Kreditë, jo më për blerje shtëpie, por për konsum

Kreditë, jo më për blerje shtëpie, por për konsum
Ekzistonte dikur iniciativa për të marrë një kredi, që të blije shtëpi... Por tashmë, duket se realizimi i kësaj dëshire të madhe është reduktuar vetëm në përmbushjen e atyre më të voglave që kemi në jetën tonë të përditshme. Të tilla si marrja e një kredie për të blerë makinë, të paguash studimet e shkollës, apo edhe të bësh një palë pushime. “I doja një palë pushime të vërteta, prandaj nuk ngurrova të nisem drejt bankës për të kërkuar një kredi të posaçme me këtë qëllim. Dhe arrita t’i marr, plot 2 mijë euro”, tregon për “Albanian Free Press”, 32-vjeçari Arbër S. Për të shtuar më tej faktin se këto para’ ai me bashkëshorten e tij i shpenzoi në Shqipëri, madje edhe se i tepruan, duke i lejuar vetes që të shlyente me to disa detyrime të vogla të mbetura pezull. Ky është vetëm një rast i atyre që kategorizohen si “kredi konsumatore” dhe që sipas Bankës së Shqipërisë në raportin e saj të fundit, tashmë e kanë tejkaluar nivelin e “kredive për shtëpi”. Konkretisht, me një nivel rritje deri +30% këtë vit, kundrejt rënies prej -4.9% të kategorisë së këtyre të fundit.

Ka madje dhe raste të tjera, me argumenta akoma më specifike rreth konceptit “konsum” si i tillë, që individët paraqesin para ekspertëve bankarë për të përfituar një kredi. “Nuk mund ta lija pa festuar ditëlindjen e vajzës sime. Ka qenë mjaft i rëndësishëm për mua përvjetori i saj i dhjetë. Prandaj tërhoqa një kredi rreth 700 mijë lekë për ta realizuar këtë dëshirë”, tregon Migena Gj.

Vijuar me një dëshmi akoma më interesante, siç është ajo e një vajze me inicialet M.I. e cila ka mundur të marrë një kredi prej  2 milionë lekësh pranë një banke, vetëm për të mundësuar  pagesën e avokatit të saj, kundrejt ndjekjes së një çështjeje gjyqësore.

Që të gjitha, raste të cilat përfshihen në atë zë që banka i cilëson argumenta “për të plotësuar nevojat”, kundrejt atyre “për të rritur standardet e jetesës”. Dhe që në total, rezulton se paraqiten si faktorë të cilët kanë ndikuar në një rritje të dukshme të kredive konsumatore.

Konkretisht, gjithmonë sipas shifrave të Bankës së Shqipërisë, këto argumenta kanë ndikuar në rritjen me nivelin prej 17.4% të këtij lloji kredie. Kundrejt ndikimit me vetëm 5.4% që ka patur nevoja për financimin e blerjes së një shtëpie, për t’iu drejtuar sportelit të kreditimit në një bankë. E për të treguar kështu, se nevojat për financimin e konsumit si të tillë, i cilitdo lloji qoftë ai, tashmë janë kthyer në një prioritet për individët, për ta shtyrë ndoshta në një kohë më të largët ëndrrën e blerjes së një shtëpie.

Kushtet për të marrë kredi, më të lehtësuara për ato konsumatore

Të marrësh kredi për blerjen e një shtëpie, duket se e ke më të vështirë sesa të marrësh një kredi konsumatore. Këtë e konfirmon vetë Banka e Shqipërisë, sipas së cilës, për këto të fundit, kushtet e përcaktuara në tërësi nga bankat e nivelit të dytë që operojnë në vendin tonë janë paraqitura më të lehtësuara gjatë këtij fillimviti. “Standardet u lehtësuan si për kreditë konsumatore, ashtu edhe për kreditë për blerje banese, ndonëse këto të fundit në një masë më të vogël”, cilësojnë ekspertët e Bankës së Shqipërisë lidhur me një dukuri të tillë.

Për të shtuar më tej, se në tërësi, standardet e kredisë akorduar ndaj individëve shfaqën një lehtësim në tremujorin e parë të këtij viti. Dhe se për tremujorin e dytë të vitit 2017, bankat presin që standardet e kredisë për blerje banese të mos ndryshojnë, ndërsa ato për kreditë konsumatore të lehtësohen edhe më tej.

 

BIE BESIMI

Rënia e besimit të individëve tek ekonomia si e tillë, duket se ka qenë edhe një ndër faktorët kryesorë që kanë ndikuar negativisht në rënien e kredisë për individët. “Prania e burimeve alternative, besimi konsumator dhe zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme kanë ndikuar negativisht kërkesën për kredi të individëve”, citojnë konkretisht ekspertët e Bankës së Shqipërisë në raportin e tyre të fundit. Kujtojmë ndërkaq, se po nga ky institucion u konfirmua së fundmi edhe dukuria se individët paraqesin më pak besim tek zhvillimet ekonomike në vend, krahasuar me bizneset, të cilët paraqiten më shumë optimistë se ata.

30.2%

Është shënuar rritja e nivelit të kërkesës së kredisë për konsum nga individët këtë fillimviti, kundrejt rënies prej -4.9% për blerje shtëpie

17.4%

Ka qenë ndikimi i nevojës së individëve për financimin e konsumit në marrjen e një kredie, kundrejt vetëm 5.3% i asaj për blerjen e një shtëpie

Shpërndajeni me miqtë tuaj: