Negociatat, Basha flet për mosbindje civile. Rama: Pa Vetting s’ka kompromis

Negociatat, Basha flet për mosbindje civile. Rama: Pa Vetting s’ka kompromis
Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka shkuar mbrëmjen e sotme në çadrën e PD-së për të shprehur zyrtarisht qëndrimin e tij për negociatat.

Basha falënderoi negociatorët e krizës David McAllister dhe Knut Fleckenstein për përpjekjet për zgjidhjen e situatës.

Ai tha se me gjithë ndihmën e tyre, Rama nuk pranoi qeveri teknike. Basha shtoi se PD ka pranuar shumë prej propozimeve, por “PD nuk mund të pranojë që këto detyra që Rama nuk i kreu kur ishte në qeverisje do ti bëjë në 4 javë të mandatit të mbetur. Javën e ardhshme do të nisim përshkallëzimin e mosbindjes civile anembanë Shqipërisë”.

Basha shtoi se qeveria teknike është kusht i panegociueshëm i PD-së. “Dua të denoncoj dhe shantazhin e votimit të Vetingut me kushtet e tjera. Kjo nuk është çështje dëshire. Rama nuk do as zgjedhje të lira dhe as Vetting të vërtetë, sepse i trembet demokracisë së vërtetë”,- tha Basha.

Ndërkohë kryeministri Edi Rama në një mesazh në “Facebook”, thotë se mbetet i hapur për dialog, por pa kushte. Sipas Ramës, pa Vettingun s’ka asnjë kompromis.

“Miq! Gjithnjë të hapur për dialog pa kushte. Por pa Vettingun s’ka asnjë kompromis, sepse Drejtësia për Shqipërinë që duam nuk negociohet”.

Reagimi vjen ndërkohë që sonte, palët politike nuk mundën të arrinin një marrëveshje për të dalë nga kriza. /e.a/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: