Manaj, Çani dhe Ujkani, në “rrezik inferioriteti”

Manaj, Çani dhe Ujkani, në “rrezik inferioriteti”
Tre lojtarë shqiptarë që luajnë tek e njëjta skuadër në Seria B pësuan sot një humbje dëshpëruese, që rrezikon t’i zbresë ata në kategoritë inferiore.

Laverone shënoi golin e vetëm dhe të fitores për Avellino, në fillimin e pjesës së dytë. Kur mbeten edhe 6 javë nga fundi, Pisa humbi brenda në shtëpi me Avellinon 1-0.

Kjo humbje mund t’i kushtojë shtrenjtë ekipit të Seria B, në radhët e së cilës luajnë tre shqiptarë. Me humbjen e sotme Pisa ndodhet në vendin e parafundit në Seria B, një pikë pas vendit të fundit, dhe 5 pikë pas ekipit të Vicenca, që ndodhet në zonën e “Playout”.

Për t’i shpëtuar rënies, ekipit të Pisa i duhet të rikuperojë 6 pikë, pasi skuadra e dytë që do të luajë “Play-out”, Breshia, ndodhet në kuotën e 38 pikëve.  Sot ndaj Vellinos, sulmuesi shqiptar Edgar Çani zuri vendin e sulmuesit tjetër kuqezi të Pisa, Rey Manaj, në 66’. Por as njëri dhe as tjetri nuk ia dolën dot të shënonin në portën kundërshtare, ndaj Avelino.

Në portën e Pisa luajti titullar, portieri Sajmir Ujkani.

Edgar Çani është grumbulluar disa herë nga de Biasi në kombëtare, po ashtu edhe Manaj. Ujkani ka qenë portier titullar i kombëtares sonë, para se të largohej me përfaqësuesen e Kosovës, në shenjë pakënaqësie pasi vendin e tij në portë e zuri portieri aktual, Etrit Berisha.

Gjithsesi, të tre këta lojtarët që kanë humbur vendin në kombëtaren kuqezi, tani rrezikojnë që të bien edhe në një kategori më poshtë me ekipin italian të Seria B.

Të besuarit e Genraro Gatuso, nuk ia dolën dot as këtë javë për të marrë një rezultat pozitiv, çka do të thotë se me rënien në kategoritë inferiore, mbetet e paqartë e ardhmja e tre lojtarëve shqiptarë tek kjo skuadër.

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: