O burra, një sherr për faturën!

O burra, një sherr për faturën!
 

 

Nga Juela Meçani

Ky shkrim është përgatitur, posaçërisht, për gazetën Albanian Free Press

Mos e mohojmë kot. Ka vende që janë pjesë integrale e jetës tonë, janë skenarë të përditshëm, vende ku, duam s’duam, krijojmë kujtime, me zakone të vjetra e tradita të reja.

Baret, klubet apo lokalet, quajini si të doni, janë një udhëkryq njerëzish e historish, pamjesh, mode, stili e mënyre sjelljeje. Janë zyrë, paradhomë, ballkon, janë dritare, vend rrëfimi, janë bankë, pasarelë, televizor, janë stadium, politikë, oborr, janë edhe kopsht zoologjik.

Nuk di, a e njohin shumë këtë fakt, por ka një kod (në fakt që në mesjetë), mbi sjelljen në një bar. Kod themeltar sjelljeje, me dhjetë pika bazë. E që po të ndalojmë e të thellohemi, në perëndim, zbatohet me rigorozitet.

Në një vend si Shqipëria, ku, për disa dekada, baret ishin bufe-të me fërnet, konjak, kaçurrel e me bozë, ka edhe këtu disa kode të pashkruara e të pashprehura. Por janë kode shoqnie, kode klani, kode gjinie. E për këdo ka shëtitur jashtë kufijve, mendjen dhe dijen, e ka vënë re se këto kode janë vetëm këtu.

Ja disa nga kodet e mirësjelljes në një bar-kafene, parë në versionin shqiptar:

Duhet përshëndetur kur hyn e largohesh, edhe nëse je me nxitim, mundësisht, me një buzëqeshje!!!! “Jo, moreeee”, “ku e gjete konfidencën të më flasësh”, “si shumë e buzëqeshur qenka kjo tipja”, “ej, ti kamerier, një kafe shpejt se nxitoj!”.

Mos e monopolizo gazetën apo revistën e lokalit, ajo duhet të lexohet nga të gjithë!!! “Jo, moreeee, qyl është, e lexojnë, grisin ca foto që u duhen, e fusin edhe në çantë ta lexojë mami me terezi”.

Mos e ngjyej briosh-in në qumësht apo në kapuçin! Ndoshta shijon shumë, por nuk është pamje e këndshme për të gjithë! Jo, moreeee, ai/ajo blejnë edhe byrek te cepi apo sufllaqe, dhe ulen e hanë në lokal, shoqëruar me një pije, nuk duan ta dinë për aromën e qebaptores. Kështu u shijon.

Ndalohet, rreptësisht, të fishkëllesh, të thërrasësh “ej, ti shoku!” ose “o, zemraaa!” ose “o, çuno!”, me zë të lartë, kamerierin ose baristin!! “Çfarë??? Ej, ti, ec pak ktu me!” “O djali, kam dy orë me dorën ngrit, ku i ke sytë!” (ka dhe më keq, me dritë celulari te sytë, duke bërë shenja).

Nuk duhet të flitet në celular me zë të lartë! “Urdhëro? Alooo! Po ku je mo, daku, kom gjithë ditën që ti bi ziles!”, “O, ylliiiii, po pse nuk e hap miiii zemër! Kushedi ku ke qenë!” “O, çun, mos më boj numra mua, du lekët urgjent!” - telefoni sikur të vesh me një teknologji e të bën të padukshëm. Sa për telefon, as që duam t’ia dimë, e po vajte mbi tre herë tek i njëjti lokal, të sigurt të jemi, bëhemi vëllezër e motra, miq të ngushtë, po se po, tashmë, njohim çdo detaj nga njëri-tjetri.

Nuk është aspak e sjellshme të bësh të komplikuarin, me shije të holla, që të dukesh tërheqës!!!! Eh..., këtu ngec gozhda! Birra nuk është kurrë e ftohtë sa duhet, qumështi kurrë i freskët, frutat asnjëherë ekzotike sa duhet, muzika, asnjëherë, sipas shijeve tona, kamerieri gjithmonë i ngathët, fatura gjithmonë e kripur!

Fatura..., eh, këtu më rrini pak!

Fatura vendoset me zë të ulët miqësisht e në paqe se kush paguan apo si ndahet!!! Çfarë?? O, burra, një sherr për faturën, përpara kamerierit e gjithë lokalit, nuk na e hiqni dot! Mos flasim se ai që do të rrëshqasë pa paguar, ikën, se ashtu i del një punë urgjente. Apo një grup meshkujsh të hareshëm pinë, zihen për faturën e të nesërmen, gjithmonë, thonë se shoku ua futi. Je femër?? Pavarësisht se ke një jetë që punon, e ke paranë tënde, mos bëj interesanten të paguash ti faturën. E para, djemtë ofendohen. E dyta, 90-përqindshi tjetër i gjinisë tënde, që sheh ëndrrën me shampanjë, do të të urrejë. Ke prishur kodin më të shenjtë, alla-shqiptarçe. Femra nuk fut dorën në xhep, e është i vetmi kod që “idhtareve të barazisë gjinore”, u shijon shumë.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: