“Na mbytën qentë e rrugës”, por Europa ka ca kushte...

“Na mbytën qentë e rrugës”, por Europa ka ca kushte...
Disa vjet më parë në rrugët e Shqipërisë qentë endacakë vriteshin në mënyrë barbare. Një masakër që Brukseli dhe shoqëria civile nuk e lejon më. Po cila është zgjidhja? Në Tiranë dhe Durrës ka projekte për sterilizimin. Pengon shumimin dhe ul agresivitetin. Ndoshta është një zgjidhje e ngadaltë, por duket e vetmja

Alket Aliu

Kuisje dhe të lehura shpesh dëgjohen deri pranë mëngjesit kur ndalojnë zhurmat e makinave në rrugë. Jo vetëm në lagjet e qeta të periferisë, por edhe në zona pranë qendrës.

Qentë endacakë tashmë janë një realitet me të cilët duket se duhet të mësohemi. Janë mbi 10 mijë vetëm në Tiranë. Mijëra të tjerë janë në qytete të tjera të vendit.

Shpeshherë të zgjebosur e ndonjëherë edhe të gjakosur. Në përgjithësi kacafyten me njëri-tjetrin në periudhat e ndërzimit ose për ushqim. Por ndodh të sulmojnë edhe njerëzit.

Liljana Kosta tregon tmerrin që ka përjetuar tre vjet më parë. “Ndodhi ditën për diell, në pjesën e brendshme të pallateve në zonën e Petro Ninit, në Tiranë të Re. Teksa po shkoja në punë, një qen m’u turr dhe më kafshoi në pulpën e djathtë. U detyrova të shkoj të bëj tetanosin dhe të qep plagën, pasi kishte një të çarë të thellë. E kam shenjë edhe sot e kësaj dite”. Liliana thotë se situata nuk ka ndryshuar prej vitesh dhe se në shumë raste ka frikë edhe të shkojë në shtëpi. “Në zonën tonë, veçanërisht rreth kazanëve të plehrave, janë rezidentë, bashkë me kalimtarët, tufa me 8-9 qen dhe natën hyjnë edhe në shkallët e pallateve që të bëjnë të vështirë të hysh”.

Një tjetër dëshmi nga zona e njohur si Xhamlliku. Egla P. Tregon se disa qen e kanë sulmuar rreth orës 10.00 të mbrëmjes, në një rrugicë gjysmë të ndriçuar të lagjes. “Na mbytën qentë e rrugës në lagjen tonë. Njëri prej tyre tentoi të më kafshonte. I ndjeva dhëmbët në pulpë teksa ikja me vrap. Kur u ngjita në shtëpi pashë se kisha vetëm të gërvishtura, ndërsa qeni më kishte shqyer getat”.

Por të tilla histori nuk ka vetëm në Tiranë.

Në plazhin e Durrësit, në zonën nga ura e Dajlanit deri në Hekurudha, tufa masive me qen që ushqehen me plehra. Dukuria është e përhapur pasi shpeshherë ndodh që vetë banorët t’i lënë mbeturinat buzë detit, pasi i kanë larg kazanët. Në mëngjes kalojnë punonjësit e pastrimit të plazhit dhe i mbledhin.

Edi C. tregon se në orët e mbrëmjes, në breg të detit apo në hyrje të pallateve, ndonjëherë nuk del dot as për shëtitje dhe as për të blerë diçka në dyqane. Sidomos në zonat pa ndriçim. Por edhe pranë restoranteve, ku ka gjithmonë diçka për të ngrënë edhe për kafshët.  Rreth tyre dhe në shesh pushimet e pallateve, ku nuk ka ndriçim, nuk del dot as për të bërë Pazar.

“U turren edhe njerëzve që parkojnë pranë restoranteve. Kam parë raste kur nuk hapin dot as derën ndërsa kam dëgjuar se kanë kafshuar në dy raste fëmijë të vegjël”, thotë Edi, duke shtuar se në këtë zonë ka edhe të huaj që kanë blerë apartamente dhe vijnë herë pas here për pushime.

Vite të shkuara në qytetet kryesore gjuetarët angazhoheshin nga bashkitë për të vrarë qentë endacakë. Një masakër që angazhoi shoqërinë civile dhe komunitetin ndërkombëtar. Duhet gjetur një zgjidhje civile.

“Nuk vriten më kafshët të paktën që nga viti 2008, thotë kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Nuk na lejojnë as organizatat e shoqërisë civile, as zyrtarët e Bashkimit Europian. E vetmja alternativë është sterilizimi për të penguar shumimin e tyre”.

Për bashkinë e Durrësit, zgjidhja e këtij problemi paraqet kosto dhe nuk mund të operohet gjatë gjithë vitit. “Punojmë me faza, thotë kryebashkiaku Dako. Kemi një projekt me një shoqatë vullnetarësh që vijnë nga Spanja”.

Ndërsa në Tiranë, një klinikë veterinare operon non-stop. Sipas të dhënave të deritanishme, janë sterilizuar mbi 3 mijë qen të cilët, pas këtij procesi, jo vetëm që kontrollohen nga ana shëndetësore dhe vaksinohen, por edhe bëhen shumë më pak agresivë për shkak të uljes së nivelit hormonal.

Një ndër përfaqësuesit më në zë të shoqërisë civile, Sazan Guri, thotë se, nëse vërtet do të kryhet ky proces sipas të gjithë parametrave, ai do të ishte i kënaqur. Por ai ka shumë dyshime për këtë iniciativë të bashkisë së Tiranës. “Këta i vrasin qentë më keq se në kohën e Bashës. Kam të dhëna se një makinë e bashkisë shkon çdo të enjte në Tufinë, atje ku komunizmi pushkatonte të dënuarit. Sot është Veliaj që pushkaton qentë. Por edhe ata që nuk i vrasin, nuk i lëshojnë në habitatin e tyre, pori  ‘internojnë’ në vende larg Tiranës si në Kuçovë apo Moravë. I kam parë vetë kur i çojnë”, thotë Sazan Guri.

Gjithsesi, qen të matrikulluar shikon gjithnjë e më shumë në rrugët e Tiranës dhe Durrësit.

A është kjo zgjidhja finale? Ndoshta jo, por zyrtarët vendorë thonë se është e vetmja e mundshme.

 

 

Ermiona Hajdini: 3 mijë qen të sterilizuar në vit, ja si po e zgjidhim problemin

INTERVISTA / Flet përgjegjësja e sektorit veterinar të Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit. “Projekti ka nisur një vit më parë dhe rezultatet do të jenë të dukshme në fund të vitit të dytë”

Në zonën e Kombinatit, përballë një kishe ortodokse, një rrugë të çon drejt një ndërtese dykatëshe me një tabelë të madhe ku shkruhet “Klinika veterinare”. Ermiona Hajdini, përgjegjëse e sektorit veterinar të Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit, thotë se godina është marrë me qira nga bashkia dhe këtu kryhet procesi i trajtimit, sterilizimit dhe matrikullimit të qenve endacakë.

Në katin e parë është recepsioni dhe dhoma e vizitave. Një pjesë e “hotelit” është e vendosur në katin e dytë, ndërsa pjesa më e madhe në tarracë. Njërit prej “bujtësve” i dridhen këmbët. “E kanë sjellë sot në mëngjes. Ishte disi agresiv dhe grupi i terrenit u detyrua të përdorë narkotikët për ta vënë në gjumë”, thotë Ermiona.

“I kapni në rrugë?”, e pyes. “Po, thotë Ermiona. Ka një grup të posaçëm që i mbledh që herët në mëngjes, ne këtu në klinikë i ekzaminojmë, trajtojmë, sterilizojmë. I matrikullojmë dhe pastaj i njëjti grup pune i lëshon sërish në habitatin ku u kapën. E gjitha kjo sipas protokolleve strikte.

Gjithë këtë procedurë dhe synimet e projektit, Ermiona Hajdini e rrëfen për “Albanian Free Press”përmes kësaj interviste...

Intervistoi Për Albanian Free Press: Alket Aliu

Sa është numri i qenve endacakë në Tiranë?

Përpara fillimit të këtij projekti, rreth një vit më parë, disa grupe pune kryen vëzhgime në terren për të kuptuar se me çfarë sasie qensh kemi të bëjmë dhe për të hartuar strategjinë e ndërhyrjes. Janë evidentuar reth 10 mijë qen endacakë në territorin e bashkisë së vjetër të kryeqytetit dhe rreth 15 mijë në territorin e bashkisë së re.

Zonat ku është evidentuar një prani më e madhe janë ato të Liqenit artificial, Xhamllëkut, Freskut, Kasharit etj.

Kur ka nisur projekti dhe sa do të zgjasë?

Projekti për trajtimin, sterilizimin dhe matrikullimin e qenve endacakë ka nisur nga 16 shkurti i vitit të kaluar. Deri tani janë trajtuar 3320 ekzemplarë, me një mesatare prej 25 trajtimesh në ditë.

Projekti është 5-vjeçar, ndërsa në fazën e dytë është planifikuar edhe hapja e një strehëze. Duhet thënë se, që në nisje, është përcaktuar se ndryshimi do të jetë i dukshëm në fund të vitit të dytë.

Çfarë synimi ka projekti?

Vite të shkuar, ishte praktikë vrasja e qenve endacakë, por tashmë kjo praktikë mizore ndaj kafshëve ka marrë fund. Por nga ana tjetër nuk mund të lejohet që qytetarët të kenë shqetësime duke jetuar mes tyre kafshë të pakontrolluara dhe potencialist bartëse sëmundjesh të rrezikshme. Në këto kushte, e vetmja alternativë civile mbetet procesi i trajtimit të tyre mjekësor, vaksinimit dhe sterilizimit.

Po a e zgjidh kjo mënyrë problemin?

Në përgjithësi qentë endacakë nuk janë agresivë, pavarësisht rasteve sporadike apo periudhave të veçanta. Por procesi i sterilizimit të femrave dhe kastrimit të meshkujve, ul edhe më shumë nivelin e tyre të hormoneve. Në këtë mënyrë, prirja për të qenë agresivë bie edhe më shumë dhe shkon drejt zeros. Nga ana tjetër, gjëja e parë që bëhet sapo kafshët mbërrijnë në klinikë janë analizat e gjakut dhe testi i leshmanjozës. Në rast se kafsha rezulton bartëse e sëmundjeve që nuk mund të trajtohen dhe që përbëjnë rrezik për njerëzit, si p.sh. leshmanjoza, kafshët shoqërohen për eutanazi. Nuk ka mundësi tjetër për të evituar rrezikun. Ndërsa kafshët e shëndetshme sterilizohen sikurse e thashë më lart dhe vaksinohen. Në këtë mënyrë, evitohet rreziku që të preken nga virusi i tërbimit.

Duke operuar në këtë mënyrë, evitojmë rrezikun e transmetimit të sëmundjeve tek njerëzit, evitojmë agresivitetin e kafshëve dhe frenojmë shtimin e popullatës së tyre. Më shumë se kaq nuk mund të bëhet.

Në çfarë kushtesh kryhen ndërhyrjet kirurgjikale?

Ka një sallë të posaçme operacioni dhe një protokoll të rreptë, si në trajtim edhe në reanimacion. Asnjë qen nuk hyn në sallë pa bërë analizat dhe testet paraprake dhe asnjë nuk e lë hotelin pa u siguruar se është sërish në gjendje të mirë shëndetësore. Ndërhyrjet kirurgjikale kryhen nga ora 09.00-11.00 të paradites.

Edhe në reanimacion, ndryshe trajtohen meshkujt dhe ndryshe femrat, duke llogaritur se femrat gjithmonë kanë nevojë për një kohëqëndrimi më të gjatë nën kujdes pas operacionit.

Ju folët për një strehëz që do të ishte zgjidhja përfundimtare. Kur parashikohet të hapet?

Nuk mund të jap një afat. Më së shumti është çështje fondesh pasi, nuk mjafton vetëm ngritja e saj, por edhe duhet mbajtur në vazhdimësi. Kërkohet staf i specializuar, ushqim i përditshëm dhe kushte të tjera. Nga përvoja e vendeve të tjera mund të thuhet se një projekt i tillë vetëm si fond për ta mbajtur mund të shkonte në afro 200 mijë euro në vit, pa llogaritur ndërtimin dhe pajisjen e saj.

Po kjo klinikë si e përballon koston? Me çfarë mbahet?

Kemi patur donacione në ilaçe, kryesisht nga kompani dhe fondacione të huaja, por edhe përfaqësi diplomatike. Ne u dërgojmë listën me ilaçe dhe pajisje sanitare për sallën kirurgjikale dhe përgjithësisht arrijnë të na i sigurojnë. Ka donacione edhe në ushqime. Pa këto ndihma do ta kishim të vështirë, pasi për çdo qen, trajtimi nga mbërritja e deri në dërgimin sërish në habitat, kostoja shkon jo më pak se 7 mijë lekë, duke përfshirë edhe ndërhyrjen kirurgjikale. Ka edhe shumë qytetarë që vijnë dhe sjellin ushqime për kafshët.

Sa njerëz punojnë në këtë klinikë?

Janë 16 mjekë veterinerë, stafi ndihmës si dhe një grup pune që punon në terren për të kapur qentë fillimisht dhe për t’i kthyer më pas në vendin ku u kapën pas trajtimit në klinikë. Në këtë grup është një shofer, dy punëtorë, një veteriner, një gjuetar me pushkë narkotike dhe përgjegjësi i grupit. Mesatarisht ata sjellin çdo ditë 25 kafshë.

A ka mënyra të tjera për të zgjidhur problemin e qenve endacakë?

Padyshim që ka edhe rrugë alternative, por që sjellin thjesht zhvendosje. Do të thotë zgjidhjen e situatës në një zonë, por kanë ndikim në rëndimin e problemit në zona të tjera. Nëse qentë zhvendosen, ata dikujt do t’i “zënë derën”.

Përmirësimet e infrastrukturës ndikojnë në largimin e tyre. Kështu, në zonën e Pazarit të Ri ka patur një prani të konsiderueshme qensh, por me projektin e ri ata thuajse janë larguar. E njëjta dukuri vërehet edhe në zonat ku janë vendosur kazanë të rinj të plehrave, pasi kazanët e mëparshëm të hapur ishin burim ushqimi, rrjedhimisht grumbullonin edhe qentë pranë tyre.

Por, gjithsesi, zgjidhja përfundimtare është ajo nëpërmjet klinikës. Duket e ngadalshme, por është e vetmja rrugë civile dhe me efekt të sigurt për të ardhmen.

 

 

Protokolli veterinar i klinikës

 

  • Qentë e kapur do të sillen në klinikë me një proçes–verbal, në të cilin shënohet adresa dhe vendi i kapjes, seksi, ora e kapjes, si dhe shënimet e veterinerit për trajtimet e kryera, deri në momentin e ardhjes në klinikë.
  • Kafsha kalon menjëherë në dhomën e vizitave për marrjen e gjakut, kryerjen e analizave dhe ekzaminime të tjera.
  • Plotësohet kartela shëndetësore me të dhënat përkatëse.
  • Pas përgjigjes së analizës, qentë dërgohen në dhomat e hotelit duke e shoqëruar me kartelën përkatëse.
  • Pastaj lihen12 orë në dietë urie pas operacionit.
  • Në hotel kafsha shoqërohet me kartelë shëndetësore, testin e analizës dhe matrikullin, i cili vendoset pas operacionit.
  • Pas kryerjes së operacionit dhe trajtimeve të tjera mjekësore, qeni me matrikull shoqërohet në reanimacion.
  • Qëndrimi i qenve të operuar do të jetë i detyrueshëm kur marrin trajtim post-operator.
  • Qentë e operuar do të qëndrojnë në klinikë 3 ditë meshkujt dhe 5 ditë femrat apo më shumë, në varësi të gjendjes shëndetësore.
  • Mjekimi i qenve të operuar do të kryhet në të njëjtin orar.
  • Qentë do të ushqehen në oraret e përcaktuara sipas shënimit të mjekut në kartelën shëndetësore.
  • Qentë të cilët plotësojnë afatin kohor të përcaktuar pas trajtimit, dhe janë klinikisht të shëndetshëm vaksinohen dhe dërgohen në habitat.
  • Qentë shoqërohen me proces-verbal i cili përcakton rikthimin e tyre në habitatin ku janë kapur.

 

Protokolli për reanimacionin dhe hotelin

 

  • Mjeku veteriner përgjegjës për reanimacionin dhe hotelin duhet të kujdeset për kushtet e mirëqenies së kafshës në hotel dhe reanimacion.
  • Duhet të sigurojë dy here në ditë ujë dhe ushqim, përveç rasteve kur janë për ndërhyrje dhe fazën postoperatore, 12 orë.
  • Janë përgjegjës për marrjen dhe vendosjen e qenit për të njëjtën dhomë prej së cilës u morën dhe bashkangjitur është kartela për secilin me numër të njëjtë me matrikullin e cila ka të përcaktuar trajtimin e mëtejshëm.
  • Mjeku veteriner i hotelit duhet të zbatojë rigorozisht rastet, dozat dhe llojin e trajtimit të mjekimit sipas kartelës.
  • Të gjitha trajtimet do të kryhen në të njëjtën orë, sipas përcaktimeve të mjekut, të shënuar në kartelë.

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: