LIQENI I TIRANËS SI CENTRAL PARK

LIQENI I TIRANËS SI CENTRAL PARK
Nga ROVENA DILO

Ky shkrim është përgatitur, posaçërisht, për gazetën Albanian Free Press

Liqeni i Tiranës është kthyer në një trend.

Apo, ndoshta, ai vend ka qenë gjithmonë i tillë, për të mos thënë që është diçka më tepër se trend.

Sidoqoftë është kaq i frekuentueshëm, saqë ti mendon se aty mund të takosh këdo.

Ndoshta vetëm kryeministrin apo doktor Berishën nuk do prisje t’i shihje.

Parku i liqenit ka filluar ti ngjajë, gjithmonë e më shumë, Central Parkut në Nju Jork.

Aty gjithkush gjen diçka për të bërë.

Nga ato më të zakonshmet si, ecje, shëtitje, vrap, deri tek pikniku, bisedat në barin e gjelbër, të kënduarit solo apo në grup. Madje ka edhe live muzikantësh, shfaqje të vogla, radio të ngritura në kupë të qiellit.

Tani kemi edhe palestrat në natyrë dhe sa herë që shoh sesi njerëzit zbaviten, më duket pak e çuditshme se si s’ka më asnjë drojë.

Shqiptarët – këta qytetarë të vendit të tyre – nuk kanë asnjë ndryshim nga një amerikan i Central Parkut.

Ai, shqiptari, s’e ka problem të bëjë vegla force, paralele apo çdo gjë tjetër, pa e çarë kokën. Një liri e bukur fizike.

Por ajo që e bën liqenin, gjithmonë e më të frekuentueshëm, është, padyshim, forca e teknologjisë. Është ajo më e papërballueshmja, dallgë e shpërndarjes së çdo momenti që jetojmë.

Dil një xhiro dhe do të shikosh se si, në të qindtën e sekondës, dikush fotografohet apo bën selfie dhe e shpërndan në çast. Miliona shkrepje në muaj dhe po aq shpërndarje. Liqeni artificial është bërë më i famshëm se kurrë!

Liqeni gumëzhin nga zërat, lumturohet nga të qeshurat!

Çmendet nga dashuritë që sheh, nga puthjet, përqafimet, shkrydhje trupash. Ky vend është i mbarsur me dashuri. Nuk e di pse ka filluar të rrezatojë një lloj spontaniteti dhe lirshmërie!

Ndryshe nga dikur, krejt ndryshe.

Lidhja e menjëhershme e njerëzve, nga njëri cep i globit në tjetrin, po i bën ata më të sinqertë e më të shpenguar. Prandaj askush nuk ka më frikë. Prandaj, parku më i bukur i Shqipërisë, shijohet më shumë se kurrë. Të gjithë shohin të gjithë dhe secili kërkon të shkojë sipas trendit më të fundit. Sepse trendi nuk është, asgjë më tepër se, një lloj mode që e fillojnë ata më të guximshmit e më përparimtarët. Gjë që tani edhe të mos jesh bëhesh. Dhe pastaj, dalëngadalë, kthehet në një pikësynim edhe për ata që i mendojnë gjërat dy herë.

Por një arsye ekstra edhe ekziston.

Të dalësh nga liqeni është edhe një trend pa harxhime. E ndoshta kjo e bën më të pazëvendësueshmin. Gjithsecili i jep vendin e parë në preferencat personale. Secili për arsyen e tij, secili sipas qejfit të tij!

Në një moment të ditës, se kush prej nesh, gjen një arsye për t’u zhytur në mushkërinë, plot gjelbërim, të Tiranës.

E pra, ja, kjo na bën të njëjtë me njujorkezët. Po flas seriozisht!

Përveç faktit që, në të njëjtën sekondë, ti mund të lidhesh live me kushërirën tënde amerikane, që po vrapon në anën tjetër të kontinentit.

Edhe njujorkezët e frekuentojnë parkun e tyre, në të gjitha format dhe mundësitë. Dhe jo më kot e lidha, pikërisht, me Amerikën, sepse i gjithë ky frymëzim erdhi nga një koincidencë që pata me njeriun tim. Ajo vraponte në njërin kontinent, unë vrapoja në tjetrin. Ishte kaq e thjeshtë, saqë m’u duk sikur ia preka frymëmarrjen dhe sikur pulsi i saj më rrahu në tëmtha.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: