Koment për gazetën “Albanian Free Press”: Ju rujt Zoti - Nga Edison Ypi

Koment për gazetën “Albanian Free Press”: Ju rujt Zoti - Nga Edison Ypi
Ky shkrim është përgatitur, posaçërisht, për gazetën Albanian Free Press

Sado i madh e i papërmbajtur, vullneti diabolik i diktatorit, nuk mund të ishte i mjaftueshëm për atë mal me spiunime, internime, burgosje, pa ndihmën tuaj të pakursyer dhe të gjithfarllojshme. Për këtë bashkëpunim të vullnetshëm, për këtë komplicitet kriminal, duhet të ndjeheni fajtorë. Duhet tu kërkoni ndjesë. Sidomos duhet ti falenderoni viktimat për vuajtjet e tyre, pa të cilat vuajtje, Liria dhe të mirat që gëzoni sot nuk do ishin të mundura. Mirpo hiç nuk ju vjen zëri. Pranimin e fajit, kërkimin e ndjesës, falenderimin, aspak nuk i keni ndërment. Përkundrazi, edhe pas një çerek shekulli viktimat tuaja vazhdoni ti përbuzni, ti shkelni, ti shfrytëzoni, ti torturoni, deri duke i djegur me benzinë. Jeni aq të pafytyrë, aq të këqinj e aq të zinj, sa me një pafytyrësi të paimagjinueshme, sjellësit e Lirisë i bëni dhe fajtorë. Ky është një mëkat e një turp aq i madh sa për të mos ju rënë damllaja të gjithëve që këtë çast, mundet me ju rujt vetëm Zoti të cilit duhet ti luteni. S'ka problem se Zotin nuk e besoni. Zoti i madh i ndihmon edhe ata që nuk e besojnë.

Dosjet e Sigurimit, herët a vonë, do hapen një ditë. Kur të merret vesh se në ato dosje e vetmja e vërtetë do jenë rrenat e Sigurimit dhe të zagarëve, do bëhet një tollovi aq e madhe sa do ju ikin trutë e kokës. E vetmja gjë do mund të bëni kur dosjet e rrenave do hapen, është t'i luteni Zotit t'ju ruj trutë e kokës të mos fluturojnë por të rrinë ku e kanë vendin.

Ta lejosh dhe durosh qeverisjen e bijve bastardë të etërve kriminelë, është diçka e pa marrë me ment, diçka përtej çdo përfytyrimi. Megjithatë po ndodh. Askush nuk mumd të dalë nga kurthi ku e ka futur veten. Vetëm Zoti të cilit duhet ti luteni me gjithë shpirt me ju rujt, mund t'ju shpëtojë nga një lemeri e tillë.

Ta shesësh e ta blesh votën, llaftariset kushdo që e dëgjon. Nuk ka ndodhur kurrkund deri më sot. As te të egjrit e Afrikës, kanibalët e Polinezisë, majmunat e xhunglës, eskimezët e akullnajave. Është tmerr me pasoja katastrofike prej të cilit vetëm Zoti, nëse i teket natyrisht, mundet me ju rujt.

Mbillni, prashisni, ujitni, korrni, grumbulloni hashash në sasira kolosale. Por vjen ua merr policia. Policia nuk vjen sepse e ha meraku për hashishin tuaj sado kolosal. Policisë venë e i thonë, venë i spiunojnë për hakmarrje ata që mbjellin më pak se të tjerët. Policia, duke mos pasur nga t'ja mbajë, përderisa s'dini ta fshihni, hashashin vjen ua merr. Zoti ju rujt ju ngordhalaqët që dini të vidhni por s'dini të fshihni.

Kur bota ndërtonte lokomotiva, aeroplanë, grataciela, zbulonte penicilinën, formulonte relativitetin, bënte luftra, ja nxitë jetën Ismail Qemalit që mes një mijë vështirësish mezi e kompozoi qeverinë e parë. Qysh atëhere e deri më sot, pas më tepër se një shekulli, ende nuk e keni ndërtuar një shtet për së mbari. Nuk do bëni dot kurrë shtet. Ideja juaj e shtetin është sa e gabuar dhe e hileqare. Sipas jush shteti nuk është një shumatore kufizimesh për të mirën e të gjithëve, por një autoritet imagjinar brenda kokës tuaj që ju mundëson të punoni sa më pak e sa më keq duke përfituar sa më shumë. Ju rujt Zoti sa të djallëzuar jeni.

Diktatori "luftonte" me superfuqitë e botës e lidhej e zgjidhej me to sa herë i tekej më pa teklif se Don Kishoti me mullinjtë e erës. Donkishotizmat ja llogarisnit për trimërira, merita, heroizma, lavdira, dhe e duartrokisnit, i faleshit. Çmimi në rritje i pehlivanllëqeve perverse të diktatorit shtonte fukarallëkun e të gjithëve. Të vërtetën katastrofike mbi heroizmat imagjinare të diktatorit ju ende nuk e kuptoni. Me këtë budallallëk kriminal me përmasa rrënqethëse ju ende mahniteni, atë ndyrësirë ende e kujtoni. Ju rujt Zoti sa hajvanë jeni.

U deshën shekuj që femrat të emancipoheshin. Tani, jo pak prej jush që s'lini bordello pa vajtur dhe femër pa lakmuar, femrat doni ti mbuloni përsëri. Ju rujt zoti nga kjo ligësi më e zezë se ferexhetë e grave që Mbreti vizionar Ahmet Zogu ua hoqi femrave shqiptare qysh dhjetra vite më parë.

Kur një shqiptar duhet ti spjegojë një shqiptari tjetër ku ndodhet një vend, pyetsi dhe spjeguesi bëhen lëmsh me këmbë e me duar, kurrë nuk merren vesh. Shqiptarët e sotëm nuk dinë ti përcjellin verbalisht adresat. Askush nuk di të deskriptojë një vendndodhje. Zoti ju rujt që dini Alfabetin, dini shkrim e këndim, por nuk dini Shqip.

Gjeni turlilloj justifikimesh për të ikur nga vendi më i bukur dhe më i begatë i botës drejt bodrumeve të metropoleve për të larë tasat dhe pjatat nga yndyrat e të ngopurve të botës. Ju rujt Zoti nga qorrimi dhe shurdhimi.

Preferoni lëngjet thartira të tregut para dhallës shekullore. Ju rujt Zoti mos vdisni njëzet vjet para kohe.

Romani "Tre shokët" ju duket libri më i bukur në botë. Ju rujt Zoti nga rënia në humnerë me gjithë makinë ndonjë natë të errët kur do kaloni andej nga Mokra duke menduar për leximet më të mira.

Shihni filma shqiptarë. Kjo s'ka shërim. Vetëm, nëse është në qef kur do ta lusni, Zoti mund t'ju ruaj nga damllaja.

Nga shpifjet, trillimet, intrigat, fantazitë e çmendura, e keni bërë njëritjetrin me fol me vete. Ju rujt Zoti nga kanceri në fyt.

Ka dhe plot të tjera që nuk po ua them se po ti dini mund të sëmureni aq rëndë sa nuk do keni fuqi as sa për t'ju lutur Zotit.

Po edhe sa më sipër nuk janë fort të sigurta. Mëkatoni aq tepër, sa s'ka shenjtor që ju dëgjon, s'ka Perëndi që ju shpëton, s'ka Zot që ju run.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: