Kur bota zbulon Shqipërinë! - Nga Alfred Peza për gazetën Albanian Free Press

Kur bota zbulon Shqipërinë! - Nga Alfred Peza për gazetën Albanian Free Press
Nga Alfred Peza

Në përfundim të Europianit të futbollit 2016 në Francë, spektakli i qytetarisë masive dhe i krenarisë së tifozëve shqiptarë, duket se tërhoqi më shumë vëmendjen e mediave ndërkombëtare, sesa paraqitja dinjitoze e kuqezinjve. Disa syresh, nga më prestigjiozet e kontinentit, shkruan në fund të eventit me germa të mëdha: Bota zbulon Shqipërinë! Duke na dhuruar ndoshta për herë të parë në histori, zbulimin më të bukur që të huajt i kanë bërë ndonjëherë shqiptarëve në Ballkan. Një moment që me siguri është bërë një shtysë e re dhe një arsye më shumë për shumëkënd, që të kërkojë më shumë informacion, e të bëhet shumë herë më tepër kurioz për Shqipërinë. Shenjë e qartë se herët ose vonë, boom-i turistik në këtë vend do të ndodhë, si më parë edhe në vendet fqinjë e rrotull nesh. Pas së cilës, industria e turizmit, do ta zërë më në fund vendin që ka merituar prej kohësh, si një nga shtyllat kryesore mbi të cilën do të qëndrojë në këmbë, ekonomia jonë kombëtare.

Mu kujtua ky detaj i 10 muajve më parë, ndërsa jam duke komunikuar këto ditë me një mikun tim italian, që prej një jave ndodhet së bashku me familjen, për një tur turistik nëpër Shqipëri. Megjithëse ai vetë ka qenë shumë herë vitet e fundit në Tiranë, udhëtimi i tyre nga Kruja në Tropojë, nga Shkodra në Berat, nga Vlora përgjatë bregdetit në Sarandë dhe Gjirokastër, është pak të thuash se i ka surprizuar. Pa llogaritur këtu, habinë e mrekullueshme të bashkëshortes së tij gjermane dhe fëmijëve të tyre, të cilët e kanë për herë të parë ardhjen në Shqipëri. Nuk reshtin së dërguari live miqve të tyre kudo në botë, foto, video dhe komente entuziaste, për çdo vend që shohin e ku ndalojnë. Duke mos e fshehur se jo vetëm që janë të dashuruar tashmë me shikim të parë me këtë vend, por se kanë filluar të bëjnë plane konkrete, për të blerë edhe ndonjë pronë në rivierën shqiptare.

Ky dhe shumë e shumë shembuj të tjerë të përditshëm, tregojnë se as piramidat financiare fillimisht, e as remitancat e emigrantëve deri dje, nuk ishin e nuk janë zgjidhje për Shqipërinë. Ne nuk kemi as treg, as burime njerëzore dhe as mundësi të tjera që të zhvillojmë industrinë e rëndë, përpunimit në cikël të mbyllur të mineraleve, prodhimit të pajisjeve teknologjike, automobilave apo industrinë kimike. Turizmi është industria që mund të na shkojë, e mund të na rrijë më mirë se çdo gjë tjetër, të gjithëve si popull. Me një strategji të qartë, ajo mund të shndërrohet shumë shpejt, në minierën tonë kombëtare mbi tokë, të cilën deri më sot kurrë nuk e kemi shfrytëzuar sa dhe si duhet. Zoti na ka falur qindra kilometra linearë bregdet të mrekullueshëm, liqene, lumenj e ujëra pafund, afër 300 ditë në vit me diell dhe një klimë mesdhetare fantastike. Të gjitha këto dhe pozicioni gjeografik në udhëkryqin e destinacioneve kryesore turistike të botës, përbëjnë një bazë solide për një investim afatgjatë.

Veç të tjerash, vetë industria globale turistike, ka nevojë çdo vit për zbulime dhe destinacione të reja, për të joshur nevojat gjithnjë e në rritje të njerëzimit. Kjo dhe shumë arsye të tjera, kanë nxitur vitet dhe muajt e fundit, një serial të pafund shkrimesh në mediat më prestigjioze të globit për alpet, peisazhet anekënd vendit, plazhet fantastike, qytetet tona të vjetra e të reja dhe sitet arkeologjike e destinacionet ende të virgjëra të natyrës dhe jetës sonë shoqërore. Futja e Shqipërisë në top listat e destinacioneve turistike ndërkombëtare për këtë vit, bëjnë të besosh se më në fund, bota vërtetë na ka zbuluar. Jo vetëm kaq, por është nisur tashmë drejt nesh për të na eksploruar. Duke dhënë garanci të qarta e të forta, se kjo industri mund të mbajë edhe tek ne, një peshë të krahasueshme që ky sektor mban prej dekadash edhe në Mal të Zi e Kroaci, e pse jo pak vite më vonë, aq sa edhe në Greqi, Itali e Turqi.

Ulja që qeveria i bëri pak ditë më parë TVSH-së (tatimit mbi vlerën e shtuar) për turizmin, nga 20% në 6%, duke e bërë atë më të ulëtën në rajon, e bën të ardhmen e kësaj industrie akoma edhe më të sigurt. Sepse konsiderohet nga ekspertët e fushës, si një masë që nxit investimet e mëdha vendase e të huaja në resortet e munguara me standarde ndërkombëtare, në fshatra turistikë, në industrinë e argëtimit, në hoteleri, rrjetin gjithnjë e më të konsoliduar të bareve e restoranteve. Por edhe në industrinë e detit, aq të pazhvilluar e të prapambetur që kemi trashëguar historikisht. Ku jo vetëm peshkimi, por edhe investimet në portet e jahteve, nxitjen e agjencive turistike për sjelljen e një numri gjithnjë e më të madh të kroçierave, futjen e Shqipërisë në guidat e tureve rajonale të grupeve të mëdha turistike që lëvrijnë nëpër Adriatik e Jon, rritjen e fluksit të udhëtimeve me tragete, eksplorimet e sportet nënujore, etj do të sillnin boom-in e vërtetë e të munguar turistik në Shqipëri.

Një boom që do të ndikonte jashtëzakonisht shumë, edhe në nxitjen e sektorëve të tjerë të rëndësishëm si infrastruktura gjithfarësh, pronat e patundshme, ndërtimi, bujqësia, blegtoria, industria agro-ushqimore, punësimi, infrastruktura dhe shkollat profesionale. Si në një enë gjigante komunikuese, të gjithë këta sektorë, do të nxisnin të rinjtë por edhe fasha të tjera të popullsisë, që të investoheshin në dije e njohuri të reja, për të krijuar më pas biznese që ndoshta ende nuk ekzistojnë, për shkak të mungesës së kërkesës në treg. Një fushë ende e pashkelur mbetet sektori i teknologjive të reja digjitale, me anë të të cilit mund të krijohen mjaft aplikacione për të lidhur tregjet dhe harmonizuar shërbimet, nevojat dhe kërkesë- ofertat. E gjitha kjo, do ti jepte një zhvillim të panjohur më parë edhe turizmit familjar, investimeve të reja e moderne në vreshtari, ullishte, agrume, sera dhe industrinë agro-ushqimore.

Sinjalet e para shumë pozitive janë dhënë gjatë vitit të kaluar, për të cilin u raportua se të ardhurat në raport me 2015 u rritën me 13% ose e thënë ndryshe, me 175 milionë euro. Numri i turistëve të huaj gjatë 2016 u rrit me 33% ndërkohë që sipas INSTAT, mbi 1.5 milionë persona e kanë vizituar vendin tonë, vetëm për qëllime të pastra turistike. Turizmi ditor u rrit me 165%, ndërsa udhëtimet e shtetasve të huaj në Shqipëri për qëllime biznesi u shtuan me 46%. Kjo bëri që vendi ynë të përfitonte në totalin e vet një shumë prej 1.5 miliardë eurosh, në formën e të ardhurave direkte nga turizmi. Shuma më e madhe e të ardhurave që kjo industri ka sjellë për shqiptarët në gjithë historinë tonë.

Kaq mjafton për të kuptuar sesa shumë e rëndësishme është për turizmin, jo vetëm konjuktura ndërkombëtare siç ka qenë në vitet e fundit, pas daljes së eurozonës nga kriza ekonomiko-financiare. Por edhe stabiliteti ynë i brendshëm politik dhe social- ekonomik. Pa harruar imazhin e vendit në rajon dhe në botë. Si dhe investimet për rilindjen urbane të qyteteve dhe fshatrave tona, në infrastrukturën urbane, në rrugë dhe ujësjellës. Por edhe në kulturën tonë kombëtare të shërbimit, tek zanatet, gjuhët e huaja dhe në organizimin e eventeve nga më të ndryshmet e të shumëllojshmet kombëtare e ndërkombëtare.

Bota ka nisur që ta zbulojë Shqipërinë. Kemi vite që e kemi ëndërruar dhe e kemi kërkuar këtë moment. Pyetja që shtrohet është: Po ne, a jemi gati që ta presim botën në shtëpinë tonë, siç ajo meriton? Më së shumti, bota drejt nesh nëpër histori, ka ardhur në formën e së keqes. Kemi dashur apo nuk kemi dashur, me të mirat dhe të këqijat e veta, dera jonë ka qenë e hapur. Tani që bota po na vjen në formën e të mirës, nuk besoj se kemi luksin që ta shkelmojmë atë.

Ky shkrim është përgatitur, posaçërisht, për gazetën Albanian Free Press

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: