Në rrezik falimenti, bankat s’kanë para të mjaftueshme

Në rrezik falimenti, bankat s’kanë para të mjaftueshme
Banka e Shqipërisë bën provën e rezistencës me bankat private në vend. Në skenarin e rënduar, të gjitha kanë nevojë për më shumë para. Disa bankave madje u nevojitet kapital shtesë që në skenarin e moderuar. Pse BSH-ja u bën thirrje shqiptarëve të shmangin huamarrjen në valutë dhe si sektori bankar mbetet i ekspozuar ndjeshëm ndaj rrezikut të tregut

***

Nëse ekonomia jonë do të gjendej papritur në krizë, të gjitha bankave që ushtrojnë aktivitetin në Shqipëri do t’u duheshin më shumë para. Madje disa prej tyre do ta shfaqnin këtë nevojë që në fazat e para të krizës. Kjo konfirmohet nga vetë Banka e Shqipërisë, pas “provës së rezistencës” ndaj sistemit bankar, një provë e fortë kjo për stabilitetin financiar të vendit, sesa i sigurt është realisht ai në prag falimenti të bankave. Pikërisht, në atë momentin e rënduar të ekonomisë vendase, kur të gjithë qytetarët do drejtoheshin me vrap për të tërhequr kursimet e depozituara në to, e që shërbejnë si “arma” kryesore monetare e bankave.

“Rezultatet e ushtrimit të provës së rezistencës treguan që në skenarin bazë dhe atë të moderuar, sektori bankar mbetet i kapitalizuar, por do të kishte nevojë të rriste kapitalin në skenarin e rënduar”, citon saktësisht BSH-ja. Duke theksuar më tej se “kërkesa për kapital shtesë për banka të veçanta, shfaqet që në skenarin e moderuar”. Për të konfirmuar kështu zyrtarisht vështirësinë e bankave, nëse befas ekonomia shqiptare do tronditej dhe atyre do t’u shteronin depozitat e qytetarëve. Kjo edhe pse siç pohon po vetë Banka e Shqipërisë, aktualisht ato kanë një nivel të mjaftueshëm të kapitalit. “Ky tregues është në nivelin prej 15.7%, nivel ky dukshëm mbi atë minimal që kërkohet prej 12%”, sqarojnë ekspertët. Madje po sipas BSH-së, bankat do të përballeshin me një rrezik të tillë edhe pse ato realisht kanë një normë të lartë të fitimit, respektivisht me 9.3 miliardë lekë vetëm gjatë vitit 2016.

E pikërisht për këto arsye, institucioni qendror bankar në vend, rithekson nevojën “për vlerësimin e rregullt të rreziqeve nga secila bankë, ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme për uljen e tyre dhe ruajtjen e treguesve të kapitalizmit”. Sepse sipas BSH-së, gjithsesi mbetet fakt që ndjeshmëria ndaj rreziqeve është specifike për çdo bankë, në varësi të profilit dhe kapaciteteve që ajo ka për të përballuar rreziqet.

“Ndonëse raportimet e bankave tregojnë një përmirësim të mbulimit me kapital të rreziqeve tërësore operacionale, veprimtaria mbikëqyrëse e Bankës së Shqipërisë ka evidentuar nevojën e përmirësimit të mëtejshëm të procesit për identifikimin dhe raportimin e humbjeve operacionale në përputhje me profilin e aktivitetit të bankës”, pohojnë më tej ekspertët e BSH-së. Duke vënë në dukje kështu dukurinë se edhe pse bankat raportojnë se kanë kapital të mjaftueshëm, ato sërish duhet të marrin masat për të kompensuar humbjet që pësojnë gjatë rrugës së ushtrimit të aktivitetit të tyre, në mënyrë që në një “ditë të keqe”, të mos mbeten pa para në sirtarët e tyre që t’ua kthejnë qytetarëve shqiptarë.

 

SKENARËT

Skenari i moderuar dhe ai i rënduar, ja supozimet e krizës  nga BSH-ja

Prova e rezistencës ndaj bankave është ushtruar nga Banka e Shqipërisë duke u bazuar në dy skenarë të supozuar prej saj për ndryshime të pafavorshme në ekonomi për periudhën e viteve 2017-2018. Konkretisht, sistemi i moderuar parashikon tregues të dobësuar makroekonomikë dhe zhvlerësim të lehtë të Lekut. Kurse i rënduari, sipas ekspertëve, parashikon supozime ekstreme, të tilla si tkurrja e ekonomisë, tkurrja e kredisë, rritja e shpejtë e normave të interesit dhe zhvlerësim i fortë u lekut. Skenar ky në fakt që sipas tyre paraqet një probabilitet të ulët të ndodhë. Por që në të dyja rastet, sipas BSH-së, të gjitha bankat do të shfaqnin nevojë për para shtesë në mënyrë që të kompensonin efektet e rrezikut të pashmangshëm.

APELI

Të shmanget aktiviteti dhe kreditë në valutë

Qytetarët shqiptarë duhet ta shmangin huamarrjen në valutë,  për të rrezikuar më pak bankat nga falimenti. “Banka e Shqipërisë po vlerëson nevojën për veprime konkrete që do synojnë të ruajnë një diferencë të përshtatshme pozitive mes normës mesatare të lekut dhe atyre të valutave kryesore, si edhe që do të forcojnë ndërgjegjësimin e kredimarrësve për rreziqet që shoqërojnë huamarrjen e pajustifikuar në valutë”, cilëson BSH-ja lidhur me një fakt të tillë. Duke sqaruar se si rregull, kapacitetet e bankave janë më të mira në monedhën vendase sesa në monedhë të huaj, “ndaj rreziku i likuiditetit në valutë është më i lartë së rreziku i likuiditetit në monedhën vendase”. “Në një këndvështrim më afatgjatë, ulja e aktivitetit në valutë të bankave do të pakësonte këtë burim rreziku dhe do të kontribuonte pozitivisht në stabilitetin financiar”, shton më tej ajo.

PARALAJMËRIMI

Bankat, të ekspozuara edhe ndaj rrezikut të tregut

“Sektori bankar mbetet i ekspozuar në mënyrë të ndjeshme ndaj rrezikut të tregut (ku përfshihen rreziku i kursit të këmbimit dhe ai i normës së interesit)”. Ky është një tjetër paralajmërim që jepet nga Banka e Shqipërisë lidhur me rreziqet që pritet t’i shfaqen sistemit bankar në vend. Duke shtuar në këtë kuadër se kjo mund të ndodhë pavarësisht uljes së madhësisë së ekspozimit gjatë periudhës. “E vetëdijshme për kompleksitetin e fenomenit, Banka e Shqipërisë do të kërkojë për këtë qëllim edhe bashkëpunimin e autoriteteve të tjera publike”, shton më tej institucioni qendror bankar në vend. Për të përfunduar me faktin tjetër se “sistemet e bankave për vlerësimin dhe kontrollin e rrezikut operacional kanë nevojë të përmirësohen”, duke apeluar kështu për shtimin e vigjilencës nga ana e bankave.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: