corriere della Serra-s, ish shefi i Antidrogës në Fier, Zagani, i arrestuar nga Tahiri për dekonspirim të Guardia di Finanza-s të trafikut të drogës. Vetë gazeta e përfundon intervistën me frazën: “Policia zvicerane i ka vënë Zaganit pseudonimin Serpico, - emrin e atij policit që i zbuloi New York Times-it, sistemin e korruptuar të policisë amerikane të drogës.” Dhe, nëse policia e Zvicrës, falë Zaganit, e njeh mirë sistemin e korruptuar të policisë shqiptare, nuk e njihka atë policia greke, Antidroga Italiane, BND gjermane, DEA amerikane? Kjo të çon drejt skenarit që Ramës ju tha: “Shiko dhe rregullo drogën, për të tjerat mos u shqetëso shumë!” - therjes së pulës Tahir të vezëve të arta, këputjes provizore të “Hotline”, direkt, kryedelinkuent/ministër të përmendur nga Zagani (që përfundonte me “E mmorrrre vesh??? Mbylle, menjëherë, të thashë!!!!). Ky vakum “hotlajni”, bëri që t’i shkasë një fije 3 milionëshe, çorapes nylon dhe sipas ligjit të çorapes nylon, po iku një fije e çorapes nylon, ikin edhe të tjerat dhe kështu iku fija e dytë, 15 milionëshe.

“Fshatarëve shqiptarë u këshillohet që kanabisi të mbillet në oborret e tyre, me premtimin se askush nuk do i prekë, në këmbim të votës”, - shkruan “Kristeligt Tidende”. “A është efekti i narkotikëve në diferencën, spektakolare, të zgjedhjeve në Dibër?” – pyet, retorikisht, Dule i PBDNj-së, duke shtuar: “Ua kemi imponuar ne, me varfërinë dhe skamjen. I intereson vetëm buka e përditshme e fëmijëve!”

E tëra kjo, të çon në mirëkuptimin e asaj çadrës së çuditshme, me persona të çuditshëm, që dëgjojnë muzikë të keqe dhe hanë pica të pashije, por subjektivisht/objektivisht, mundohen të ndalin një mynxyrë!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: