Kujtesa negative

Kujtesa negative
Nga Apollon Baçe

Ky shkrim është përgatitur, posaçërisht, për gazetën Albanian Free Press

Kujtesa negative, në kuptimin e kujtesës përgjegjësi, nuk mund të shkarkohet e tëra shpatullave të autokratit. Edhe ndërgjegjja kolektive e popullit ka hisen e saj. Gjermanët e quajnë atë “kollektivschuld”, faj kolektiv i cili duket se gjallon edhe pasi diktatura ja lë vendin demokraturës. “Nuk ia dha sigurimi lotët popullit për të qarë Enverin” tha në gjyq Hekuran Isai. As Shik-u nuk e detyroi popullin të zhytej firmave piramidale, as Rilindja nuk e ndal atë të ngrihet kundër taksave, rritjes së çmimit të karburantit, shembjes së apartamenteve dhe shpenzimeve delirante për Veliera.

Fjala më domethënëse për ndërgjegjen kolektive shqiptare (më saktë për mungesën absolute) është llapi. “Ç’ju desh të llapte” është reagimi dhe dënimi i “ndërgjegjes kolektive” ndaj individit idealist: Kur je rehat e bukur, ç’punë ke të merresh me të drejtën e lirisë.

Nuk jam i një mendje as me frazën “Ishim bashkëvuajtës dhe bashkëpërgjegjës për komunizmin”. Pse na qenkësh bashkëpërgjegjës Qazim Kokoshi i dënuar me pushkatim nga Zogu, i arrestuar nga Italianët, i deportuar nga Gjermanët dhe i torturuar dhe i vdekur nga komunistët? Pse Berisha a Ruçi qenkëshin bashkëvuajtës me Qazim Kokoshin? Nuk i torturoj a dërgoj kush në Spaç a Qafë Bar. As unë nuk kam qenë banor i Spaçit dhe nuk kam të drejtë etike të shkruaj për të djeshmen. Për të sotmen ndoshta.

Nëse Buchenwaldi dhe Ausschwitzi janë memorialë që Gjermanët i ngritën turpit të tyre, simbole të ndjesës dhe pendesës për vuajtjet që u sollën jo Gjermanëve, Spaçi a Qafë Bari janë memorialët që Shqiptarët duhet ti ngrinin turpit të tyre, simbole të ndjesës dhe pendesës për vuajtjet që Shqiptarët u sollën idealistëve Shqiptarë.

“Lasciate ogni speranza, voi ch'entrate / Braktisni çdo shpresë ju që keni hyrë këtu” do shkruante Dante në portat e ferrit. Kjo dhe i përshtatet Spaçit të kthyer në varrezë të shpresës. Në një peizazh lunatik me shpate të pjerrët ngjyre të pisët dhe karkasa ndërtesash të braktisura. Në një botë termitesh mirditore që gllabëron çdo gjë: tela me gjemba, llamarina, dyer dhe dritare të kalbura, hekura betoni. Edhe pak dhe Spaçi do kthehet në ish Spaç, si ish të përndjekurit dhe ish pronarët, që vazhdojnë të jenë po të përndjekur dhe ish pronarë dhe që nuk i do askush.

Kursyer në të është vetëm betoni pa hekur, si ato shkallët që mbartin dy gurët me mbishkrimin “Të rinjtë e Dioqezës së Sapës kujtojnë vuajtjet e mijëra shqiptarëve viktima te diktaturës. Këto male janë dëshmitare të torturave. Shtegtimi në burgun e Spaçit është kujtese nderimi për ata që kane thirrur me të madhe të drejtën e lirisë. 31. 03. 2007.”

Kjo dhe është gjithçka. Asnjë shenjë tjetër nga shtetit, nga ndonjë organizatë, qoftë edhe nga ata parazitët e OJQ-ve. Për 25 vjet Spaçi i flakur në hiç është në hiç dhe nga këto 25 vjet, gjashtë janë të PD-së nr. 1, tetë të PS nr. 1, tetë të PD-së nr. 2, katër të PS-së nr. 2.

Vetëm në 2009 u arrit që monumenti i kulturës i kategorisë së parë nr. 108: “Lëndina e Dragobisë ku me 30 maj Enver Hoxha ka zhvilluar bisedë me banorët e zonës”, të ja linte vendin monumentit të kulturës së kategorisë së dytë Mir. 005 Burgu i Spaçit. Dhe, ndonëse World Monuments Watch këmbëngul se “Nuk ka asnjë memorial për të dënuarit politikë të komunizmit në Shqipëri... Është tejet e ngutshme kërkesa për një memorial përkujtimi, ndërgjegjësimi dhe edukimi... I tërë kompleksi është në një gjendje tejet të avancuar degradimi dhe shkatërrimi (njëri nga 50 monumentet më të rrezikuar në botë)”, nuk gjendet që nuk gjendet dot fondi për projektin e rehabilitimit.

As e djathta nr. 1, as e majta nr. 1, as e djathta nr. 2, as e majta nr. 2 nuk gjetën dot për 25 vjet 200 mijë euro. Kaq kushton faza e parë e projektit, lirë dhe fare lirë. Kjo pasi memoriali i Spaçit kërkon gjëra gri, të pa formë dhe të shëmtuara, si jeta në atë që Dostojevski e quan “Shtëpia e vdekur”. Thjesht pak metra kub beton të hirtë, tela të ndryshkur me gjemba, vagonë të prishur dekovili, dyshekë kashte, gaveta dhe lugë alumini. Dhe këto 200 mijë euro janë sa gjysma e atij monumentit në trajtë banje publike që PD-ja i ngriti pavarësisë në cepin e Parkut Rinia, sa 1/8 e fondeve të Bunkartit, sa 1/10 e kullë gjirafës së Korçës, të shëmtuar sa s’ka. Dhe për tu azhurnuar me marrëzitë e fundit, sa 1/30 e simbolit të kotësisë dhe kapriçios diktatoriale: Velierës 6 milionë euroshe.

Ndërkohë gjetja e këtij 200 mijë euroshit qesharak për një shtet, se ku ngec, se ku devijon, seku pengohet. Së pari tek mungesa absolute e kujtesës historike, e ndjenjës së fajit kolektiv të popullit (a ka delja faj kur theret?).

“Ballafaqim i hapur me të shkuarën” thotë Rama për Bunkartin nr. 1. (me të shkuarën e kujt? “Kjo ishte dhoma e Enverit... Në rast sulmi atomik ajri do hynte i filtruar.”) “Sot, ne kemi çelur derën e një thesari të kujtesës sonë kolektive…Të një mozaiku të ngërthyer nga memoria kolektive e ngarkuar majtas dhe djathtas… Instalacionet bashkë me dhomat autentike të shefave të regjimit të vjetër janë një dëshmi kuptimplotë e mundësisë që të krijon kjo hapësirë për të krijuar hapësira të reja të të imagjinuarit, të të menduarit, të të bashkëjetuarit përmes fuqisë së artit.” Dhe pasi e lexon këtë “arsyeja që i bëhet arsyes sime, ma dobëson kaq shumë arsyen time, saqë me arsye...” Ballafaqohesh me dyshimin jam i marrë unë, apo e marrë është marrëzia”.

Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, vjen e të nëpërkëmbet edhe e dhembshura madhe Kumbaro me keqardhjet e saja për “përgjuesin e pakënaqur të viteve 70, i cili qahej se në çdo vend të botës spiunët i gjen me para, ndërsa në Shqipëri i gjen falas”. Po Spaçi? Nuk na mjafton Bunkarti, tashti na doli edhe Spaçi.

Nga njëherë të duket e drejtë shprehja “kur nuk bën populli, populli duhet ndërruar”. Po, por bashkë me “udhëheqësinë” e zgjedhur nga populli.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: