Opinion nga Eduard Zaloshnja për Albanian Free Press: Gjëegjëza politike shqiptare “Catch 22”

Opinion nga Eduard Zaloshnja për Albanian Free Press: Gjëegjëza politike shqiptare “Catch 22”
Nga Eduard Zaloshnja

Ky shkrim është përgatitur, posaçërisht, për gazetën Albanian Free Press

Shprehja “Catch 22” ka kohë që është futur në leksikun e gjuhës angleze, falë popullaritetit të romanit satirik, me të njëjtin titull, të Joseph Heller-it. Ajo përdoret për situata të tilla në të cilat dikush humbet, pavarësisht nga zgjedhja që bën. Basha dhe Rama, të cilëve, në ditët në vijim, u duhet të marrin një vendim të rëndësishëm rreth zgjedhjeve parlamentare, duket se ndodhen, pikërisht, në një situatë të tillë.

Basha

Qysh kur deklaroi më 18 shkurt, se opozita nuk do të shkulej nga çadra para kryeministrisë, pa dalë prej saj kryeministri, Basha nuk e ka ndryshuar asnjë milimetër qëndrimin e tij. Me Ramën kryeministër, nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme, - ka deklaruar Basha, duke shtuar se opozita nuk do ta lejojë zhvillimin e zgjedhjeve më 18 qershor, nëse Rama nuk jep dorëheqjen dhe nëse nuk krijohet një qeveri “teknike”, me mbështetjen e të gjitha partive parlamentare.

Në rast se Basha tërhiqet nga ky qëndrim, do të duket si lulush para opinionit publik, pas dy muajve në çadër, që e kanë rritur staturën e tij, të paktën në sytë e përkrahësve të opozitës. Dhe kjo bjerrje e imazhit të Bashës, do të kishte patjetër pasoja në rezultatin e PD-së në zgjedhje, - gjë që do të shënonte dhe fillimin e fundit të karrierës së tij politike.

Nga ana tjetër, në rast se Basha nuk lëviz nga istikami që ka zënë prej dy muajsh, mund të përballet me reagimin e ashpër të Partive Popullore Europiane dhe të kancelares Merkel, të cilët janë investuar fort që problemet politike në Shqipëri, të zgjidhen brenda institucioneve, jo në rrugë. Në një situatë të tillë, do të vihej seriozisht në pikëpyetje vazhdimi i udhëheqjes së PD-së nga Basha, si brenda PD-së edhe në qarqet e djathta perëndimore.

Basha mund të përdorte vettingun si një kartë negocimi (meqë perëndimorët e duan fort zbatimin e tij), për të realizuar kërkesën për qeveri teknike para zgjedhjeve, por atë kartë, duket se nuk ia lejon Berisha ta luajë. Dhe raporti i Berishës me Bashën tek PD-ja, është i ngjashëm me atë të Berlusconi-t dhe administratorit të deleguar të Milanit, Galliani, në tre dekadat e fundit. Galliani merrej me administrimin e përditshëm të klubit futbollistik, por nuk mund të merrte vendime të rëndësishme, pa miratimin e pronarit Berluskoni…

Rama

Qysh kur u ngrit çadra e PD-së para kryeministrisë, Rama ka përsëritur në mënyrë stoike se zgjedhjet do të mbahen më 18 qershor, me qeverinë e kryesuar prej tij, pavarësisht se PD-ja apo parti të tjera (nënkupto LSI-në), mund të mos marrin pjesë në zgjedhje. Sipas Ramës, qeveria aktuale është legjitime dhe kushtetuese, dhe s’ka pse t’ia lërë vendin një qeverie tjetër – “teknike” apo “besimi” qoftë. Ai bëri disa ndryshime ministrash, si dhe ka ofruar të diskutohet për ndryshime ligjore në kuadrin zgjedhor, por, kurrsesi, nuk e pranon dorëheqjen e tij para zgjedhjeve.

Në rast se Rama tërhiqet nga ky qëndrim dhe pranon dorëheqjen dhe qeverinë “teknike”, të kërkuar nga Basha apo qeverinë e “besimit” të sugjeruar nga Meta, i bie që, praktikisht, t’i pranojë të gjitha akuzat e bëra nga PD-ja, në katër vjetët e fundit dhe nga LSI-ja, në muajt e fundit. Kjo do të kishte, patjetër, pasoja në rezultatin e PS-së në zgjedhje. Nga një dobësim elektoral i PS-së, do të përfitonte LSI-ja e cila do të mbante, kështu, e vetme në dorë çelësin e kryeministrisë, si për Ramën edhe për Bashën.

Nga ana tjetër, në rast se Rama nuk lëviz nga istikami dhe PD-ja e LSI-ja nuk futen në zgjedhjet e 18 qershorit, fitorja e Ramës do të ishte si e Pirros. Berisha, Meta dhe Basha do të fillonin një valë të  gjerë e të gjatë protestash, në fund të të cilave, do të ndërhynin fuqishëm kancelaritë perëndimore, të cilat, mbi të gjitha, duan stabilitet në Shqipëri.

I ndodhur para një trysnie të fortë të jashtme dhe të brendshme, dhe në pamundësi për të qeverisur pa mbështetjen politike dhe ekonomike të perëndimit, Rama mund të detyrohet shpejt të zhvillojë zgjedhje të tjera pas 18 qershorit, por me një qeveri “teknike”. Në to, humbja e PS-së përballë një koalicioni agresiv PD-LSI, do të ishte pothuajse e sigurt…

Në ditët në vijim, mbetet të shihet nëse Meta do t’i qëndrojë vendimit të LSI-së, për të mos u futur në zgjedhje pa një qeveri “besimi”. Një vendim i tillë, do t’ia bënte shumë të vështirë punën negociatorit gjerman, McAllister, për ta zgjidhur këtë gjëegjëzë “Catch 22”, me të cilën përballen Rama dhe Basha.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: