Mes mjerimit dhe shpresës, një strehë për 7 fëmijë

Mes mjerimit dhe shpresës, një strehë për 7 fëmijë
REPORTAZH / Jeta në skamje e një familjeje prej dhjetë frymësh që jetojnë në një dhomë që po i zë brenda. Shtatë fëmijët që bëjnë çdo ditë nga dy orë e gjysmë rrugë në këmbë për të shkuar në shkollë. Buzëqeshja e trishtë e Rugertës 7-vjeçare që ka gjashtë vjet e sëmurë dhe një shpresë jete që ka hedhur themelet falë bamirësisë

Nga i dërguari ynë në Gurrë të Vogël, Alket Aliu

Familja Kurti jeton në Gurrë të Vogël, një fshat ndërmjet Burrelit dhe Klosit. Për të mbërritur atje duhet të lësh rrugën nacionale Burrel-Klos dhe të hysh në një rrugë të ngushtë, pjesërisht të asfaltuar.

Atje ku mbaron asfalti na pret një djalë që do të na çojë 1200 metra mbi nivelin e detit, në shtëpinë më të skajshme të këtij fshati malor, përmes një rruge të ngushtë dhe mbi të cilën ka vetëm gurë. Makina e tij, një “Golf” i vjetër, duket se është mësuar në një rrugë ku dëgjohet vetëm zhurma e gurëve që godasin vazhdimisht hekurat poshtë makinës. Rruga është pa asnjë mbrojtëse anësore. Në të majtë vetëm shkëmb. Në të djathtë, një rrëpirë ku mund të “fluturosh” me qindra metra. Përtej qafës, del në Ketë dhe Zall Bastar.

Vjen një moment që shoferi na thotë të zbresim. Tani rruga vazhdon në këmbë përmes një shtegu të ngushtë e të pjerrët. Përballë një shtëpie gjysmë të rrënuar, Edmirald Krosi, drejtuesi i një fondacioni të quajtur “Fryma e shpresës”, thotë se kemi mbërritur.

Një minder druri, një qilim i vjetër përtokë, një sobë e nxirë nga vitet, një televizor dhe dy frigoriferë jashtë funksionit që përdoren për dollapë. Ky është inventari i pasurisë në dhomën ku jetojnë dhjetë frymë. Dy bashkëshortët, gjyshja dhe 7 fëmijë.

Këtu fle gjyshja, Hamdija, kryefamiljari, Shpëtim Kurti, bashkëshortja e tij, Lavdija dhe shtatë fëmijët e tyre. Më i madhi, Araniti, është 15 vjeç. Më i vogli, Qazimi, është vetëm gjashtë muajsh. Të shikon me ca sy të mëdhenj dhe vetëm qesh.

Fëmijët e tjerë, Dafina, Arjani, Marsida, Rugerta dhe Ana, dëgjojnë me kujdes bisedat e më të mëdhenjve. Në oborr kanë mbërritur ustallarët që kanë filluar të hapin themelet e banesës së re. Dy dhoma, një kuzhinë, korridor dhe një banjo. Duket e pabesueshme.

Deri në atë moment kanë jetuar në një dhomë të vetme, me një dritare të mbuluar me plasmas, pa xhama dhe pa dyer, me mure të nxirë nga tymi i druve.

Ata tregojnë se të gjithë shkojnë në shkollë, por bëjnë një orë rrugë në këmbë çdo ditë për të shkuar dhe një orë e gjysmë për të ngjitur faqen e malit.

Rugerta është një vajzë e mrekullueshme. Është 7 vjeç. Buzëqeshja nuk i ndahet nga fytyra, por duket një buzëqeshje e trishtë. “Ka disa vjet e sëmurë. E kemi çuar në një doktoreshë në Burrel, por ajo tha se e shërojnë vetëm në spitalet private në Tiranë”, thotë nëna e saj, Lavdija, një grua 36-vjeçare që tregon shumë më tepër nga sa ka vitet. “Ku ta çoj? Jetojmë me një parcelë toke, ca pula, një lopë dhe 6 mijë lekë në muaj ndihmë ekonomike”. Shpëtimi, kryefamiljari, është 41 vjeç, por nuk ka zanat. E vetmja punë që mund të bëjë është ajo e krahut, por në këtë zonë ka shumë njerëz që kërkojnë dhe pak vende pune.

Rugerta heq galloshen,pastaj çorapen dhe na tregon këmbën. “Është një sëmundje që ne e quajmë morth, thotë Edmiraldi. Këmba po i kalbëzohet dhe ka nevojë për trajtim të shpejtë. Por duhen shumë fonde”. Lavdija thotë se vajza ka dhimbje të tmerrshme, sidomos natën. Mjekët në Burreli kanë dhënë vetëm qetësues për dhimbjet.

Edi përkëdhel vajzën e vogël. “Nuk do të të lerë xhaxhi kështu, ta premtoj”, i thotë. Pastaj drejtohet nga unë. “Kam kontaktuar me disa mjekë në Tiranë, besoj se do arrijmë ta shpëtojmë”.

Lavdia tregon se gjatë gjithë javës, vajza fle në shtëpinë e një kushëririt të tyre poshtë, në fshat. “Nuk mund të bëjë dy orë e gjysmë rrugë në këmbë çdo ditë, por Rugerta e do shkollën”, thotë Lavdija.

Të njëjtën rrugë bën kjo familje edhe për nevojat më minimale, qoftë edhe për të blerë diçka të vogël. Dyqani më i afërt është pranë shkollës.

Nga pllaja e vogël ku banon familja Kurti, syri të zë lëndina me bar dhe pemë të çelura. Ajri është i pastër dhe me aromë pranvere. Syri të zë shtëpi të veçuara, me çati të mbuluara me llamarina.

“Kur të zbresim në Burrel, do të të duket sikur ke ardhur në Paris”, thotë Edmiraldi. Dhe kishte të drejtë.

 

 

Hamdije Kurti: Nuk e besoj dot se do kemi një shtëpi

Gjyshja e shtëpisë, Hamdie Kurti, është 85 vjeç. E veshur me të zeza dhe me një shami të bardhë në kokë, ajo është e para që na uron mirëseardhjen. “Eh, mor bir, te kjo shtëpi kemi jetuar gjithmonë, por tani nuk mbahet më në këmbë”, thotë ajo. Dhe vërtet, muret kanë rënë, tavani është gjysmë i rrëzuar. “E di që jam e moshuar dhe numëroj ditët, por kam një shpresë. Më kanë thënë se do ta gëzoj edhe shtëpinë e re, në më dhëntë Zoti edhe ca muaj”.

 

 

Një çadër në vend të shtëpisë kur ka shi dhe dëborë

Ka vetëm një muaj që ka shkrirë dëbora dhe familja Kurti është rikthyer në dhomën prej guri. “Dimrin e kaluam në këtë çadër, thotë kryefamiljari, Shpëtim Kurti. Kur bie shi, në shtëpi nuk rrihet, se uji pikon i gjithi brenda. Edhe kur shkrin dëbora, tavani nuk mban asgjë. Këto ditë mund të rrimë brenda shtëpisë së vjetër, se nuk ka shi, por kur fillon uji...sërish në çadër”.

 

VAJZAT VULLNETARE:

Nuk ka gjë më të bukur se të ndihmosh të tjerët

Davida Laska dhe Ervisa Dinej janë dy vajza 23-vjeçare të angazhuara vullnetarisht për të mbledhur ndihma për familjet në nevojë.  Ato tregojnë se e kanë mbështetur që në fillim nismën e Edmiraldit për të krijuar një fondacion bamirësie. “Jemi shumë shoqe të cilat organizohemi shpesh herë për të dhënë kontributin tonë vullnetarisht të paktën 3 ose 4 ditë në javë për familjet në nevojë”, thotë Davida, e cila është diplomuar në Fakultetin e Shkencave të Edukimit në universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit dhe jeton në Tiranë. Ervisa shton se nisma të tilla janë vërtet të nevojshme për shoqërinë. “Nuk ka gjë më të bukur në jetë se sa t’u vish në ndihmë këtyre familjeve”, thotë vajza që ka edhe një shqetësim. “Janë shumë shoqata apo fondacione që mbledhin ndihma, por do të isha shumë e qetë po të dija nëse janë vërtet të besueshme sikurse është kjo punë që ne po bëjmë”.

 

 

Edmirald Krosi: Shqipëria mund të bëhet me mirësi

INTERVISTË / Flet besimtari 30-vjeçar që ka vendosur t’i dedikohet bamirësisë

Edmirald Krosi është një 30-vjeçar nga fshati Bel i Krosit. Ai thotë se rrjedh nga një familje me tradita dhe se është stërnip i një personazhi të njohur të oborrit të mbretit Ahmet Zog, Abdurrahman Krosit. “Jemi një ndër dy familjet e njohura si shtëpi buke në këtë zonë”, thotë me krenari Krosi i ri.

Por jeta nuk e ka përkëdhelur. Ai thotë se është rritur mes vuajtjesh, ka përballuar jetën i vetëm në emigracion dhe tashmë është kthyer për të ndihmuar ata që nuk kanë mundësi. “E tmerrshme nuk është të jesh pa bukë, thotë Edmiraldi. Është një vuajtje që e kam provuar. E tmerrshme është të shikosh 5 vetë që nuk kanë bukë të hanë, të shikojnë në sy dhe presin prej teje. Dhe ti nuk ke asgjë për t’u dhënë”.

Kur njeh njerëz si Edmiraldi, mëson ta shikosh ndryshe vendin tënd. Jo si vendin e vuajtjes, por të shpresës, si vendin që mund të bëhet me mirësi.

Intervistoi për Albanian Free Press: Alket Aliu

Edmirald, për çfarë arsyeje vendose t’i dedikohesh bamirësisë?

Kam vuajtur shumë në jetë. Që i vogël mbaj mend se si, bashkë me vëllanë, prisnim me padurim ditët e festave që prindërit të na blinin një palë opinga llastiku. Kam provuar emocionin e atij që nuk ka asgjë dhe i duket sikur ka fituar një botë të tërë. Tani kam një dëshirë që atë buzëqeshje ta shikoj edhe në fytyrat e të tjerëve, sidomos të fëmijëve.

Për çfarë historie vuajtjesh e ke fjalën?

Isha më pak se 15 vjeç kur ika nga shtëpia dhe mora rrugën për në Greqi. Kam udhëtuar në këmbë 6 ditë e shtatë net, duke fjetur në ferra e sera bujqësie. Nga lugina e Korçës kam dalë në Larisa të Greqisë. Atje punova dy ditë, sa për të bërë lekët e taksisë që me çoi në Athinë.

Në Athinë kam kaluar dy ditët që nuk i harroj dot kurrë. Ishte koha e operacionit “Fshesa” dhe porti i Pireut ishte plot me policë dhe civilë. Isha me një shok, edhe ai klandestin si unë. Binim në sy me ato fytyrat tona të nxira nga pluhuri e djersa dhe me rroba të vjetra. Nuk arrita dot të hipi në tragetin që do të na çonte në ishullin ku na priste një shqiptar. Mbaj mend momentin kur po kalonte një makinë policie dhe shoku im më hodhi në kazanin e plehrave që ishte aty pranë dhe u hodh edhe vetë. Aty brenda plehrave pritëm sa iku makina e policisë dhe dolëm. Kujtoj si tani një grua rreth të 60-ave. Shoku im i kërkoi pak bukë me ato pak fjalë që dinte greqisht. Ajo grua fisnike na solli bukë, djathë, domate dhe sallam. Nuk do ta harroj kurrë shijen e papërsëritshme të atij ushqimi.

Edhe ne, shqiptarët, duhet të mësojmë të dhurojmë.

Më pas shkuat në ishullin e Santorinit?

Po, e fillova duke larë pjata në një restorant, pastaj u bëra ndihmës kuzhinier, kuzhinier dhe shefi i kuzhinës. Në atë ishull kam jetuar gjatë dhe më njohin të gjithë. Më njohin si shqiptar, si qeros (i kam mbajtur flokët zero edhe kur i kisha të plotë) dhe si besimtar mysliman.

Keni patur probleme me manifestimin e besimit?

Asnjë problem. Madje, mendoj se ndoshta për këtë më respektonin më shumë. Nëse dikush mohon origjinën apo vetveten, askush nuk e respekton. Nëse je krenar për atë që je, njerëzit, në cilindo vend të botës, të shohin si një qenie me dinjitet dhe të vlerësojnë.

Me çfarë të ardhurash jeton?

Një profesion që nuk më le kurrë pa punë. Shkoj shpesh në Greqi për punë okazionale ose për sezonin veror. Kur gjej ndonjë vend të përshtatshëm në zonën Dhërmi-Borsh, preferoj që gjatë verës të marr ndonjë restorant me qira dhe të punoj për vetën time. Minimumi arrij të nxjerr 10 mijë euro në sezon, pra një të ardhur mujore të kënaqshme. Edhe bashkëshortja është në punë dhe ka një rrogë jo të keqe.

Rikthehemi te bamirësia. Është një zgjedhje për shkak të traditës, eksperiencave personale, besimit fetar apo për ndonjë arsye tjetër?

Leku nuk më ka tunduar asnjëherë, as pozita. Për mua, paratë duhen për të plotësuar nevojat e familjes. Fëmijëve do t’u lë thjesht shtëpinë dhe do t’i mësoj të bëhen të zotët për të përballuar vetë jetën.

Besoj se humanizmi është diçka që e kam trashëguar nga familja, por vuajtjet e jetës dhe besimi në Zot e ka përforcuar. Duke lexuar Kuranin, kam mësuar shumë.

Në varr do shkoj i vetëm dhe pa asgjë me vete. Nuk do ketë askush prej nesh avokat kur të dalë përpara gjyqit të Zotit dhe të japë llogari për të mirat dhe të këqijat që ka bërë. Nuk do ketë ku të fshihet.

Unë besoj në Zot, besoj edhe te ky vend. Besoj se, me mirësi, edhe Shqipëria mund të bëhet.

Çfarë ke mundur të realizosh?

Ka vetëm katër muaj që kam hapur këtë fondacion. Kemi sistemuar në Dibër një familje të përbërë nga një grua dhe pesë fëmijët e saj jetimë në një shtëpi që e kemi rikonstruktuar dhe mobiluar. Kemi mbledhur fonde për të ndihmuar me ushqime disa familje të varfra dhe tani po mbledhim ndihma për të siguruar një shtëpi për dhjetë frymë të familjes Kurti që jetojnë në një dhomë që rrezikon t’i zërë brenda. Por nuk e kam bërë i vetëm. Janë angazhuar shumë njerëz, që nga bashkëshortja ime, shokë e miq si dhe vajzat që mbledhin fonde në mënyrë vullnetare nga qytetarët. Deri tani janë grumbulluar 250 mijë lekë të vjetra, por besoj se shumë shpejt do të arrijmë në rreth 4 milionë që duhen për ta përfunduar shtëpinë me gjithë instalimet e brendshme.

Unë jam vetëm në rolin e organizatorit. Ndihmën e vërtetë e japin qytetarët dhe bizneset si dhe këto vajza të mrekullueshme që punojnë pa pagesë për të ndihmuar që fëmijët e familjes Kurti të rriten si gjithë të tjerët.

A keni patur ndihma nga shteti?

Për rastin që patëm në Dibër gjetëm mbështetje nga kryetari i bashkisë, Muharrem Rama. Dua të falënderoj Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave që na ka mbështetur ngrohtësisht, duke na mundësuar mbledhjen e ndihmave në territorin doganor të Kakavijës. Për institucionet e tjera, nuk kam çfarë të them...

Po pengesa?

Pengesat nuk na vijnë nga shteti në mënyrë të drejtpërdrejtë. Janë kryesisht çështje të mosndërhyrjes atje ku ka për detyrë të ndërhyjë.

Që të jem më i qartë, ka shumë raste kur njerëz, shoqata apo fondacione, në emër të bamirësisë, mbledhin lekë që i harxhojnë në tallave. Përgjithësisht paraqiten për raste prekëse, fotografojnë njerëz të sëmurë, falsifikojnë certifikata e dokumente dhe mbledhin kontribute në emër të familjarëve të të sëmurëve. Kontribute që pastaj nuk dihet ku përfundojnë.

Shteti duhet të ndërhyjë për të zbardhur këto mashtrime, pasi na dëmtojnë realisht. Do vijë një moment që këta mashtrues të bëhen aq shumë, saqë askush nuk do të na besojë që po punojmë për të ndihmuar njerëzit.

Ka edhe nga ata që në emër të bamirësisë pastrojnë para apo kryejnë veprimtari të paligjshme.

Nëse shteti nuk ndërhyn për të prerë “drurët e këqij”, do përfundojmë të gjithë në xhungël.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: