Ndryshon ligji për banesat sociale, shtohen kategoritë që do përfitojnë

Ndryshon ligji për banesat sociale, shtohen kategoritë që do përfitojnë
Qeveria pritet të miratojë sot projektligjin e ri “Për strehimin social”. I siguruar nga “Albanian Free Press”, ai parashikon konkretisht përfshirjen e disa kategorive të reja përfituese siç janë individët e komunitetit LGBT, ata të punonjësve të RENEA-s, FNSH-së etj. Por edhe favorizimin e ndërtuesve, kundrejt detyrimit për t’i dhënë shtetit një banesë të tillë

***

Që të marrësh një banesë sociale nga shteti, tani mund t’i përkasësh edhe një kategorie të re qytetarësh, e cila nuk ishte parashikuar më parë se mund të ishte përfituese e këtij plani ndihme për strehimin. Dhe kjo, falë një projekti të ri që qeveria ka hartuar lidhur me këtë të fundit e që pritet të miratohet në mbledhjen e saj të sotme. I siguruar paraprakisht nga “Albanian Free Press”, ai vë në dukje përshembull se një kategori e re që tani e tutje do të përcaktohen me përparësi për të përfituar një banesë sociale do të jenë edhe individët nga komuniteti i lesbikeve, gay-ve, biseksualëve dhe transgjinorëve, i njohur si LGBT. Kategori kjo, e cila në fakt, nuk përfshihej si e tillë në ligjin e deritanishëm “Për Strehimin Social”.

Nga ana tjetër, drafti i ri parashikon gjithashtu se përfshirjen në këtë listim të ri të punonjësve të reparteve të ndërhyrjes së shpejtë (FNSH); apo edhe ata të repartit RENEA. Por edhe ata persona të huaj që cilësohen si azilkërkues në vendin tonë. Sikundër, parashikohet se do të kenë përparësi në trajtimin e kërkesave për të përfituar një banesë sociale edhe të gjitha familjet të cilat kanë mbetur si të pastreha për shkak të lirimit të banesave ish-pronarëve.

Në këtë mënyrë, zgjerohet edhe më shumë harta e personave të cilët do të kenë të drejtën për të aplikuar dhe përfutuar një banesë sociale të ofruar nga shteti, pikërisht për kategoritë e cilësuara si më në nevojë kundrejt të tjerave.

Ku këto të fundit, njësoj si edhe në ligjin ekzistues “Për Strehimin Social” përfshijnë familjet që nuk disponojnë banesë në pronësi, i kanë të mbipopulluara apo i kanë një rrezik shembje. Duke vijuar më tej me kategori të tilla që do kenë përparësi si individët me statusin e jetimit; emigrantët e rikthyer; punëtorët emigrantë; viktimat e dhunës në familje; ato të trafikimit; anëtarët e komunitetit rom apo të komunitetit egjiptian; si edhe të miturit në konflikt me ligjin, pas ekzekutimit të dënimit.

“Të drejtat që burojnë nga ky ligj i garantohen pa asnjë lloj diskriminimi çdo individi, pavarësisht nga gjinia, raca, ngjyra, feja, etnia, gjuha, identiteti gjinor, orientimi seksual, bindjet politike, fetare ose filozofike, gjendja ekonomike, arsimore, sociale, shtatzënia, përkatësia ose/dhe përgjegjësia prindërore, gjendja familjare ose martesore, gjendja civile, gjendja shëndetësore, predispozicionet gjenetike, aftësia e kufizuar, përkatësia në një grup të veçantë dhe çdo gjendje që sjell pasoja diskriminuese”, citon mes të tjerash ai.

Duke saktësuar më tej se “askujt nuk mund t’i mohohet e drejta për të përfituar strehim në një nga programet sociale të strehimit”.

RISIA

Favorizohen ndërtuesit, më shumë ndërtime për t’i falur një shtëpi shtetit

Për t’i falur një shtëpi shtetit, e cila do të përdoret prej këtij të fundit si banesë sociale, tani e tutje ndërtuesit do të kenë një sipërfaqe më të madhe ndërtimi në dispozicion. Kjo është një tjetër risi që përcakton ligji i ri “Për Strehimin Social”. “Çdo shoqëri ndërtuese ose investitor, që investon dhe kryen ndërtime me sipërfaqe ndërtimore banimi, për efekt përfitimi, mbi 2000 metra katrorë, siguron kalimin pa shpërblim të të paktën 50 metrave katrorë në favor të fondit publik të banesave sociale me qira”, citon ai. Risjellim ndërkaq ndërmend se në ligjin ekzistues, bëhej fjalë vetëm për një sipërfaqe ndërtimi prej 1000 metrash katrorë, kundrejt një kushtëzimi të tillë.

Banesat me qira, ja kush do të përfitojë

Të marrësh një banesë sociale me qira, duhet t’u përkasësh pak a shumë të njëjtave kategori që nevojiteshin edhe për ta përfituar në pronësi ë një të tillë. Dhe ndërsa subvencioni nga ana e shtetit paguhet drejtpërdrejt në llogari të pronarit, qiramarrësi përfiton vetëm të drejtën për të përdorur banesën me qira. “Përparësi në subvencionimin e qirasë kanë këto kategori: Individët me statusin e jetimit; personat me aftësi të kufizuara; të moshuarit; invalidët e punës; familjet e policëve të rënë në detyrë; emigrantët e rikthyer; punëtori emigrant; azilkërkuesit; familjet e komunitetit rom; egjiptian; viktimat e dhunës në familje; të trafikimit; prindërit e vetëm me ngarkim fëmijë; individët LGBT; të miturit, 14-18 vjeç dhe të rinjtë 18-21 vjeç, në konflikt me ligjin, kur dalin në lirim pas kryerjes së dënimit; si edhe vajzat-nëna”, parashikon projektligji në fjalë.

 

Ç’vlerë e qirasë do të subvencionohet?

“Vlera e subvencionit të qirasë mund të jetë deri në 100 për qind e vlerës së qirasë mesatare të banesave në tregun e lirë, për njësinë e vetëqeverisjes vendore ku jepet ky subvencion”. Kështu përcaktohet në projektligjin e ri të qeverisë “Për Strehimin Social”, sipas të cilit, vlera maksimale e subvencionit të qirasë përcaktohet çdo vit, bazuar në të dhënat e vitit të mëparshëm, dhe miratohet me vendim të këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore. “Pagesa që duhet të bëjë familja për diferencën ndërmjet qirasë së tregut dhe vlerës së subvencionimit të qirasë nuk duhet t'i kalojë 30 për qind të të ardhurave të familjes”, citon gjithashtu projektligji i ri i qeverisë në fjalë. Sikundër, ai parashikon në një nen të posaçëm edhe ndihmën e shtetit në lidhje me përmirësimin e kushteve të banimit të banesë sociale, për kategori të ndryshme që do të kenë prioritet.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: