Le të flasim për miqësinë …

Le të flasim për miqësinë …
 

 

Jeta është si bregu i detit. Përgjatë saj, ne shohim po aq fytyra sa ç’ka gurë bregu, dhe, ndërsa shëtisim aty, tentojmë të mbledhim gurët më interesant… Sepse të grumbullosh miq, nuk është një ritual i thjeshtë mbledhjeje gurësh, por seleksionim i tyre.

Disa lloje miqësish…

- E dashur shoqe klase…! “Mbaj mend se më pëlqeu fustani yt, modeli i flokëve dhe çanta me atë ngjyrë të çuditshme, kur erdhe ditën e parë të shkollës!”

Miqësitë e kohës së shkollës, fillojnë nga kaq pak dhe mund të përfundojnë kurdo që ne zgjedhim. Nuk është çudi që shoqja e ngushtë e shkollës fillore, të vazhdojë të jetë, edhe më tej, një mike e mirë. Kur jemi të rinj, dimë pak për ndjenjat, bazohemi të gjërat sipërfaqësore dhe janë ato që na orientojnë miqësitë. Gjërat mund të jenë aq sipërfaqësore, sa mjafton të kesh celularin më të bukur dhe bëhesh lideri i klasës!

Ndërsa kalojnë vitet, fuqia jonë për të bërë miq në klasë, rritet. Jo vetëm bashkë me mundësinë tonë për të njohur dhe ndjerë afeksionin e vërtetë, por edhe bashkë me forcën tonë intelektuale, për të veçuar vlerat që na interesojnë. Në këtë mënyrë, adoleshentët “përshëndesin” mënyrat e sjelljes së të rriturve…, duke mësuar të dallojnë ca thërrime falsiteti dhe hipokrizie. Ndaj fillojnë dilemat, - “Ajo nuk është e sinqertë, miqësia jonë bazohet vetëm te fakti se jemi në të njëjtin kurs dhe unë e ndihmoj në disa ushtrime. Ajo ka interes. Kaq. Në të kundërt, ajo s’do të më fliste me gojë”. Apo kur kupton që miqësitë mund të prishen, nëse shoqja e ngushtë, tenton të joshë të dashurin tënd simpatik, gjë për të cilën betoheshe se nuk ndodh. Ehh, në fund të fundit, kupton që njerëzit nuk janë dhe aq të çiltër, prandaj syzet pink prej fëmije, me të cilën e shihje botën, janë krisur dhe thyer. E dashur, shoqe klase! Ç’të të shkruaj më parë…!

- E dashur, kolege! E dashur, shefe…!“Falë zotit, kam dëgjuar se forcimi i lidhjeve sociale në punë, ka efekte pozitive mbi produktivitetin dhe mbarëvajtjen, sepse në të kundërt…! Në të kundërt, unë s’do ta duroja dot praninë tënde, të padëshirueshme për mua, pompozitetin dhe arrogancën tënde! Por më duhet të hesht, të të përgjigjem, të bashkëpunoj me ty dhe të bëj punën për të cilën paguhem!”

Edhe kjo miqësi, sikurse miqësia e shkollës, është rastësore. Por nëse në klasë nuk na pëlqen një shok, mundemi, thjesht, ta injorojmë dhe të vazhdojmë të ndjekim mësimin, në punë je i detyruar të bashkëpunosh, dhe s’mund të bësh tjetër, veçse të shtiresh që çdo gjë është OK!, duke vënë një maskë. Të gjithë e dimë si mund të jenë miqësitë nëpër institucione, aty gjen çdo gjë veçse miq…! Ose le të tentojmë të përdorim fjalën mik dhe, sërish, të ndihemi në faj për përdorimin e kësaj fjale.

Të zgjerosh rrethin shoqëror nuk do të thotë se po bën miq, edhe pse, shumë prej nesh, quajnë mik një person që e kanë njohur vetëm një herë dhe janë të sigurt që ia mbajnë mend emrin. Miqësia në punë, mund të jetë po aq sipërfaqësore sa edhe miqësia e adoleshentëve, ndaj rekomandohet që, në mjediset e punës, të bëhen biseda të thjeshta të jetës së përditshme (gatimi, veshjet, mobilimi). Është e rëndësishme të ruash kufijtë në punë, sepse nuk të ndalon njeri të bësh miq, por është e vështirë të ndalosh së përhapuri thashethemet për gjërat që ke rrëfyer në mirëbesim.

Personalisht nuk besoj tek miqësitë e vërteta në punë, për aq kohë sa janë në lojë statusi, pozicioni dhe paga. Miqësia në punë është një mit, e dëshiruar, por jo e arritshme. Kthehet në një ekuacion me shumë ndryshore, në momentin ku hyn në lojë paraja dhe pushteti. Sa më shumë kompanitë flasin për miqësi në punë, aq më pak e vërtetë është, sepse nuk mund të ketë miqësi të vërtetë mes jo të barabartëve

 

- E dashur, mike...! “Ke qenë pranë meje, që nga viti i dytë i gjimnazit, deri sot. Ti më njeh, m’i di historitë, zhgënjimet, pikat e dobëta, martesën dhe marrëzitë që kam bërë, të cilat nuk ia kam treguar as motrës sime…!”

Thonë se, miqtë janë mënyra e Zotit për të na kërkuar falje për familjet tona, ndërsa më vjen në mend, fjala popullore “motra jemi, shoqe s’jemi!” Ndonjëherë, një mik mund të jetë më shumë se motër apo vëlla, sepse nuk mjafton, thjesht, të të duan, por çështja është të të kuptojnë, të të njohin telat, të mos gjykojnë. Është e rrallë të gjesh një sintoni të tillë, një linjë të njëjtë kuptueshmërie dhe shikimi në të njëjtin drejtim. Është e rrallë të gjesh një mik para të cilit mund të mendosh me zë të lartë, para se cilit mund t’ia lejosh vetes të jesh edhe qesharak, sepse është e sigurt që të njeh dhe kupton.

Pikërisht sepse është e rrallë, rrezikojmë të mbytemi në mendimet tona, duke mbajtur shumë gjëra brenda nesh, pikërisht, sepse nuk kemi me kë të flasim… Sepse me mijëra modele miqësish, me askënd nuk kemi sigurinë se nuk do të paragjykojë, apo më keq, të paragjykojë. Si përfundim, qëndrojmë vetëm me problemet tona dhe kohën me të ashtuquajturit miq, konsumojmë vetëm thashetheme dhe limonada, kurse për problemet tona të vërteta, shkojmë te psikologu. Shkojmë jo pse besojmë se psikologu do të na e zgjidhë, por sepse të paktën psikologu do të respektojë e etikën profesionale dhe nuk do të na nxjerrë sekretet. Ato sekrete që përbejnë thashethemet tona të parapëlqyera, janë “ushqimi” i ditës së bashku me gazetat.

Miqësia e pastër, ashtu si pavdekshmëria e shpirtit, është shumë e bukur për tu besuar se ekziston, prandaj, deri atëherë, le të pimë bashkë, të shtyjmë kohën pa u thelluar, dhe të zgjerojmë miqësitë në rrjetet sociale!

 

E dashur, mike! Më fal…! “sepse që kur jam martuar, koha nuk më del për asgjë. Fëmija im është një uragan dhe nuk e di si po ia dal. Më mungon ti, takimet tona, dirty martini dhe margaritas!”

Pas martesës femrave iu limitohet, jashtë mase, koha. Ajo çfarë humbasin, në këtë rast, janë çastet e bukura dhe të shpenguara me shoqet e vjetra. Kjo jo se, në këto takime, pritet të ndodhë kush e di çfarë ngjarje, por sepse janë si një kthim pas te rrënjët, tek vetja e para disa viteve. Daljet me shoqet edhe pas martese, janë si një ilaç që duhet marrë, herë pas here, janë takime të mirëpritura për të diskutuar ç’kemi qenë dhe ç’jemi bërë. Në këto raste, matësit e miqësisë konsistojnë jo në numrin e gjërave që mund të diskutosh, por në numrin e gjërave që nuk duhen përmendur më. Një mike të njeh mirë, dhimbjet e tua, pikat e dobëta, ato që ke dashur dhe që s’i ke bërë dot.

Por miqësia e kohëve të sotme, nuk lë hapësirë për idealizma të tilla. Ajo tenton të jetë tepër praktike. Ne rrimë me miq rastësor dhe konvenient, rrimë me gratë e shefave, rrimë me shoqet e pasura, rrimë me atë që ka makinën më të mirë, atë që ka punën më të mirë, me atë që vishet më mirë… Si përfundim, ajo çfarë shkëmbejmë me ta, është thjesht “maska jonë e radhës”

Shpërndajeni me miqtë tuaj: