Nxënësit, të kërcënuar nga mësuesit e tyre nëpërmjet notës

Nxënësit, të kërcënuar nga mësuesit e tyre nëpërmjet notës
Një pjesë e nxënësve shqiptarë vazhdojnë të përballen me kërcënime nga mësuesit e tyre përmes notës që do t’u vendoset në fund të semestrit, apo në provime të rëndësishme. Pavarësisht të gjitha trajnimeve, në Shqipëri ende mësuesit e përdorin notën si një mjet kërcënues ndaj nxënësve duke nxitur në këtë formë edhe shkeljen e etikës në shkollë. Kjo formë kërcënimi është bërë edhe më e dukshme pas futjes së notës mesatare për kualifikimet në universitete. Tashmë, çdo maturant duhet të ketë notën 6 për t’u regjistruar në një universitet. Zv/ministrja e Arsimit, Nora Malaj tha se studimi i kryer nga Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike ka nxjerrë në pah edhe defektet e sistemit arsimor në vend. “Ne në sistemin e arsimit kemi mësues të cilët përdorin fyerjen ose bulizmin si një element për të ndëshkuar fëmijën, që shpeshherë ndëshkimi shkon edhe tek nota. Probleme ka në sistemin parauniversitar me plagjiatura dhe me qasjen sesi ky realizohet, duke mos e dhënë të plotë shkallën e vlerësimit të programeve dhe duke mos e bërë të plotë punimin shkencor, duke e quajtur atë plagjiaturë”, ka pohuar zv/ministrja e Arsimit, Nora Malaj. Për të shmangur këto problematika dhe për të ndëshkuar mësuesit që shkelin kodin e etikës, Malaj thotë se duhen bërë ndërhyrje në bazën ligjore. “Duhet të bësh ndryshime ligjore që të marrësh masa, nga parandalimi, edukimi dhe  masa drastike, deri në heqjen nga sistemi”, thekson ajo. Nga të dhënat e studimit rezulton se denoncimi i rasteve të shkeljes së etikës në autoritetet përkatëse raportohet në nivele shumë të ulëta.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: