Opinion nga Sonila Meço për Albanian Free Press: Me sytë e Gabriel

Opinion nga Sonila Meço për Albanian Free Press: Me sytë e Gabriel
Nga Sonila Meço

Ky shkrim është përgatitur, posaçërisht, për gazetën Albanian Free Press

Politika ka aftësi të jashtëzakonshme për ta bërë të pamundur përcaktimin, sot, se kush është përgjegjës për çfarë. Aq më shumë vlen ky pohim për vende si Shqipëria, ku vështirë të gjesh një burrë shteti, një politikan, të ketë marrë përsipër përgjegjësitë për situatën ku ndodhet vendi.

Sot nuk kemi një institucion që flet shqip, të cilit t’i besojmë.

Vetë politika e ka turbulluar aftësinë tonë gjykuese, duke prodhuar paranojë kolektive. Paranojë që, deri diku, e kemi trajtuar me pilulat që vijnë nga jashtë.

Me këtë zell pritëm edhe vizitën e ministrit të Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, për të na treguar çfarë nuk funksionon në vendin tonë, kush e ka përgjegjësinë, kush duhet të tërheqë e kush të lëshojë. Paranojakë në këtë pritshmëri, e cituam herë si “bombë” e herë si “shashkë” deklaratën e tij, a thua se, në sytë e ministrit të Jashtëm, ne shohim edhe veten, edhe botën, edhe “gomarin e humbur”.

Gabriel foli qartaz e prerë, si pjesëtar i qeverisë së koalicionit të madh të Merkel, si një njeri i rëndësishëm i SPD-së që, tashmë, ka nisur fushatën elektorale; si një politikan që ka edhe pritshmëritë e veta në raport me ideologjinë e partisë që përfaqëson dhe angazhimit personal në një moment kritik për vendin e tij.

Por le të themi se përpara Gabriel, apo çdo ministri të një shteti të veçantë, ku jemi e ç’kërkohet prej nesh, na është thënë nga institucione të një përfaqësimi të plotë europian. P.sh., simptomat më të fundit të skizofrenisë kolektive ushqyer nga politika, i trajtuam me tabletat e Rezolutës së Parlamentit Europian të shkurtit të këtij viti. Të mësuar t’i dëgjojmë të interpretuara, humbasim eficiencën e tyre në adresimin e problemeve që na mbajnë në paranojë. Rezoluta e lexuar germë për germë, i bën thirrje politikanëve shqiptarë, të respektojnë ligjin e dekriminalizimit në përzgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme, për masa të forta kundër kultivimit, prodhimit dhe trafikut të drogës, luftë ndaj krimit të organizuar, realizimin e reformës në drejtësi për të mos ushqyer më pandëshkueshmërinë, ndalja e fluksit të azilantëve, duke krijuar kushte ekonomiko-sociale të favorshme për të garantuar jetën e këtyre njerëzve që, në statistikë, dëshmojnë realitet lufte. Pra, çfarë kërkohet e dimë mirë ne që jetojmë këtu, por, qartazi, edhe Parlamenti Europian ku reflektohen vullnete të shumëfishta të vendeve pjesëmarrëse.

Kur Presidenti i Këshillit të Europës, Donald Tusk, vendosi një sinor përjashtimor për zgjerimin e BE-së deri në 2020, mund të ketë patur në prioritet krizën e emigrantëve, atë ekonomike të Europës, por ne jemi shumë të ndërgjegjshëm se kushdo që rreket të na bindë se vetëm me një reformë në drejtësi, apo thjesht luftën kundër kultivimit të kanabisit, Shqipërisë do t’i hapen dyert për anëtarësim, në katër vitet e ardhshme, është duke na konsideruar idiotë.

Këtu duhet një ushtrim i mirë vetjak dhe një vullnet i fortë, për të parë pa ngjyra politike situatën. Mund të lejohet një pragmatizëm personal, për shkak të një stabiliteti vetjak që buron nga ky konfigurim pushteti, por le të mendojmë edhe jashtë derës së shtëpisë, se edhe aty jetojmë e marrim frymë.

Kthehemi të lexojmë deklaratën e Gabriel për atë që është në dritën e fakteve dhe asaj që organizma të besueshëm (sepse nuk flasin shqip), kanë kohë që e pranojnë. Sigmar Gabriel është sot ministri i Jashtëm i Gjermanisë, vendit që pas gjashtë muajsh, do t’i drejtohet zgjedhjeve, ku kancelarja Merkel do të synojë një mandat të radhës, pas një pushteti që e konsolidoi si politikanen më të fuqishme të kontinentit. Gabriel është krahu i djathtë i Martin Schulz që ka marrë, tashmë, nominimin nga SPD-ja si kandidati rival i majtë i Merkel. Sot, kryetar i kësaj partie, por ngjitur në politikë prej angazhimit si President i Parlamentit Europian nga viti 2012-2017. 6 muaj larg zgjedhjeve, SPD-ja po ushtron presion ndaj Merkel në çështjen ku ajo është ndjerë më vulnerabël: Bashkimin Europian. Deri vonë, kancelarja është perceptuar si politikania më e fuqishme në kontinentin e vjetër, që punoi fort për rezistencën e bllokut evropian, duke vepruar me kujdes e mençuri. Por politikat e saj për refugjatët, e kthyen gjysmën e Europës kundra saj. Tashmë, ajo gjendet, sy më sy, në garën për kancelar me Martin Schulz, njeriu i angazhuar për forcimin e Bashkimit Europian dhe që i detyrohet jo pak Brukselit, për ngjitjen e tij politike. Ai është gati t’u kthehet llogarive të brendshme të Gjermanisë, vetëm për të mbajtur, fort, familjen e përbashkët europiane. Që nga nominimi prej SPD-së të Schulz si kandidat për kancelar, koalicioni qeverisës është konsumuar nga mosmarrëveshjet. Schulz dhe Gabriel kërkojnë lehtësimin e masave shtrënguese ndaj vendeve anëtare të BE-së, më shumë buxhet për bllokun 27 anëtarësh, duke synuar edhe një përmasë më sociale të mandatit të vetë Bashkimit Europian. Gabriel dhe Schulz besojnë se gjermanët, në erën e nacionalizmit dhe populizmit, janë të gatshëm të sakrifikojnë më shumë financiarisht për Europën. Greqia vijon të mbetet temë debati, ministri i Financave këmbëngul në vijimin e masave shtrënguese, ndërsa Gabriel i kërkon Merkelit që të bëjë lëshime ndaj kërkesave të kryeministrit të majtë grek, Tsipras. Ky i fundit ka nevojë për një politikë të tillë, sepse zgjedhjet po afrojnë. Schulz, nga ana tjetër, shënjestron ministrin e financave Schäuble, duke deklaruar se ai kërkon ta ulë Greqinë në gjunjë, para tij. Tashmë, Gabriel mendon se partia e tij në fushatën elektorale, duhet të shprehë qëndrimin e patundur, për të ardhmen e familjes së përbashkët europiane. Ai kritikon paraardhësin e tij Steinmeier që iu nënshtrua politikave të Merkel, pa rezistencë dhe mendon se protestat e vijueshme në qytetet e Gjermanisë pro Europës, po diktojnë edhe synimin kryesor të zgjedhjeve, një Europë më sociale. Schulz, tashmë, është i përqendruar në politikën e brendshme, ndërsa Gabriel, si pjesëtar kabineti, po përqendrohet tek politikat europiane. Tashmë, mbështetja në popull është shtuar ndaj projektit europian, por ndryshe nga Gabriel, Merkel nuk mendon se ajo mund të shndërrohet në më shumë vota me politikat që propozon SPD-ja. Sipas saj, gjermanët nuk janë të gatshëm të shpenzojnë më shumë para për Europën. Konflikti standard gjerman mes tregut dhe shtetit, do të jenë temë kryesore e fushatës, por tashmë e fokusuar në nivel europian. A do të tregojnë gjermanët më solidaritet me Europën dhe deri në ç’përmasë? Kjo do të diktojë jo vetëm se kush do të jetë kancelari i ardhshëm i Gjermanisë, por edhe fatin politik të gjithë kontinentit. Ky informacion bëhet i domosdoshëm në kuadër të turit ballkanik të ministrit të jashtëm gjerman, për të kuptuar prioritetet e qeverisë që ai drejton, në kontekstin e një përgatitjeje për një fushatë zgjedhore të fortë e në kushtet kur Bashkimi Europian ndodhet në momentin më të vështirë historik, pas precedentit Brexit e ndryshimit të drejtimit në Shtëpinë e Bardhë.

Ky informacion do të na shërbejë t’i japim përmasën e duhur deklaratave të Gabriel në vendin e vogël e të varfër ballkanik. Nuk është faji as i Gabriel e as i Merkel, që kur Shqipëria sheh veten në pasqyrë i ngjan se është e shtrirë gjeografikisht, ekonomikisht e gjeopolitikisht në gjysmën e planetit. Por do duhet të pranojmë, për hir të analizës, se sot Shqipëria është pjesë e një dinamike të re gjeopolitike në Ballkanin Perëndimor, që sheh Europën si fuçi baruti e gadishullin si fitil, e jo e kundërta. Dhe se çfarë ministri i jashtëm deklaron në Shqipëri, i shërben interesave të politikës së jashtme gjermane në rajonin që dëshmon një lloj dështimi të vetë Bashkimit Europian. Europa pati një detyrë madhore, të orientonte vendet e Ballkanit Perëndimor drejt ndërtimit të demokracisë, shteteve funksionalë, kushte të domosdoshme për të shmangur luftërat që konsuamuan rajonin deri në fund të shekullit të 20-të, e nga ku ka dalë fitili për shpërthime luftërash botërore, ndër shekuj.

Në gjuhën e politikanëve të Ballkanit Perëndimor, janë shtuar nacionalizmat, kërcënimet e faktorëve të tretë, shantazhet e djajve të së shkuarës. BE-ja në rajon, prej dy dekadash, ka qenë e vetmja alternativë përkundrejt urrejtjes dhe ndarjes së fortë mes shteteve. Për më tepër, njerëzit shtuan mbështetjen drejt anëtarësimit, sepse i besonin këtij projekti më shumë se elitave të tyre politike. Por gjërat pësuan një kthesë të fortë me deklaratën në 2014-ën, të Presidentit të sapozgjedhur të Komisionit Europian, Juncker, se, sipas tij, deri në vitin 2020, nuk do të ketë më zgjerim. Gjë që u perceptua si një mbyllje porte në fytyrë. Ideja, deri në atë kohë, qe se nëse ka një perspektivë anëtarësimi në Europë, popujt ndihen më të mbrojtur ndaj një rrëshqitjeje të fortë në autoritarizëm të liderëve të tyre. Mirëpo dobësimi i Europës, sinjalet kontradiktore të saj, konsumimi në krizat e shumëfishta ekonomike dhe të refugjatëve, si edhe një ngrirje e procesit të zgjerimit, krijuan dyshime të forta në Ballkan, lidhur me rolin e BE-së në proceset demokratizuese të tij. Përtej situatës së vështirë në Maqedoni, ku me zhvillimin e zgjedhjeve atje, nuk erdhi fundi i krizës siç pritej, përkundrazi, nisi një fazë e re, më e rrezikshme, që mund të shpërndahet përtej kufijve të saj, asaj në Bosnjë Hercegovinë, me kërcënimin e një referendumi për pavarësi të Republika Srpska, asaj në Kosovë ku ka ngrirë marrëveshja e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, ku vijojnë provokimet ndëretnike, e ku shtohen konfliktet e brendshme politike, gjendet një pamundësi reale e ndërmjetësimit ndërkombëtar, duke çuar në një dështim të Bashkimit Europian në Ballkanin Perëndimor.

Le të ndalemi tek Shqipëria e vizituar, së fundmi, nga ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel. Shqipëria, vendi i vogël i Ballkanit Perëndimor, tashmë, citohet si një kryeqendër e kultivimit dhe trafikimit të marijuanës. Sipas raportit të Strategjisë Ndërkombëtare të Kontrollit të Narkotikëve nga Departamenti i Shtetit, Shqipëria është burim i rëndësishëm i marijuanës dhe rrugë tranziti për kokainën dhe heroinën e destinuar për tregjet europiane. Franco Roberti, prokurori Italian i Antimafias, në 27 mars, do të deklarohej shumë i shqetësuar për situatën. Sipas tij, korrupsioni është një mjet i privilegjuar i krimit të organizuar për të ndërhyrë në ekonominë formale dhe institucionet e administrimit publik. Situata ka marrë një vëmendje të jashtëzakonshme mediatike ndërkombëtare, që nga BBC e CNN, Rai1, Corriere della Sera, Huffington Post, Deutsche Welle etj. Madje BBC World Service publikoi edhe vlerën vjetore të drogës prodhuar në Shqipëri, rreth 5 miliardë euro. Varfëria, nga ana tjetër, ka favorizuar kultivimin e kanabisit nga ana e fshatarëve. Sot, opozita, nisur nga këto të dhëna dhe fakte të tjera që ajo disponon, dyshon fort se miliardat e eurove të siguruara nga ky trafik, do të përdoren për të financuar zgjedhjet e përgjithshme të qershorit, se eksponentë të krimit të organizuar kanë lidhje të forta politike me qeverinë dhe kanë marrë garanci se, aktivitetet e tyre nuk do të preken në këmbim të financimit të fushatës. Pra, bashkë me Shqipërinë ku nuk ka konflikt etnik, kriza në Ballkan ngjan e fortë. Tashmë, kemi një rikthim të gjeopolitikës në rajon, gjë e cila u ka shërbyer liderëve rajonalë, duke kërkuar lojtarë e investitorë të tjerë, duke shpërfillur standardet demokratike që kanë qenë pjesë e procesit zgjerues të BE-së, duke shantazhuar me faktorë të tretë, që në një mënyrë a tjetër, kanë lidhje historike me rajonin. Kjo situatë është analizuar bash mirë nga BiEPAG - Grupi Këshillues Politik i Ballkanit në Europë. Titulli i studimit është: “Kriza e Demokracisë në Ballkanin Perëndimor: Autoritarizmi dhe Stabilitokracia e Bashkimit Europian”. Stabilitokracia ka prodhuar demokraci të dobëta, me udhëheqës autokratë që qeverisin nëpërmjet rrjetit të tyre, duke pretenduar se sigurojnë stabilitet properëndimor. Sipas raportit, në Ballkan ngjan se një formulë po bëhet rregull, lider autoritaristë, ideologji nacionaliste dhe politika neoliberale ekonomike. Rënie besimi tek institucionet dhe politika, përdorim pragmatik i pushtetit nga udhëheqësit, krizë vlerash, pabarazi. Liderët shfaqen narcizistë, duke personalizuar hapësirën mediatike dhe duke krijuar perceptimin se zgjidhja janë vetëm ata. Vendi kalon nga kriza në krizë që e prodhon vetë sistemi. Premtimet se ekonomia do të lulëzojë, realizohen vetëm me pasurimin e një numri shumë të vogël klientësh të pushtetit. Jemi të qartë se Shqipëria, hyn mirë në këtë përshkrim. Vetë BE-ja e ka toleruar këtë dinamikë, ca nga bindja, ca nga inercia, por edhe një lloj dembelizmi. Raporti del në këtë përfundim: “Besimi se integrimi në BE si proces, do të përmirësojë demokracinë dhe do t’i bëj vendet e Ballkanit të qëndrueshme, nuk funksionon e duhet braktisur”. Për shkak të përfshirjes së pakët të institucioneve të tjera, si kuvendi, raportet ndërkombëtare nuk bien në duart e tyre, synimet e Planeve të Veprimit janë të përgjithshme, duke u lënë qeverive lirinë të manipulojnë perceptimet e rezultateve të arritura tek publiku. Marrja e informacionit nuk bëhet e saktë, transparente dhe me aktorë të besueshëm të shoqërisë civile. Media nuk është mbështetur sa duhet. Pra, sot, Europa rreket të kuptojë ku gaboi me Ballkanin dhe se a duhet lejuar stabilitokracia në vend të demokracisë që është përbërësi i themeleve të saj. Për këtë, Mogherini nisi turin në Ballkan, e po ashtu ministra të jashtëm të vendeve anëtare të BE-së. Për këtë, Gabriel u nis të prekë vetë rajonin por në kushtet e një realiteti që i përvishet politikës së deritanishme. Me gjithë procesin e Berlinit, si një nismë për të rigjallëruar lidhjet mes Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të caktuara anëtare të BE-së dhe për të forcuar bashkëpunimin rajonal në cështje të zhvillimit ekonomik dhe infrastrukturor, politika në Ballkanin Perëndimor është konsumuar nga konfliktet. Nuk gjen dot një qeveri të përgjegjshme në rajon. Europa e di mirë se prej vitesh, ka hedhur para, në forma nga më të ndryshmet, duke marrë mbrapsht premtimin për reforma të mëdha. Tash që edhe procesi i Berlinit nuk ka shënuar hapa domethënës në performancën e qeverisjes së këtyre vendeve, Europa nuk mund të tolerojë në Shqipëri, hedhjen e milionave në dështimin e një reforme që, sipas saj, duhet t’i shërbejë shtetit të së drejtës, ndëshkueshmërisë, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Andaj, Gabriel u mor me normalizimin e jetës demokratike në Shqipëri, sepse rendja drejt stabilitetit prodhoi nga kanabisi tek autokracia e qeverisjes, nga korrupsioni tek pabarazia. Nuk ka nevojë t’i thotë, sepse ai është, më së pari, dështim i vetë i Europës e vështirë se një gjerman do ta pranonte në turin e tij. Aq më tepër kur Shqipëria nuk mund të jetë prioritet i politikës së jashtme gjermane. Gjermania gjendet në një realitet ku Rusia ridimensionon rolin e saj në krizat botërore, Turqia ndërmori ndryshimin drastik të Kushtetutës, Britania largohet nga BE e shtrin shikimin në Atlantik, Shtetet e Bashkuara nuk perceptohen më si burim stabiliteti, e përballë me një kandidate për presidente në Francë që paralajmëron daljen nga NATO dhe BE. Gjermania po kërkon sot, më shumë se kurrë, të shpëtojë BE-në dhe në këtë panoramë Ballkani Perëndimor, shihet si i tërë, aty ku status quo-ja nuk mban më dhe mund të sjellë rreziqe të pamenaxhueshme. Sa për problemet tona, të Shqipërisë sonë të vogël hallemadhe, do t’i zgjidhim vetë. Shembullin e kemi, Rumaninë. Aty ndërgjegjësimi për demokracinë në vend bashkoi popullin, shoqërinë civile, njerëz të angazhuar, media të pavarura. Ndaj, kush priste nga ministri i Jashtëm gjerman të fliste për qeveri teknike, shtyrje zgjedhjesh, apo vijim bojkoti si mjet për zgjidhjen e krizës sonë politike, të shpëtimit të zgjedhjeve nga ndikimi i parasë së kanabisit dhe krimit të organizuar, kapjes së shtetit, do të duhet të përllogarisë të gjithë dinamikat e mësipërme.

Në fund të fundit, politika ndërkombëtare, si çdo politikë, është luftë për pushtet. E Shqipërinë e vizitoi një njeri me pushtet, pushtet që përgjigjet në radhë të parë për gjermanët e taksapaguesit europianë.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: