“Maço” vs “Qejflie”

“Maço” vs “Qejflie”
 

Nga Meri Dishnica

Përse ndryshon konceptimi dhe niveli i bujarisë në gjykim, kur, në fund të

Fundit, po flasim për të njëjtën gjë?!

Jetojmë në një botë të madhe, ku përzihen kultura, objektiva dhe rreze të ndryshme mendimi. Nuk kemi pse të lodhemi të ndryshojmë botën, mjafton të ndryshojmë veten duke u çliruar nga paragjykimet, të përshtatemi dhe të mos vuajmë. Më kujtohet një thënie e Volterit: “Ne do ta lëmë këtë botë, po aq të marrë dhe gënjeshtare, sa ç’e kemi gjetur kur kemi lindur”. Ndaj, ajo që mund të bëjmë, është përmirësimi i komunikimit mes nesh. Interaktiviteti zë një pjesë të konsiderueshme të jetës sonë, dhe jeta sociale zë kohën tonë. Janë miqtë, historitë e tyre, thashethemet që bëjmë bashkë, janë pikërisht “djem si ata” dhe “vajza si ato”, që bëjnë pjesë, gjithashtu, në bisedat tona. E kemi para syve, kjo është një pjesë realiteti që prekim përditë, djem me makina të bukura, veshje të sajuara që anojnë nga të qenit fashion, vajza figurante, shoqëruese të denja (dhe një këngë e Marko Massini, “Bella stronza” në sfond)

“Djem si ata” janë karizmatikë, në fytyrën e tyre shpaloset hapur suksesi, vetëkënaqësia, dhe tiparet e një kompleksi të vjetër (gjithsesi). Djem të tillë janë pothuajse vetëetiketuar në rolin e “machos”. Kjo, sipas tyre, i bën të duken më interesantë në sytë e të tjerëve, femrat i joshin si të pa rezistueshëm dhe meshkujt e tjerë e shohin me zili suksesin e tyre. Dhe, kështu, historitë i lënë vendin njëra-tjetrës...

Në kuadër të historive… Pse meshkujt duken interesantë, ndërsa femrat, përkundrazi, njollosen?

Kur flitet për djem të tillë, gjykimi dhe asosacioni që bëhet nuk është detyrimisht i keq, në të kundërt kur flitet për një femër të tillë, përfundimisht gjykimi është negativ, përçmues. Kjo ndodh se jemi kaq patriarkal, përzgjedhës në gjykim (thuajse apriori), kaq mendjengushtë në analizim; ku meshkujt shajnë femrat, por edhe femrat shajnë femra te tjera, duke njollosur llojin.

STOP me përgjithësime! Mendoj se zakonisht ndodh një ngatërrim, që shumë shpesh na çon në përgjithësim dhe gjykim të gabuar.

Ka një kategori femrash që kanë vendosur të jenë thjesht “biba”, duke e manifestuar me veshjen, trukun, taka rrezikshmërisht të larta, me silikon, kirurgji apo sfungjer, akrilik në qerpikë dhe flokë, etj., që kërkojnë vëmendje në mënyrë thuajse histerike, janë ai tip femrash që populli ynë i zgjuar ia ka dedikuar togfjalëshin “sikur e ka të shkruar në ballë”. Janë këto femrat “lojtare”, të vetëstrerotipizuara në atë rol, që duket se e bëjnë mirë dhe kanë atë lloj suksesi që i ato kënaq (çështje zgjedhjeje).

 

Kategoria tjetër janë ato femra që kanë bërë përvojat e tyre, kanë bërë zgjedhje të ndryshme, kanë parë defektet e partnerëve dhe i kanë lënë ata, kanë parë se lidhja nuk funksionoi dhe e kanë mbyllur, kanë konstatuar se nuk janë të kënaqura dhe kanë thënë, boll; kanë vërejtur defekte që nuk i dinin dhe kanë thënë “mjaft më”. Të gjitha këto flasin për pavarësi dhe integritet seksual. Një femër ka nevojë të bëjë përvojat e saj, në kërkim të mashkullit ideal, sepse nuk mund të bëjë “Bingo” që në fillim apo jo?!

 

Perspektivë

Shoqëria njerëzore është e përbërë në mënyrë të tillë që secili të gjej veten në një rol të caktuar, duke bërë pjesën e tij në shoqëri. Roli i femrës është parë i lidhur ngushtësisht me familjen, dhe ajo supozohet ti “përqendrojë” eksperiencat e saj aty. Pastërtia e femrës si figurë, është një nga elementet që ka ndikuar në fuqizimin e këtij perceptimi. Historikisht, femrat shikohen si më të brishta dhe rrjedhimisht ato, nëpërmjet një gjykimi apriori, “përjashtohen” nga shumë ndodhi me pretekstin që po tentohet të mbrohet integriteti i tyre; pra, nëse një femër ndërron partnerët, ajo “përgojohet”, sepse njerëzit mendojnë se ajo ka humbur brishtësinë e saj, ajo ka shpalosur hapur tipare egoizmi (dhe jo përuljeje), ajo ka thyer disa tabu (ajo ka zgjedhur dhe jo “e kanë zgjedhur”).

Pra, femra është parë me mëdyshje për sa i takon aftësisë së saj për të vendosur, dhe si pasojë ajo mendohet se ka gabuar në zgjedhjet e saj. Janë një numër perceptimesh të tilla, që e komplikojnë rolin e femrës duke tentuar ta ngushtojnë e ngushtojnë rrugën drejt objektivave dhe largpamësisë së saj.

Që në momentin që lind një fëmijë dhe merret vesh seksi, fillojnë paragjykimet, që ajo, bebja e vogël me veshje ngjyrë rozë, do të përpiqet gjithë jetën ti ndryshojë…

Shpërndajeni me miqtë tuaj: