NJË MILION VOTAT I LEGJITIMOJNË ZGJEDHJET, POR…

NJË MILION VOTAT I LEGJITIMOJNË ZGJEDHJET, POR…
Nga EDUARD ZALOSHNJA

Ky shkrim është përgatitur, posaçërisht, për gazetën Albanian Free Press

Data 19 prill ishte afati i fundit për regjistrimin e koalicioneve paraelektorale të zgjedhjeve të 18 qershorit. Por në KQZ nuk u paraqit asnjë kërkesë për regjistrim koalicioni. U dërgua vetëm një letër e grupeve parlamentare të PS-së e LSI-së, ku i kërkohej KQZ-së që ta shtynte afatin për regjistrimin e koalicioneve dhe të partive, për t’u dhënë kështu kohë forcave politike që ta tejkalojnë ngërçin e krijuar nga çadra e opozitës para kryeministrisë. Dhe ajo letër u pasua nga një letër e grupit parlamentar të PD-së, ku kërkohej bash e kundërta.

Ilir Meta sqaroi nga Fieri se LSI-ja është më se e interesuar që opozita të marrë pjesë në zgjedhje, dhe se shtyrja e afatit të regjistrimit të partive e koalicioneve do të ndihmonte që mazhoranca ta gjejë gjuhën me opozitën, që kjo e fundit të marrë pjesë në zgjedhje. Por ai nuk sqaroi pse LSI-ja nuk u regjistrua në KQZ me koalicionin aktual të PS-së; regjistrimi i këtij koalicioni nuk e pengon regjistrimin e koalicionit opozitar në një datë të mëvonshme…

Në fakt, Meta e ka bërë të qartë se nuk do të nënshkruajë një marrëveshje të re koalicioni me PS-në, në qoftë se ajo nuk i ofron PD-së lëshime që do ta bënin këtë të fundit të futej në zgjedhje. Por PD-ja, përkundër kërkesës së CDU-së gjermane, përkundër kërkesës së Mogherinit e të Hahnit, përkundër kërkesës së zv.kancelarit gjerman Gabriel, për t’u futur në zgjedhje, nuk pranon të futet në to, për sa kohë Rama është kryeministër. Dhe nga ana tjetër, Rama këmbëngul të mos japë dorëheqjen, për sa kohë ka votëbesimin e Kuvendit.

Në një situatë të tillë, do të ishte logjike që LSI-ja, ta kishte bërë regjistrimin në koalicionin aktual brenda afatit ligjor, e të dilte para opinionit publik si një parti që bëri përpjekje deri në minutën e fundit për një zgjidhje të ngërçit politik, por në fund të fundit, respektoi pikë për pikë kodin zgjedhor. Për sa i përket legjitimitetit të zgjedhjeve pa opozitën, mjafton që mazhoranca të marrë 1 milion vota më 18 qershor, dhe konfirmohet legjitimiteti i tyre.

Pakkush e mban mend se sa për qind të votave mori koalicioni mazhoritar në zgjedhjet e 2013-ës, por shumëkush e mban mend se ai mori 1 milion vota. Sa e sa herë u janë përmendur shqiptarëve 1 milion shuplakat ndaj Berishës, dhe sa e sa herë u është thënë ndërkombëtarëve se qeveria aktuale ka legjitimitetin që i japin 1 milion votat!

Nga një sondazh që zhvillova së fundi, rezultonte se partitë që janë aktualisht në mazhorancë do t’i afroheshin rezultatit të 1 milion votave, nëse zgjedhjet do të ishin zhvilluar në fillim të shkurtit. Dhe historia e sondazheve tregon se, në prag të zgjedhjeve, pakësohet numri i votuesve të pavendosur – ata gravitojnë drejt kampeve përkatëse.

Ma do mendja se LSI-ja zhvillon sondazhe (para zgjedhjeve të 2013-ës kam parë dy sondazhe mjaft profesionale të konsulentëve të saj), dhe besoj se sondazhet e saj tregojnë se, koalicioni aktual mazhoritar i merr 1 milion vota.

Por duket se LSI-ja ka një problem tjetër, që ka të bëjë me rolin e saj si partia që përcakton se kush mund të bëhet kryeministër. Në një skenar ku mazhoranca aktuale merr 1 milion vota dhe zgjedhjet njihen si legjitime nga komuniteti ndërkombëtar (pavarësisht mospjesëmarrjes së opozitës), Rama nuk ka më nevojë për votat e LSI-së në Kuvend, për të qenë kryeministër edhe për katër vjet të tjera. Në një skenar të tillë, LSI-ja do të ishte thjesht një oponente e qeverisë, pavarsisht se mund të ketë mbi 30 mandate parlamentare (në sondazhin tim, LSI-ja rezultonte me rreth 200 mijë vota).

Në këto kushte, në qoftë se Meta nuk arrin që, me ndihmën e negociatorëve të Partive Popullore Europiane, t’i bëjë Bashën e Ramën që të lëvizin nga pozicionet aktuale, do të përballet shumë shpejt me një zgjedhje të vështirë: ose do t’i duhet të pranojë rolin e LSI-së si një oponente e vogël e qeverisë në Kuvend, ose duhet t’i bashkëngjitet PD-së, për ta rrëzuar qeverinë Rama para apo pas zgjedhjeve.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: