Opinion nga Frrok Çupi për Albanian Free Press: Zogjtë e BE shtegtojnë drejt Tiranës

Opinion nga Frrok Çupi për Albanian Free Press: Zogjtë e BE shtegtojnë drejt Tiranës
Nga Frrok Çupi

Ky shkrim është përgatitur, posaçërisht, për gazetën Albanian Free Press

Stina e shtegtarëve të Bashkimit Europian drejt Lindjes ka nisur me kohë, por tani ndodhet në kulmin e saj. Kur Britanikët e ndanë ishullin prej Bashkimit Europian me anë të ligjit Brexit, qershor 2016, të parët që lëvizën ishin europianët që ndodheshin në ishull, ata u drejtuan për në vendet e tyre të origjinës. Por Zgjimi që shkaktoi Brexit nuk u ndal vetëm në pak miliona europianë që ndodheshin në Mbretërinë e Bashkuar.

Brexit ka zgjuar gjithë procesin e shkundjes së vendeve të Bashkimit Europian. Që nga qershori i Brexit e deri më sot, vihet re se kanë ndodhur shumë lëvizje: Zgjedhja e Trump, muret kundër emigracionit masiv, ndryshimet e kursit në Gjermani, pritshmëria në Francë....

Aq shumë kanë ndodhur sa që mund të thuash se “shpendët” e Bashkimit Euopian kanë ardhur në portat e Lindjes, e cila dikur ishte një përjashtim politik prej organizmave të dyanshëm: Në Lindje komunizmi i papajtueshëm me Perëndimin dhe në Europë -“zemra” e qytetërimit që nuk ishte hapur akoma drejt periferisë.

Akoma më tej, tani stina e ndryshimit i ka prurë misionarët, nëpunës dhe politikanë të BE, në portat e Tiranës. Bota e tyre është ngushtuar shumë. Kriza politike që ka zënë vend në Tiranë është një arsye shumë e mirë për BE që të dërgojë shtegtarët e vet këtu. Ditët e fundit kanë udhëtuar disa misionarë drejt Tiranës, duke u nisur që nga zonja Mogherini, Hahn, Kukan, Flenckenstein dhe disa nëpunës më të vegjël që mbushin dosjet e këtyre. Po të marrësh regjistrat e hoteleve më të shtrenjta të Tiranës, me siguri do të gjesh dhjetëra “zogj” të vegjël nga BE që kanë gjetur parajsën këtu.

Shpesh herë misionarët e BE vijnë me kërcënime, shpesh me ultimatume; por në çdo rast pa aftësi të plota për të zgjidhur gjë nga kriza. “Zot na krijo kriza në Tiranë!”, më duket sikur thonë këta, sepse i japin vetes shansin që të vijnë në Tiranë ku “gatuhet mirë, bëhet gallatë dhe manipulohen politikanë”. Kryetari i Partisë Demokristiane (afër me filozofinë e qytetërimit europian) dje ka shkruar një shkrim ironik ku thotë se “ndërkombëtarët i ka zënë droga në Tiranë”.

Por nuk është vetëm “kriza politike” ajo që i ka mbledhur në Tiranë shtegtarët e Bashkimit Europian. Kriza është vetëm një shkak, ose një shans i mirë për ta që të duket sikur “kanë punë” këtu. Fillimisht ata u dyndën nga vendet e vjetra të BE dhe u nisën drejt vendeve të Lindjes. Për shembull u drejtuan për nga Maqedonia, ku ka një krizë gjithashtu. Edhe pse lëshuan deklarata dhe mbajtën ligjërata, askush në Maqedoni nuk i mori në konsideratë. Maqedonia ka edhe një të keqe, që kulinarinë nuk e ka kaq të mirë sa Tirana. Vetë presidenti i Maqedonisë nuk pranoi të takojë edhe vetë zotin Hahn të BE. Prandaj nuk qëndruan në shtetin tonë fqinj lindor, edhe pse aty kriza vazhdon të jetë prezent.

Kohë më parë ishin vendosur në Athinë; madje qëndruan atje me vite, por nuk zgjidhën gjë, kriza mbeti në dorë të dy zonjave: Greqi e Gjermani.

Në Serbi nuk kishin shans të qëndrojnë sepse Serbia ka lidhje të afërta me Rusinë.

Një “grusht shteti” që u sajua në Malin e Zi, nuk kishte aq substancë saqë të vendoseshin shumë misionarë të BE.

Shtetet e tjera të Lindjes nuk i kanë pranuar. Hungaria dhe Polonia, që kishin vuajtur nën komunizëm, u pranuan më herët në BE. Por të dyja këto shtete janë në prag të largimit nga BE. Polonia ka kontestuar fort zgjedhjen e polakut Tusk në krye të BE dhe gjithashtu ka kundërshtuar gjobat e BE për arsye “emigrantësh”. Polonia është kundër “një Europe me disa shpejtësi”, sepse këtë e denoncon si ide ku mbështeten shtete më të mëdha për të plaçkitur më të voglat”. Ndërsa Hungaria e Orban ka ngritur mure për emigracionin dhe ka deklaruar se “me këtë BE, pas disa vitesh Europa nuk do të kishte më europianë”.

Mendimtarë euopian që ishin  thërritur për të ndërtuar projektin evropian të BE, sot po deklarojnë se BE “nuk ka më shumë se tre vjet jetë”. Më datë 23 prill Franca (pjesë e zemrës së BE) mund të largohet nga BE; më 23 prill aty bëhen zgjedhjet presidenciale. Edhe sikur centristi Macron të fitojë, ai ka deklaruar se nuk qëndron më në BE. Por më shumë ka gjasa që të fitojë euroskeptikja Le Pen.

Zgjedhjet në Holandë dëshmuan se balanca “pro” ose “kundër” BE është delikate. Në Austri po fitojnë projektet që kundërshtojnë programet e BE...

Bashkimi Europian duket se është kthyer në një “ishull” që po përmbytet nga konservatorët dhe nacionalistët, përmbytje që nisi që me ndarjen e ishullit Britanik. Europianistët më të mirë, mes të cilëve konservatorët, po flasin për një “BE tjetër”. Dërgaat e këtij BE janë dyndur nga “ishulli BE” i sotëm dhe i janë drejtuar Lindjes. Më të shumtët vijnë në Tiranë.

Por edhe ky shtegtim  nuk është thjesht për shkaqe kënaqësie dhe stinore. Nëpunës dhe politikanë të BE, në strategjinë e mbetur, janë kapur me thonj pas vendeve Lindore ku majtizmi ka krijuar njëlloj “klime” moçalore. Në këtë klimë të vjetëruar mendojnë se mund të mbahet vetë BE. Nëpunësit e BE-së aktuale po bëjnë çmos që këtu të mos ketë ndryshim sipas stilit: Brexit- Trump- Hungari- Francë- Poloni.

Për këtë arsye ”shtegtojnë” tani nga BE në Tiranë.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: