Kosovë, BE kërkon votimin e shpejtë të Demarkacionit në Kuvend

Kosovë, BE kërkon votimin e shpejtë të Demarkacionit në Kuvend
Komisioneri për çështje të brendshme dhe migracion, Dimitris Avramopoulos, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës dhe të ‘gjitha partive politike në vend’ që ta procedojnë sa më shpejt për votim në Kuvend marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Komisioneri Avramopoulos thuhet t’i ketë dhënë Kosovës mbështetjen e plotë në hapat e fundit drejt procesit të liberalizimit të vizave.

“Komisioneri Avramopoulos ka njohur përpjekjet e Kosovës për të ratifikuar marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe e ka inkurajuar kryeministrin Mustafa dhe qeverinë e tij dhe të gjitha partitë politike që ta procedojnë sa më shpejtë atë për votim në Kuvend”, thuhet në një kumtesë të përbashkët të komisionerit të BE-së dhe kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa.

Kryeministri Mustafa ka qëndruar në Bruksel ku është takuar me komisionerin për cështje të brendshme dhe migracion, Dimitris Avramopoulos, me të cilin thuhet të ketë hapur çështjen e pezullimit të përkohshëm të kushtit të ratifikimit të marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, për liberalizimin e vizave. /e.a/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: