Konkurrenca: Pozita dominuese në tregjet shqiptare

Konkurrenca: Pozita dominuese në tregjet shqiptare
Qytetarët shqiptarë vazhdojnë të vidhen teksa blejnë karburant, cigare, qumësht, apo edhe kur presin siguracione makinash e paguajnë për shërbimet bankare. E gjitha kjo, si pasojë e situatave monopol apo pozitave dominuese të disa kompanive në tregjet përkatëse. Dukuri negative kjo, ekzistenca e së cilës konfirmohet edhe nga vetë Autoriteti i Konkurrencës.

 ***

Në tregjet shqiptare ka monopole, por edhe pozita dominuese të një apo disa kompanive kundrejt të tjerave. Dukuri kjo që konfirmohet nga vetë Autoriteti i Konkurrencës në raportin e tij publikuar së fundmi e që u diskutua dje edhe në komisionin parlamentar të Ekonomisë. Dhe që ka si pasojë pikërisht abuzimin me çmimet në to, e duke i detyruar kështu qytetarët shqiptarë të paguajnë më shtrenjtë për produkte apo shërbime që do kushtonin më lirë nëse në tregje nuk do kishte kompani që “komandojnë”.

Konkretisht, sipas AK-së, në një treg mjaft të ndjeshëm për qytetarët shqiptarë, siç është ai i karburanteve, “konkurrenca mes firmave është e dobët dhe zgjedhja e konsumatorëve orientohet jo nga çmimi, por drejt logos së stacionit të pakicës”. Madje, AK shkon edhe më tej, duke pohuar se “në nivelin e pakicës, çmimi i shitjes është më pak dinamik, duke mos reflektuar atë të blerjes”. Për të përmendur madje edhe emrin konkret të një kompanie që operon në këtë treg, si “Kastrati”, duke pohuar se ndaj saj ngrihen dyshime pikërisht për vendosjen e çmimeve “padrejtësisht të larta”.

Po në këtë sektor, AK ka denoncuar edhe shkeljen e konkurrencës për furnizimin me karburant të avionëve. “Pavarësisht se nga 1 janari 2015, ka përfunduar ekskluziviteti i tregtimit të karburanteve për avionë, në zonën e Aeroportit të Tiranës, ky treg mbetet monopol i shoqërisë “Air BP”, si i vetmi operator që ofron këtë shërbim”, citohet në raportin e Autoritetit të Konkurrencës. Teksa përmendet edhe shkresa e Shoqatës së Hidrokarbureve për monopolin sipas saj, të furnizimit me naftë të avionëve në aeroportin e Rinasit, duke u ankuar se operatorët e saj nuk kanë mundësi të tregtojnë karburante për avionë.

Por gjithashtu, Konkurrenca përmend edhe sektorin e duhanit, duke cituar se kompania “Mika Korça” sh.a. zotëronte pozicionin e monopsonistit (blerësit të vetëm) në treg, gjë e cila në fakt nuk bie ndesh me ligjin,  Por ama sipas ekspertëve të Konkurrencës, “fuqia që ka kjo ndërmarrje për vendosjen e çmimeve të blerjes dhe mungesa e konkurrencës në blerjen e produktit duhan, përbën indicie se mund të abuzohet me pozitën dominuese”. E për një arsye të tillë, ata kërkuan edhe hapjen e këtij tregu, ndërsa ministria e Bujqësisë vetë është “zotuar” se kjo situatë nuk do të ndodhë më.

Pa harruar as edhe tregun e sigurimeve, ku rritja e menjëhershme e çmimit të siguracioneve të makinave prej të gjitha kompanive, e ka detyruar AK-në të hetojë brenda tij e të pohojë edhe ai vetë se “rritja në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën masë, nga të gjitha shoqëritë e sigurimit, përbën një sjellje të bashkërenduar”. Mjafton të kujtojmë se të gjitha shoqëritë e sigurimit kishin caktuar datën 24 gusht 2016, duke e rritur çmimin në të njëjtën masë, me 16.7%.

Sikundër, shkelje të konkurrencës janë dyshuar gjithashtu edhe në tregun e qumështit, ku janë marrë pikërisht në hetim ndërmarrjet “Lufra” dhe “Erzeni” të cilat zotëronin 75%- 80% të tregut, e të cilave u është kërkuar edhe analiza e pasqyrave financiare, pikërisht për të parë arsyet e mosreflektimit të shitjeve të rritura nga 2-5 herë, në rezultatin financiar.

Por nga hetimi i Autoritetit të Konkurrencës nuk janë përjashtuar as bankar, konkretisht për depozitat, kreditë, llogaritë rrjedhëse etj. “Banka duhet të parashikojë në kontratën e llogarisë dhe të depozitës, mënyrën e marrjes së njoftimit dhe pëlqimit të klientit për ndryshimin e kushteve apo të afateve të kontratës, para se të aplikojë ndryshimin”, ishte një nga porositë e lëna nga AK-ja në fund të këtij hetimi.

Prokurimet publike, edhe aty shkelen rregullat

 Tenderimet janë një fushë tjetër ku Autoriteti ika konstatuar se operatorët krijojnë marrëveshje të ndaluara 

 Prokurimet publike, janë një tjetër fushë ku Autoriteti i Konkurrencës ka konstatuar sërish shkelje të rregullave të konkurrencës. Kujtojmë këtu se një hetim i ndërmarrë prej këtij institucioni ka qenë pikërisht ai në tregun e prokurimit publik për sinjalistikën e akseve kombëtare rrugore. Rezultati i tij ishte dalja me një kërkesë zyrtare që të nxitet edhe pjesëmarrja e operatorëve të vegjël dhe të mesëm ekonomikë, por edhe atyre të huaj në këtë garë. Si edhe “shmangia e bashkimit të operatorëve si një faktor që rrit sipas AK-së bashkëpunimin afatgjatë në dëm të konkurrencës”.

Por prokurimet publike, kanë shfaqur edhe dukurinë e marrëveshjeve të ndaluara. Kujtojmë se një rast i tillë ka qenë pikërisht prokurimi publik “Për ruajtje objektesh 2015”, ai gjatë të cilit, nga ana e ekspertëve të Konkurrencës u krijua dyshimi se mes operatorëve që janë paraqitur në garë mund të ketë patur një të tillë. Dhe kjo, bazuar në faktin se 6 operatorë kishin paraqitur të njëjtën ofertë ekonomike me vlerë të barabartë për lotin e Tiranës. Edhe në një rast të tillë, si edhe në të tjerat për prokurimet publike, Autoriteti i Konkurrencës ka dalë me rekomandimin që të mos ekzistojnë marrëveshje të fshehta mes operatorëve, pasi prishin rregullat e konkurrencës.

2016, Autoriteti i Konkurrencës

ka hequr dy të drejta ekskluzive

Gjatë vitit të kaluar 2016, përveç hetimit në disa tregje të ndryshme Autoriteti i Konkurrencës ka dalë edhe me vendimin mbi dy të drejta ekskluzive. Konkretisht, fjala është për rastin e së drejtës ekskluzive për infrastrukturën hekurudhore Fier-Ballsh dhe Fier-Vlorë dhe atë të vlerësimit të tregut të shërbimit të kontrollit teknik të detyrueshëm të mjeteve rrugore.

Në lidhje me të parën, ekspertët e AK-së i kërkuan ministrisë së Transporteve që në zbatim të kontratës së koncesionit tarifat e autoritetit kontraktor të ishin të orientuara drejt kostos.

Kurse në lidhje me të dytën, ata i rekomanduan po ministrisë së Transporteve që t’i kërkonin koncesionarit SGS, që të krijonte më shumë se një mundësi për përfitimin e këtij shërbimi nga qytetarët në Tiranë, e në një periudhë më të gjatë kohore që ky kontroll të ofrohet nga më shumë se një operator.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: