Liljana Kondakçi: Zërin e kam si në rini, e stërvis çdo ditë

Liljana Kondakçi: Zërin e kam si në rini, e stërvis çdo ditë
 

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Me këngëtaren e madhe të muzikës sonë të lehtë, Liljana Kondakçi, u takova tek lagjja e saj e vjetër. U ulëm për një kafe tek Piazza, siç i thonë të gjithë e nuk e patëm të lehtë të flasim. Aty të gjithë ndaleshin të takonin artisten e njohur por edhe nusen e lagjes së tyre. E me shumë dashuri, ajo ndalonte të fliste me të gjithë. Ishte po ajo Liljanë që kam në mbresat e mia që në vogëli, me buzët e bukura, sytë me bisht, flokët me onde natyrale dhe buzëqeshjen mes dy mollëzave, tipike përmetare, nga e ka dhe origjinën. Ajo më tregon se jeton me djalin, bashkëshorten e tij dhe nipin e vogël 4 vjeçar që është gëzimi i saj i madh. Mbreti i shtëpisë. Por më vë të dëgjoj edhe zërin e nipit të madh 24-vjeçar, i cili jeton në Greqi, djalin e së bijës këngëtare dhe violiniste, si e ëma. E dëgjoj dhe zbuloj me shumë kënaqësi që ka shumë talent dhe një zë të mrekullueshëm. Trashëgim i vyer nga një gjyshe me famë dhe talent të madh. Liljana qëndron krenare për pasardhësit e saj, e kjo ja shton nurin.

 

Ku ju gjen publiku sot?

Unë kam një kontratë të hershme më një nga resortet e plazhit të Durrësit. Aty performoj live e më vjen mirë që, veçanërisht klientët e huaj më ndjekin e më vlerësojnë shumë.

E keni nisur këngën që e vogël?

Po, që në kopsht. Zëri im natyral ra menjëherë në sy dhe kështu vazhdoi në Liceun Artistik e më pas në Akademinë e Arteve. Kisha një zë me një shtrirje shumë të gjerë në nota të ulëta e të larta. E quaj veten me fat sepse zëri nuk më ka ndryshuar fare edhe sot. Nuk kam asnjë vështirësi të këndoj këngë të tonaliteteve të ndryshme. Por edhe jam kujdesur që ta ruaj, nuk pi duhan, nuk pi kafe, ushqehem siç duhet dhe mbi të gjitha e stërvit zërin çdo ditë.

Ju këndoni vetëm live, e preferoni këtë?

Unë nuk e konceptoj dot të kënduarit me playback. E di që sot është mënyra më e përdorur, por unë ndihem keq kur këndoj me playback. Nuk kam atë emocion, atë shpirt, atë interpretim. Më kujtohet në Rimini, ishte organizuar një event i madh që drejtohej nga Silvana Braçe. Këndonin të gjithë artistët me playback. Por unë pas këngës së parë nuk u ndjeva mirë. Në skenë ishte vetëm një djalë në tastierë. I them, të lutem më shoqëro ti në këngët që do. Unë vij pas teje. Dhe vetëm ashtu munda të këndoj me të gjithë pasionin tim. Sinqerisht unë e vlerësoj një artist vetëm kur këndon live. Aty duken vlerat e tij të vërteta.

 

Më tregoni një mbresë mbi rastet kur vinin të huajt në Shqipëri. Ju kujtohet ndonjë detaj i rrallë?

Në fund të viteve ’70 e fillim të viteve ’80 vinte çdo vit në Shqipëri, një poet shumë i njohur italian, nga Kalabria, Vorea, që njihte gjuhën shqipe shumë mirë. Ishte dhe pedagog i gjuhës shqipe në Kalabri. Ai edhe kompozonte shumë bukur këngë dhe kur erdhi herën e parë në Shqipëri, u takua me shumë artistë, me Dhimitër Shuteriqin, Feim Ibrahimin e shumë të tjerë në takime në Lidhjen e Shkrimtarëve. Më kujtohet që u kërkoi atyre një këngëtare shqiptare për të interpretuar këngët e tij. Feim Ibrahimi i tha se këngëtarja do të zgjidhej, por duhet njëherë të dëgjonin këngët se kujt i përshtateshin. Ato ishin këngë të ëmbla dhe menjëherë Feim Ibrahimi vendos: Ato ishin këngë për mua. Në koncertin që u organizua, këto këngë u pritën shumë mirë dhe vetë poeti dhe kompozitori i pëlqeu aq shumë sa vendosi që këto takime të zhvilloheshin çdo vit. Dhe ky koncert u bë tre vite rresht, derisa fatkeqësisht poeti i njohur Vorea u nda nga jeta në mënyrë të papritur.

Si e ndjenit veten ju këngëtarët shqiptarë, krahasuar me këngëtarë të huaj që ishin të rrallë por që vinin në Shqipëri?

Do ju tregoj një ndodhi që nuk e kam treguar asnjëherë por që më ka mbetur në zemër. Nuk më kujtohet saktë viti, por në Shqipëri erdhi këngëtari i njohur italian, Albano Carrisi. Ishte herë e parë që ai vizitonte Shqipërinë, e kishte ardhur bashkë me atin e tij, i cili i kishte vënë emrin Albano. Këngëtari i njohur mbajti një koncert në sallën e Akademisë së Arteve, në këtë koncert këndova edhe unë këngën “Saranda, Okinawa” në duet me këngëtarin Tonin Tërshana. Në përfundim të koncertit, ne artistët hipëm në skenë duke duartrokitur me entuziazëm. Në një moment, Albano më drejtohet mua e më kërkon që këngën “Saranda, Okinawa” ta këndoja sërish me të si partner. Ishte një emocion i jashtëzakonshëm. Unë e këndoja këtë këngë në tonet lart me Toninin, por Albano kërkoi tone të ulëta. Unë nuk e pata aspak të vështirë, por kjo nuk është e zakonshme dhe të paktë janë këngëtarët që e kanë këtë aftësi. Si profesionist që ishte, me një vokal të jashtëzakonshëm, Albano mbeti i shtangur sepse unë kisha një shtrirje vokale të pazakontë, sa i gjithë pentagrami e për një moment nga habia, harroi fjalët e këngës. Më pas më komplimentoi shumë për zërin e kjo gjë më ka mbetur në zemër e në kujtimet e mia të pashlyera sepse unë e dashuroj muzikën italiane dhe Albanon e kisha të preferuarin tim.

Ke shumë këngë nga muzika italiane sot në repertorin tënd?

Unë kam studiuar solfezh dhe harmoni. Repertori im është shumë i gjerë, i larmishëm, ka shumë këngë italiane, greke, spanjolle, këngë nga filma të njohur, këngë amerikane, pra ka një shtrirje shumë të gjerë. Unë punoj gjithmonë për të shtuar repertorin, studioj, ndjek zhvillimet e muzikës, shijet e publikut. Unë nuk punoj dot përciptazi, i dua gjërat e sakta, është një virtyt dhe ves që kam. Kam qenë gjithmonë shumë kërkuese e vazhdoj të jem edhe pas kaq shumë viteve karrierë.

Sot kush janë miqtë dhe mikeshat që frekuenton, pjesë e artit?

Unë me ish kolegët e mi takohem vazhdimisht, diskutojmë dhe nuk i kemi humbur lidhjet asnjëherë. Shkojmë shumë mirë me njëri-tjetrin, kemi respekt të dyanshëm si p.sh me Ema Qazimin, mikeshën time për shpirt, me Luan Zhegun, me Kozma Dushin, Alida Hiskun, Irma Libohovën, Myfarete Lazen apo aktorët Marjana Kondi, Rita Lati dhe shumë të tjerë që s`po i përmend me radhë që duke qenë njerëz të ngrohtë dhe të sinqertë me njëri-tjetrin, s`i kemi humbur kurrë lidhjet. Dhe për këtë më vjen mirë. Nuk është kaq e zakonshme sot që artistët të jenë edhe miq në jetë, jashtë skenës. Ne kemi qenë me plot kuptimin e fjalës, njerëz shumë shpirtërorë. Takimet tona janë ushqim për shpirtin. Nuk ka komplekse mes nesh, xhelozi.

 

Dikur këngëtaret duhet të ishin me zëra të fuqishëm, nëse ishin të hijshme, akoma më mirë. Sot vlerësohet më shumë pamja e jashtme. Si mendoni, i vlen kjo muzikës?

Kjo është periudha që ne po kalojmë. Në kohën tonë ka qenë në plan të parë cilësia, sot është në plan të parë dukja. Mund të them me sinqeritet që ka zëra të mirë siç ka dhe vajza shumë të bukura. Por unë do të kisha pasur dëshirë që po aq sa rëndësi i kushtojnë pamjes së jashtme, bukurisë, po aq rëndësi t’i kushtonin edhe cilësisë së këngëve, teksteve, zërit. Por nuk do të fajësoja dot vetëm këngëtarët e rinj. Sot nuk ka kërkesë llogarie. Në kohën kur unë interpretoja në festivale e koncerte, këngët dhe ne këngëtarët kalonim nëpër komisione të përbëra nga artistë shumë të njohur e kishte shumë kërkesë llogarie dhe standarde shumë të larta në kërkesa. Nuk mund të dilnim dot direkt pa u testuar. Sot kjo mungon tek krijimet e reja, këngëtarët e rinj nuk kanë ku të përplasen, ku të testohen.

Si i kalon ditët e tua, jashtë punës?

Mua më shoqëron muzika gjithë ditën. Që sa zgjohem.  Pa muzikë nuk jetoj dot. Edhe kur gatuaj.

Ju gatuani?

Pooo. Shumë. E kam pasion gatimin. Kjo ndoshta edhe sepse jam përmetare e korçare me origjinë. E kemi traditë familjare. Që në rini kam gatuar. Madje kujtoj se kur ishim me të huaj në “Hotel Adriatik” ose “Hotel Tirana”, aty kishte gatime që ne nuk i hasnim shpesh, unë i provoja dhe më pas bëja përpjekje t’i imitoja, e t’i gatuaja edhe unë në shtëpi. Edhe sot shpesh eksperimentoj receta të reja në gatim. Duke qenë si tip e dashuruar dhe e përkushtuar me profesionin, të njëjtin dedikim do dhe gatimi. Nëna ime ka qenë kuzhiniere dhe unë kam mësuar shumë prej saj. E kam pasur dhe vetë dëshirë saqë erdhi një moment që nuk e pyesja më, vetëm e shikoja dhe e gatuaja. Vetë bëj shumë kujdes me ushqimin. Përpiqem të ha lehtë por nuk heq dot dorë nga çokollata.

Për një këngëtare ka rëndësi shumë pamja e jashtme në skenë. Në ato vite si arrinit të dilnit aq të kuruara?

Ne kishim një garderobë shumë të madhe, madje vinin materiale nga jashtë që qepeshin posaçërisht për ne. Nuk dua të harroj pa përmendur edhe grimierët e talentuar të asaj kohe sepse janë artistë, Zhaneta Petushin, Eleni Torovecin etj si dhe mjeshtrit e kamerës, Stefan Gajo apo Pali Kuke. Në atë kohë kishte një aparaturë që maste ndriçimin e duhur për portretin e një këngëtari, vetëm për portretin. Mjeshtrit e asaj kohe shikonin shumë detajet. Nuk kishte amatorizëm sepse kishte shumë kujdes që këngëtari të jepte më të mirën e tij.

Jeni ende shumë e ndjekur, e shikoj edhe në rrjetet sociale. Mendoni se ja keni arritur qëllimit ndaj publikut tuaj?

Më vjen mirë që publiku më ndjek akoma me shumë dashuri. Është kjo që më bën të vazhdoj të kem kërkesa ndaj vetes dhe të jem akoma në skenë. Publiku është forca ime.

Kompozitori më i dashur për ju?

Luan Zhegu. Ka qenë baterist në estradën e Tiranës dhe çdo këngë që kompozonte duhet ta provoja unë, ta vlerësoja, donte mendimin tim. Kam vlerësim shumë të lartë për Luanin.

 

Ju keni luajtur edhe në dy filma, pse nuk e vazhduat këtë pjesë tjetër të artit?

Kam kujtime shumë të bukura nga dy rolet e mia në film, “Në pyjet me borë ka jetë” dhe “Udhëtim në pranverë”. Por pavarësisht ofertave të shumta, edhe më pas, unë kisha shumë ngarkesë. Kisha punën si formuluese muzike në Radio Tirana, bashkëpunimet në festivale, punën me kohë të pjesshme në Estradën e Tiranës, fëmijët e vegjël.

E ardhmja juaj cila mendoni se do të jetë?

Unë, së bashku me kompozitorin Gent Myftaraj, kam gati dy këngë, që pritet të kenë dhe videoklipin e tyre. Jemi në punë e sipër. Por kam shumë dëshirë që të kem recitalin tim. E di që ka shumë këngëtarë të rinj, por unë e ndjej veten në formë shumë të mirë artistike. Zëri im është po ai që ka qenë dhe repertori sa vjen e zgjerohet. Dëshirën dhe pasionin e kam që të jem në skenë. Në të gjithë Shqipërinë do të këndoja me kënaqësi dhe menjëherë, sapo të më ftonin. Kënga është jeta ime.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: