Mariza Ikonomi: S’jam nga ato që u shkoj meshkujve nga pas

Mariza Ikonomi: S’jam nga ato  që u shkoj meshkujve nga pas
 

Këngëtarja e njohur e festivaleve, Mariza Ikonomi, në një rrëfim të ngrohtë mbi karrierën, shijet e saj, konceptet mbi dashurinë dhe familjen, prindërit dhe kolegët

 

Mariza Ikonomi duket shumë e brishtë në shikim të parë, me një zë fin, gishta të gjatë e duar shprehëse, buzëqeshje fëminore. Por kur fillon të tregojë mbi veten, ndërgjegjësohesh që i ka kaluar vitet e brishtësisë e, nën zërin fëmijëror, fsheh një karakter të fortë dhe këmbëngulje të madhe. Pavarësisht se ishte ftohur gjatë xhirimeve në Durrës, u kujdes me korrektesë të ishte me “Albanian Free Press” në një bisedë miqësore e pa doreza, përpara një çaji të nxehtë, në një paradite të ftohtë me shi prilli...

intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

 

Mariza, në moshë shumë të vogël, vetëm 11-vjeçare, ke dalë në skenën e Festivalit të RTSH-së. U përzgjodhe mes të tjerëve?

Unë këndoja në Pallatin e Pionierëve dhe aty ne ishim shumë vajza. Françesk Radi erdhi të kërkonte një vajzë për të kënduar me të. Ai na dëgjoi të gjithave dhe përzgjodhi dy prej tyre, ku njëra isha unë. Kemi bërë gati një muaj prova sepse ai donte të zgjidhte një zë të përshtatshëm, ishte shumë kërkues. Madje e kujtoj me humor dhe emocion tani momentin kur gjatë provave më thoshte se kishim mbaruar. Unë mërzitesha se mendoja që meqenëse më thoshte ‘shumë shpejt mbaruam’, unë nuk do përzgjidhesha. Aq e madhe ishte dëshira që të isha unë ajo e përzgjedhura, saqë nga mëngjesi në darkë e këndoja këngën pa pushim. Që e vogël kam qenë shumë perfeksioniste, karakteristikë që e kam edhe sot. Momenti më i bukur i ditës ishte kur kishim prova me profesor Frankon. Shpesh bëja dhe gabime që provat të zgjasnin. Kur mësova se isha përzgjedhur dhe do këndoja në festival, nuk di si ta shpjegoj si jam ndjerë. Profesor Franko më tha se duhet ta mbaja sekret, e unë nuk di si kam duruar pa ia treguar askujt që do të këndoja në festival, skenë të cilën e ëndërroja.

Nuk di të ta përshkruaj se si ndihesha kur përgatisnim këngën me Edison Mison dhe profesor Frankon. Aq e vogël mes dy artistëve të mëdhenj....

Patët shumë emocione natën e parë të festivalit?

Shumë, saqë ndenja shumë e ngrirë, pa lëvizur as krahët e pa iu afruar shumë profesor Frankos. Mbaj mend se atëherë njerëzit i ndiqnin hollësisht detajet e çdo interpretimi dhe më komentonin, e më ndalonin në rrugë e më thoshin se mos kisha krahun të thyer, meqë nuk kisha lëvizur. Në natën e tretë pastaj, sigurisht e korrigjova këtë. Aty impakti i njerëzve ndryshoi, sepse më në fund ishim si at e bijë. Nata e fundit me atë sukses aq të madh do të mbetet një moment i paharrueshëm për mua. Ajo natë shënoi jetën time. Më pas rrodhi suksesi, koncertet, turnetë nëpër Shqipëri. Mora shumë prej profesor Frankos, që për mua është mbi standardet shqiptare. Më ka vlerësuar si artiste që në atë moshë, dinte të ndante suksesin, më mësoi me skenën, me jetën artistike. Një artist si profesor Franko nuk vjen më. Nuk ishte vetëm një promotor i jetës time, por vlerësonte talentin dhe e ndante suksesin.

 

Kur e nis kaq e vogël, ndodh që edhe të përfundojë shpejt. Pse nuk ndodhi me ty?

Sepse kam ndenjur me këmbë në tokë. Ma kanë mëkuar prindërit këtë gjë, që e vogël. Nuk më kanë mësuar me shumë komplimente. Më kanë edukuar me faktin se njeriu vetëm duhet të punojë dhe mësojë, çdo ditë. Sa herë kam fluturuar, më kanë ulur në tokë shpejt.

Është shumë e vështirë të rrish mbi ujë për dy dekada, kur që në fillim kapërcen shumë shkallë, e nis lart që në vogëli. Është me shumë risk. Por unë kam mësuar të vlerësoj gjërat e thjeshta në jetë, e kur deliri i madhështisë ka pasur rrezik të më zërë e të më merrte mendjen, kam ditur menjëherë të rikthehem në realitet. Kam menduar menjëherë që më mirë t’i bëj gjërat me shkallë.

Unë si karakter jam shumë këmbëngulëse, shumë kokëfortë, e kjo më ka bërë të luftoj fort për ato që dua në jetë, por me shkallë dhe me kujdes. Unë dua të mendoj gjithmonë që nuk kam arritur, nuk kënaqem asnjëherë me veten. Mendoj se kam edhe një disiplinë të hekurt, që më ndihmon.

 

Mendon se të ka ndihmuar edhe tipologjia e muzikës që bën?

Kur një njeriu i injektohet pjesa e mirë e muzikës, bagazhi intelektual, kultura e mirë muzikore e ke të vështirë të ndryshosh. Unë e quaj kompromis me shpirtin dhe unë shpirtin e kam të shenjtë. Në momentin kur unë nuk do ndiej, i bie që të kem vdekur si artiste e si njeri. Është shpirti promotori i këngëve të mia e që më bën mua të jem këtu.

 

Nuk ke bërë kompromis as me modën, klishetë, pamjen e jashtme. Ke pasur një dëm ngaqë nuk u je nënshtruar klisheve?

Nuk e di a bëj mirë, a bëj keq, por unë jam shumë antikonformiste si person. Nuk e di a mos vallë më dëmton kjo gjë në këtë shoqëri që më rrethon, por unë çdo gjë e bëj sipas kokës time dhe mirë bëj. Jam mirë me veten dhe muzikën që bëj. Kjo më ka mbajtur larg të zakonshmes në art.

Sigurisht, kam edhe unë lëkundjet e mia, nuk e mohoj. Por gjithmonë fiton shpirti dhe ajo që dua të bëj. Përveç kësaj më pëlqejnë gjërat e veçanta, si në këngë edhe me njerëzit. Pëlqej të rri me njerëz paksa të veçantë e, po kështu, po ngjasoi një këngë me një tjetër, nuk e zgjedh, nuk e marr fare iniciativën ta këndoj.

Por jam e sigurt që publiku di të dallojë. Unë kam audiencën time, pavarësisht se nuk kam të ardhurat materiale, që do të kisha nëse do të bëja kompromis me artin dhe shpirtin tim. Ia kam arritur me shumë sakrifica, por me këmbëngulje, të qëndroj në ujërat e mia, të mos bëhem pre e parasë, pavarësisht se ka shumë rëndësi. Por jam shumë e kënaqur gjithsesi, sepse kam investuar shumë vite për emrin, e sot emri im punon për mua dhe jam e shpaguar si dua. Nëse bëj një këngë, unë e di që do të marrë një rezultat. Unë lus Zotin që të mos kem kurrë aq nevojë për paratë, saqë të detyrohem të bie në kompromis për muzikën që bëj.

Jeton vetëm?

Jo, unë jetoj me prindërit, shijoj akoma gatimin korçar të mamit dhe atë beratas të babit.

Po si vajzë me origjinë nga jugu, nuk gatuan vetë?

Në Francë ku jetova vetëm, çuditërisht gatuaja. Këtu jam tek veza e skuqur dhe makaronat. Më përkëdhel ime më. Por kur të jetoj vetëm, e shpresoj që shpejt të jetoj vetëm diku me qira, të filloj të gatuaj vetë.

 

Përmende Francën, ke jetuar atje 3 vite e gjysmë. Çfarë ke marrë me vete nga Franca tani që nuk jeton më atje?

Kam marrë shumë. Zhurmën e detit, aromën e bregut, kitarën, faktin që nuk më njihte njeri, lirinë, kulturën dhe muzikën. Unë jam  shqiptare, por më është injektuar shumë muzika franceze, më shumë se muzika popullore. Kjo ndoshta edhe se nëna ime është korçare dhe unë jam rritur me serenatat e bukura të Korçës.

Sa herë mblidheshim në familje, gjyshi bashkë me nënën time këndonin “o vemi, o s’vemi”. Unë vetë kam kënduar ndonjë këngë folk se e kanë kërkuar të tjerët, por jam vajzë e jareve shkodrane dhe serenatave korçare, pra të muzikës qytetare.

 

Si është raporti me shijen në muzikë sot nga publiku?

Nuk di ta them këtë, por një nga misionet që i kam vënë vetes është ky: ruajtja e shijes së mirë për muzikën. I kam hyrë një misioni shumë të vështirë, por, po të ishte e lehtë si sfidë, nuk i hyja fare. Edhe në rastet kur unë mendoj se nuk ndikon, ngelet një gjurmë e shijes së mirë.

Unë këndoj shpesh live e shqiptarët, e ke hasur besoj, kanë një “kulturë” dëgjimi të habitshme. Ata kthejnë kurrizin, pijnë, bëjnë muhabet me zë të lartë, qeshin me të madhe, ndërkohë që ti këndon dhe kanë ardhur për ty. Por në mesin e atyre 50 vetave, janë gjithmonë 5-6 syresh që të ndjekin e do të dalin nga ai ambient me një shije të mirë mbi muzikën. Kjo është mjaftueshëm. Pak e saktë. Kam bërë përpara disa kohësh një këngë për qejfin tim më shumë, “Më mirë qesh” quhet dhe as që e mendoja që do e kishin pëlqyer. Por më komplimentuan shumë për të, e jo për këngët e mia të njohura, e kjo më pëlqeu. “Ja që paska njerëz që dinë të vlerësojnë shijet e tua dhe e marrin mesazhin që dua të jap”, - mendova. Ndaj unë nuk rresht së kompozuari dhe krijuari, mendoj se një ditë do shpërblehem.

 

Çfarë e ke kitarën tënde?

E kam mik, shok, konfindent, shumëçka e kam. E kam mësuar edhe kitarën nga profesor Franko. Kam studiuar shumë, në kurse apo vetë. Shpesh e quaj si mashkullin ideal kitarën, ato që nuk i gjej tek mashkulli, i gjej tek kitara. Hahaha...

 

 

Perfeksioniste, kokëfortë, nuk bën kompromis. Nuk e bën kjo të vështirë të gjesh shpirtin binjak?

Ehhhh, shoqet e mia më thonë se unë kam një koncept të gabuar për dashurinë. Unë nuk jam nga ato që u shkoj meshkujve nga pas e sigurisht nuk jam nga ato që do të bëja gjithçka për një mashkull. Shpeshherë, kur bisedoj me mikeshat e mia, këto cilësi m’i vënë në dukje dhe më thonë se kam koncept të gabuar për dashurinë. Por kur më pëlqen një mashkull, e marr atë me vete në kokën time, e fantazoj sipas mënyrës time dhe jam e aftë që ta shkrij këtë fantazi në telat e kitarës apo tastierën e pianos. Aty po që mendoj se dashuroj e që koncepti im për dashurinë nuk qenka kaq i gabuar. Por e di çfarë? Ndoshta unë, edhe kur jam vetëm, nuk ndihem vetëm. Nuk e di se përse e kam këtë. Është ndoshta fati i artistit. Jam edhe me konceptin që më mirë vetëm sesa me një njeri që nuk të kupton dhe kjo e bën të vështirë, por për të tjerët, jo për mua.

Ajo që nuk më pëlqen është se këtu të tjerët duan të vendosin për ty, për jetën tënde. Të tjerët të thonë se tani ka ardhur koha të martohem, të bëj fëmijë, e flasin e flasin. Po ku e dinë këta njerëz se çfarë dua unë nga jeta? Ku e dinë ata që unë, ndoshta, kam kaluar një histori, por dua diçka krejt tjetër tani. Unë thjesht këta njerëz i shikoj, i dëgjoj, pohoj dhe protestoj me mendjen time, sepse jeta nuk duhet të jetë njësoj, nuk ka përse. Jo çdo njeri ka të njëjtin fat. Unë jam pro familjes, por duhet çdo gjë të vijë gradualisht dhe jo se njerëzit apo shoqëria ta dikton.

Po tani, Mariza çfarë aktiviteti ka në duar?

Unë kam kompozuar një këngë të re, me kitarë, me disa detaje që dua t’i lë surprizë. Në fakt, dua më shumë kohë të merrem me shkrimin e teksteve, dua të marr pak më shumë kohë me veten, ndoshta afër detit, që të shkruaj tekste. Kjo gjë më mungon.

Ndërkohë, jam në punë e sipër nëpërmjet intervistave të mia me artistët mbi kulturën në një televizion. Në thelb është përsëri muzika ku personazhet shprehen mbi shijet e tyre muzikore. Puna me artistët është vërtetë një privilegj, sepse ata ndoshta i ke miq e ke pirë edhe kafe, por kur i “gërmon” thellë në intervista, zbulon vërtet risi. Ti jep edhe merr kënaqësi. Është një punë mbi standardet e kulturës dhe është ajo që unë preferoj.

 

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: