Opinion nga Frrok Çupi për Albanian Free Press: Krizë dhe kulte

Opinion nga Frrok Çupi për Albanian Free Press: Krizë dhe kulte
Nga Frrok Çupi

Ky shkrim është përgatitur, posaçërisht, për gazetën Albanian Free Press

Të gjithë thonë se “kemi krizë”; çfarë ka, në këtë mes, për të admiruar!? Domethënë, çfarë ka për “kult”? (Vetë kulti është “admirim”, nga termi latin “cultus”). Në bulevardin kryesor të Tiranës, prej 60 ditësh, është ngritur Çadra e Lirisë, d.m.th., “leva e Arkimedit” ose vendpërqendrimi i Opozitës që lufton për arritjen e ideve të veta. “Këtej nuk kalon, - ka deklaruar Opozita, - para se të realizohen zgjedhje të lira me një qeveri teknike”. “Çadra” tani, është vetë Kulti.

Kulti “Çadër” shërben si altar ku luten miqtë, armiqtë dhe kalimtarët e rastësishëm, të gjithë.

Lutja e armiqve:

Armiku më i madh i “Çadrës”, është qeveria. Çadra i kërkon qeverisë, çdo sekondë e çdo ditë, të japë dorëheqjen, të largohet, t’i lërë vendin një qeverie teknike e cila do të lejojë “popullin të votojë lirisht”. Në Mitologji, kur lulëzoi edhe krijimi i kulteve, qeveria do të konsiderohej “kuçedra” që ka zënë burimet e “lirisë së votës”.

A nuk ka të drejtë qeveria ta urrejë Çadrën? Sigurisht që ka. Po të bëhet siç kërkon Çadra, atëherë qeveria do të humbë pushtetin, do të humbë pasurinë e grumbulluar dhe mundësinë për t’u pasuruar më tej; do të humb privilegjet, të drejtën për të sunduar dhe fyer “milingonat” njerëz. Nuk është pak. Çadra nuk bën asgjë, gjatë gjithë kohës; veç se rri aty, në sy të qeverisë dhe i thotë çdo mëngjes: “Kalo këndej e jep dorëheqjen!”. Ky është tmerrues, se nuk bën gjë Çadra, veç kaq.

Qeveria çmendet dhe duke u çmendur, krijon edhe kultin për Çadrën. Kryeministri, sapo shkon në popull, flet për Çadrën. Shan, sigurisht, nuk lavdëron, por kjo nuk ka rëndësi në obsesion. Kryeministri shkon në qeveri dhe flet për Çadrën. Lufton dhe u jep zemër lufte shokëve, nuk lavdëron Çadrën, sigurisht. Por përsëri nuk ka rëndësi në obsesion; ai krijon kultin e Çadrës. Vijnë delegatë nga jashtë, në zyrën e kryeministrit; sapo lënë çantat, nisin të flasin për Çadrën. Kryeministri prapë rrethohet nga obsesioni dhe fobia,

sepse kushdo që ka një mendje të ftohtë, e di se një dorëheqje, nuk është gjë para një proteste popullore dhe një çadre që të çmend e nuk ke çfarë i bën. Sapo i thonë kryeministrit se “mund të largohet, nuk është gjë e tmerrshme”, - ai hyn në qerthullin frojdian të obsesionit dhe frikës. Në të njëjtën kohë krijon kult; ose më mirë të them: përmes edhe ERTV, përhap kultin për Çadrën.

Aq më tepër kur aleati i kryeministrit, Meta, thotë se kryeministri duhet të shkojë në Çadër për bisedime. Në atë moment,  Çadra kthehet në “cultus” të vërtetë. Nuk ka rëndësi nëse e urren apo e dashuron këtë pikë të Globit ku ndodhet Çadra; e rëndësishme është se, qeverisë kjo Çadër i është kthyer në kulturë (cultus, cult).

Nuk ka asgjë tjetër për të cilën flet kryeministri këto kohë; as për bukën e njerëzve, as për shëndetin, as për sigurinë..., vetëm për Çadrën. Domethënë është “kulturë” për të, ose “cult” nga ku vjen edhe “culture”. Qeveria ka rënë në pozitën e  vajzës shumë të dashuruar, që ka frikë nga “sekreti” i dashurisë. Sipas Frojdit, ajo gris çdo letër që gjen, sepse ka frikë mos dikush zbulon letrat e saj të dashurisë. Edhe qeveria, “gris” çdo mundësi mbi Çadrën, sepse ka obsesion; ka ngritur kultin “Çadër”.

Lutja e miqve:

Po vijnë miq ngado, për në Çadër. Të parët janë miqtë nga Perëndimi. Përveç amerikanëve që  nuk kanë kompleksin e “elitave liberale” që po bien në Europë, perëndimorët e tjerë përleshen me kundërshtarët këtu në Çadër. Sapo shfaqet një “majtist liberal” që lavdëron qeverinë, menjëherë shfaqet një djathtist që i nxjerr kallajin të parit. Nuk patë dje?... Majtisti Gabriel i Gjermanisë, ministër në një qeveri të djathtë, iu sul Çadrës dhe i tha “largohu që aty, hapi rrugë majtizmit!”. Çadra u kthye në obsesion kulti për gjermanin... Pas këtij, një anglez i ardhur nga “triumfi” shekullor i Brexit, zoti Daniel Hannan, tha se “duhet qeveri teknike menjëherë”.

Vetë kultet europiane të kësaj epoke kur po tenton të ndahet e e mira nga e keqja thuajse 70 vjeçare bëjnë hije ose marrin inspiracion prej këtu.

Por miqtë e Demokracisë, vetë shqiptarët, “luten” këtu, pa pushim.  Vijnë e shkojnë nga Çadra, bëjnë selfie dhe u mburren të tjerëve në facebook. Regjistrojnë portretin dhe thonë se “nesër duhet të jenë në pushtet”. Përderisa po kontribuojnë për Çadrën, duhet të marrin disa privilegje(!). Të tjerë që nuk duken këtu, kanë lidhje akoma më të forta: Ata “ushtrohen” të mbrojnë liderin që po e kërcënojnë për vrasje. Por ushtrohen edhe për ndonjë rast që “armiqtë” mund të vijnë natën për të zhvendosur Çadrën... Lufta ngre kulte më të shpejta dhe më të pastra.

Lutja e kalimtarëve:

Kalimtarë të interesuar mund të quhen mediat, për shembull. Mediat, më së shumti, në modelin ku kanë hyrë, të “Fake News”, po ngrenë kulte. Edhe pse, shpesh herë, larg Çadrës fizikisht, ngrenë kultin “Çadër”. Mediat pranojnë çdo video që regjistron qeveria dhe partitë ku mburrin veten përballë “mallkimit” Çadër, dhe kështu e ngrenë më shpejt kultin. Edhe gazetari më i keq në botë, nuk do të kishte shërbyer aq fort sa shërbejnë vetë kryeministri dhe partitë, për të ngritur kultin e kundërshtarit.

Pas kësaj, media me gazetarë të mjeruar dhe me pronarë të dyshimtë, i shkojnë pas “gjahut” për  ta bërë kult. Njësoj si në kohët më të vjetra kur gjahu ishte kulti i parë. Nuk i dëgjuat të shtunën kur po mbahej takimi Rama-Meta? Dikush nga mediat tha se “Meta u vonua 10 minuta. E pse? Se takoi turistë të huaj”. Dikush tha se “ku i ngeci këmba Ramës kur po kalonte”. Një tjetër tha se “ky kishte veshur bluzë me grafika”....

Kulti i gjahut, një kult që e ngrenë ata që mashtrojnë më shumë...

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: